Notre Dame rikthehet në jetë mes madhështisë, simbolizmit, historisë dhe një ndjesie shprese

December 8, 2024
min lexim

Erërat që lëngonin mes të ftohtit të dimrit nuk mund ta pengonin kthimin në jetë të Katedrales Notre Dame. Me tre trokitje tingëlluese duke përdorur një spektër të veçantë të krijuar nga pjesë të trarëve të Katedrales që u shkrumbuan nga zjarri, Arqipeshkvi i Parisit Laurent Ulrich shënoi rihapjen e saj të shtunën në mbrëmje.

Për herë të parë që kur flakët pothuajse e shkatërruan atë në vitin 2019, kryevepra madhështore e stilit gotik hapi dyert për besimtarët. Rilindja e saj u shoqërua me muzikë, lutje dhe admirim nën harqet e saj imponuese.

Ceremonia, e planifikuar që të fillonte përjashta, u zhvendos tërësisht brenda për shkak të erërave jashtëzakonisht të forta të dhjetorit në brigjet e lumit Sena. Megjithatë, ceremonia nuk humbi asgjë nga shkëlqimi i saj. Brenda Katedrales së mrekullueshme, koret kënduan psalme dhe organoja e saj e heshtur për gati pesë vjet, mbushi sallën me një ndërthurje melodish të ndryshme.

Restaurimi, një arritje spektakolare në vetëm pesë vjet për një strukturë së cilës iu deshën gati dy shekuj për t’u ndërtuar, shihet si një moment triumfi për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili këmbënguli për afatin ambicioz kohor – dhe një lehtësim nga problemet politike të brendshme me të cilat ai përballet.

Ceremonia e mbrëmjes, ku morën pjesë 1,500 personalitete, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump, Princin e Britanisë William dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ishte një kujtesë e rolit historik të Katedrales Notre Dame si një fener shpirtëror dhe kulturor.

Analistët e shohin ceremoninë si një arritje të Presidentit Macron dhe si një synim të tij për ta kthyer atë në një arenë të gjerë diplomatike, por edhe si një mundësi për të shpalosur aftësinë e Francës për të shfaqur unitet në një skenë globale, pavarësisht krizave të brendshme politike.

Problemet politike të Presidentit Macron

Duke folur brenda Katedrales, Presidenti Macron shprehu “mirënjohjen” të shtunën për ata që e shpëtuan, kontribuuan për ringritjen e saj dhe e rindërtuan Notre Dame, me zërin që i kumbonte nën kupolë.

“Unë qëndroj para jush … për t’ju shprehur mirënjohjen e kombit francez,” tha ai, përpara se tingujt e korit të mbushnin ajrin me harmoni të cilat kishin munguar për pesë vjet.

“Sot, kambanat e Notre Dame po bien sërish. Dhe pas pak organoja do të zgjohet, duke përcjellë muzikën e shpresës nga Katedralja e shndritshme tek parizienët, Franca dhe bota më gjerë”, tha ai.

Festimet pritet t’i japin një ngritje të nevojshme staturës së udhëheqësit francez, kryeministri i të cilit u shkarkua këtë javë, duke e zhytur politikën e vendit në më shumë pasiguri.

Presidenti Macron e ka quajtur rihapjen e Notre Dame “një vërshim shprese”. Vëzhguesit thonë se ai shpresonte që ky rast t’i shuante përkohësisht zërat e kritikëve të tij dhe të tregonte unitetin dhe qëndrueshmërinë e Francës nën udhëheqjen e tij – një moment i rrallë pozitiv për një presidencë që po përballet me një krizë të rëndë.

Një restaurim i jashtëzakonshëm

Brenda, 42,000 metra katrorë punime guri – një sipërfaqe e barabartë me gjashtë fusha futbolli – ishin pastruar dhe lëmuar në perfeksion, duke bërë të feksnin gurët gëlqerorë dhe gdhendjet e përpunuara. Nën kupolë, 2,000 trarë prej lisi të mbiquajtur “pylli”, u përdorën për të rindërtuar kulmin dhe çatinë, duke rikthyer siluetën ikonike të katedrales.

Organoja madhështore kumbuese me 7,952 gypa me gjerësi të ndryshme, po lëshon tinguj për herë të parë që nga zjarri. Restaurimi i instrumentit historik muzikor me pesë tastiera dhe 30 pedale, është një mrekulli më vete, duke risjellë në jetë një gur themeli të identitetit të Notre Dame.

Të ftuarit që hynë grupe-grupe në katedrale për ceremonitë e rihapjes në mbrëmje, u mahnitën nga ambientet e brendshme të rinovuara dhe shumë prej tyre bënin fotografi për të kapur momentin. “Është një ndjesi perfeksioni,” tha François Le Page i Fondacionit Notre Dame, i cili mblodhi gati gjysmën e 900 milionë eurove të donacioneve për restaurimin.

Ai e kishte vizituar atë për herë të fundit në vitin 2021, kur katedralja ishte e mbuluar me skela. “Ishte një pamje e zymtë,” tha ai. “Si nata me ditën.”

Në harmoni me shkëlqimin e ceremonisë, Kryepeshkopi Ulrich dhe klerikët e tjerë kishin veshur veladonë të krijuar nga stilisti i njohur francez Jean-Charles de Castelbajac. I njohur për estetikën e tij që merr frymëzim nga bota e artit pop, Castelbajac krijoi 2000 veshje shumëngjyrëshe për 700 pjesëmarrës, duke kombinuar elemente moderne me motive mesjetare.

Rihapja e Katedrales Notre Dame vjen në një kohë trazirash madhore globale, me luftëra në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Për katolikët, tha rektori i Notre Dame Olivier Ribadeau Dumas, Katedralja “mbart praninë e ngrohtë të Virgjëreshës Mari, një prani që jep ndjesinë e mëmësisë dhe mbrojtjes”.

“Është një simbol i mrekullueshëm i unitetit,” tha. “Notre Dame nuk është vetëm një monument francez – është mishërimi i shpresës”.

Gama ndërkombëtare e personaliteteve të pranishëm në Paris nënvizon rëndësinë e katedrales si një simbol i trashëgimisë dhe paqes së përbashkët.

Pesha e detajeve historike

Të ftuarit hynë përmes fasadës perëndimore me një vlerë ikonike të Notre Dame, portalet e harkuara të së cilës të stolisur me gdhendje biblike, dikur ishin një udhërrëfyes vizual për besimtarët mesjetarë.

Mbi Portalin qendror të Gjykimit të Fundit, kryeengjëlli Michel shfaqet duke peshuar shpirtrat, ndërsa demonët përpiqen të anojnë peshoren. Këto figurina të gdhendura në gur, që duket sikur janë krijuar për të ngjallur si mrekullim ashtu edhe frikë, sikur ngrinin siparin për një ceremoni të frymëzuar nga historia.

Brenda, gumëzhima e zërave të të qindra të ftuarve që prisnin shërbesën mbushi katedralen me tinguj njerëzorë për herë të parë pas një kohe të gjatë – një kontrast i fortë me zhurmën e ndërtimit që jehoi atje për vite me radhë.

Notre Dame u mbush me jehonën e ovacioneve pas shfaqjes së një filmi të shkurtër që dokumentonte përpjekjet gjigante të rindërtimit. Jashtë, fjala “MERCI” – faleminderit – ishte projektuar në fasadën ikonike perëndimore të katedrales.

Masa të rrepta sigurie

Masat e sigurisë gjatë fundjavës do të jenë të rrepta, duke u bërë jehonë masave të marra gjatë Lojrave Olimpike të Parisit në fillim të këtij viti. Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin Senë ku ndodhet Notre Dame dhe zemra historike e Parisit – është i mbyllur për turistët dhe ata që nuk janë banorë.

Furgonët dhe barrierat e policisë bllokojnë rrugët me kalldrëm në një perimetër të gjerë rreth ishullit, ndërsa ushtarët me patrullonin zonën përreth. Një grup i veçantë sigurie mbron zotin Trump. 40,000 spektatorë të vendosur në zonat të veçanta të krijuara për publikun përgjatë bregut jugor të Senës, ndjekin festimet në ekrane të mëdha.

Për shumë njerëz, rilindja e Notre Dame nuk është vetëm një sukses francez, por një arritje globale: Pas rihapjes, katedralja do të mirëpresë 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë para zjarrit./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Për herë të dytë, Thomas Bach viziton Kosovën

Story i radhës

Pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë