Para së gjithash duhet cekur se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar me takime të rregullta mujore në nivel kryenegociatorësh dhe një takim të nivelit të lartë në Bruksel më 18 gusht 2022. Për kontekstin që po flasim të zhvillimit të negociatave e dim që ende nuk u arrit progres konkret i mëtejmë në negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, ndërsa në takimin e nivelit të lartë, Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Kurti ranë dakord për takime të rregullta në nivel liderësh për të çuar përpara negociatat e Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të avancojnë negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit pa vonesa të mëtejshme. Arritja e një marrëveshje të tillë është urgjente dhe vendimtare për t’i mundësuar Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre evropiane.
Gjatë periudhës raportuese, palët miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor 2022, i cili mundëson zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Dialogut të vitit 2013 dhe 2015 për energjinë. Pas marrëveshjes së arritur, një licencë për furnizim me energji elektrike iu lëshua Elektroseverit, një kompani me pronësi serbe e themeluar sipas ligjit të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe në veri. Finalizimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike për ta bërë kompaninë plotësisht funksionale është në proces e sipër. Palët pritet të zbatojnë shpejt të gjitha dispozitat e Udhërrëfyesit. Pas tensioneve në veri të Kosovës në fund të korrikut 2022, më 27 gusht 2022 u arrit një marrëveshje në lidhje me përdorimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, ku Serbia u pajtua që t’i shfuqizojë këto dokumente për poseduesit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova të mos i kërkojë ato për poseduesit e letërnjoftimeve serbe. Palët pritet të arrijnë urgjentisht një marrëveshje për targat pasi nuk arritën të gjenin një zgjidhje të përhershme brenda Grupit Punues të dedikuar të targave të udhëhequr nga BE-ja, mandati gjashtëmujor i të cilit skadoi në prill 2022.
Në vazhdën e zhvillimit të bisedimeve Kosovë Serbi, palët u angazhuan në negociata për një deklaratë politike për personat e pagjetur. Por, deri më tani ende nuk u arrit marrëveshje konkrete, por palët inkurajohen të vazhdojnë negociatat e tyre për të gjitha këto tema. Qeveria e Kosovës ka bërë mirë kur nuk i ka lejuar lehtësimin e votimit nga OSBE-ja, sipas praktikës së kaluar, për t’i mundësuar komunitetit serb të Kosovës të votojë në referendumin kushtetues të Serbisë dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022. Sa i përket gjendjes aktuale të zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të dialogut:
– Zbatimi i plotë i marrëveshjes për drejtësinë e nxjerrë nga “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” e prillit të vitit 2013, vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme nga autoritetet kosovare pasi që Kosova nuk respekton disa dispozita të marrëveshjes;
– Nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015.
Autoritetet kosovare kanë dështuar të ndërmarrin veprime për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Kosovës i kërkohet që të angazhohet në mënyrë konstruktive në themelimin e tij pa vonesa apo pengesa të mëtejshme;
– Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar prej kohësh dhe Serbia pritet të angazhohet në mënyrë konstruktive nëpërmjet listës serbe të lejojë që ura të hapet pa pengesa për qarkullimin e automjeteve;
– Sa i përket marrëveshjeve të dialogut teknik (2011-2012), disa marrëveshje nuk janë ose janë vetëm pjesërisht duke u zbatuar. Të dyja palët duhet të mbeten të përkushtuara për zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale dhe të mos bllokojnë punën e forumeve rajonale për mosmarrëveshjet bilaterale.
-Zbatimi i marrëveshjeve për çështje e kadastrës dhe njohjes së diplomave universitare është ende në pritje. Serbia ende nuk e ka trajtuar çështjen e zhvendosjes së strukturave doganore administrative serbe me emërtim të
Kosovës që operojnë brenda Serbisë, nuk ka ndërprerë lëshimin e dokumentacionit ose vendosjen e vulave me emërtim që bie ndesh me marrëveshjen përkatëse;
Lidhur me Marrëveshjen e Integruar Kufitare ( MIK)-un, Pikat e Përbashkëta të Përkohshme të Kalimit Kufitar (PPK) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë funksionale. Vetëm dy nga gjashtë PPK-të e përhershme janë themeluar (Merdarë dhe Mutivodë). Në mars të vitit 2022, Serbia ra dakord të hapte si korsitë hyrëse ashtu edhe ato dalëse në PPK në Merdarë dhe të zhvendoste autoritetet e saj në ambientet e reja në PPK-së në Mutivodë. Të dy PPK-të e financuara nga BE janë tashmë plotësisht funksionale. Serbia ende nuk ka krijuar PPK të përhershme për pritje në anën e saj (Jarinje/Rudnica, Konçul-Dheu i Bardhë dhe Depçe/Muçibabë), gjë që çoi në pezullimin e fondeve të BE-së për këtë projekt në korrik të vitit 2018.
Përveç kësaj, Serbia duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive për të mundësuar ndërtimin e PPK-së së tretë të organizuar nga Kosovë në veri të Kosovës në Tabavije/Bërnjak. Nga Serbia nevojiten përpjekje shtesë për mbylljen e rrugëve kryesore dhe rrugëve anësore ilegale për të siguruar përdorimin ekskluziv të pikave të kalimit zyrtar për mallrat dhe personat që hyjnë ose dalin nga Kosova.
– Palët kanë vazhduar të respektojnë detyrimet e tyre përkatëse sipas marrëveshjes së telekomit;
– Kërkesat për ndihmë të ndërsjellë juridike në parim janë duke u trajtuar;
85.
– Kosova duhet të respektojë në mënyrë më konsekuente Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare.
Ndaj, për fund mund të konkludjmë se në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të mbajë zotimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut. Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu, duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për të shmangur veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialog. Kosova duhet të kontribuojë në një mjedis të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënie me Serbinë, duke përfshirë afirmimin e saj në marrëdhëniet politike ndërkombëtare përmes anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO