Krimea ishte dikur një destinacion popullor turistik falë plazheve të saj, por kërë verë janë paktë turistët që shkojnë në gadishull, për shkak të luftës në Ukrainë. Zyrtarë të industrisë turistike thotë se ky sezon veror është më i dobëti që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Qeveria ruse njoftoi kohët e fundit mbështetje financiare për pronarët e bizneseve të turizmit.
Çdo verë, rrugët e fshatit Popovka të Krimesë janë të mbushura me pushues nga Rusia, por këtë vit ai është thuajse tërësisht i braktisur. Të gjitha hotelet dhe bujtinat janë të zbrazëta, madje edhe kalimtarët e zakonshëm të rrallë.
“Unë jetoj këtu. Kjo është rruga kryesore dhe zakonisht në këtë kohë është e mbushur plot me njerëz dhe makina. Por tani, siç mund ta shihni, gjithçka ka ndryshuar“, thotë banorja e Popovkas, Irina Zakharidi.
Dikur kjo zonë ishte një destinacion popullor pushimesh për familjet me fëmijë. Por kohët e fundit, për shkak të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, plazhet e bukura të gadishullit janë fortifikuar për kilometra të tërë, në disa raste duke u privuar vendasve dhe turistëve hyrjen në det.
“Zakonisht, nga 15 qershori deri në mes të shtatorit, dhomat tona janë pothuajse plotësisht të prenotuara. Këtë vit, duke qenë se plazhi është i mbyllur, natyrisht që nuk erdhi njeri sepse këtu vizitorët vijnë për detin dhe plazhin”, thotë Tatyana Toporishcheva, pronare e hotelit familjar “Status”.
Sipas degës rajonale të Unionit Rus të Industrisë së Turizmit për Krimenë dhe Sevastopolin, sezoni aktual veror është katastrofik për industrinë e turizmit.
“Sezoni i vitit 2023 është sezoni më i keq për Krimenë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Fluksi i turistëve në krahasim me sezonin para fillimit të operacionit special ushtarak, pra me sezonin e vitit 2021, ndoshta do të jetë katër herë më i ulët. Krahasuar me vitin e kaluar, mendoj se rënia mund të jetë deri në 50%”, thotë kreu i degës së Unionit, Boris Zelinskiy.
Shumë turistë kanë frikë të vijnë, për shkak të sulmeve të shpeshta në gadishull. Ura e Krimesë, që lidh gadishullin me Rusinë, u dëmtua rëndë në tetor dhe sulmi më i fundit të hënën, më 17 korrik, dëmtoi një pjesë të urës dhe detyroi mbylljen e përkohshme të sajpër herë të dytë në më pak se një vit. Dy persona u vranë.
Andrey, një turist në plazhin e Krimesë, thotë se kishte hasur “vështirësi” gjatë vizitës në gadishull.
“Pritëm një ditë për tragetin. Radhët janë ende të gjata për shkak të vështirësisë për të kaluar urën e Krimesë, për faktin se ajo është e mbyllur dhe sepse rrugët e tjera kanë bllokime trafiku çdo ditë”, thotë ai.
Qeveria ruse kohët e fundit njoftoi mbështetje financiare për sipërmarrësit e Krimesë që po përpiqen të mbajnë në këmbë bizneset e tyre turistike dhe po zhyten në borxhe.
“Për të ruajtur potencialin turistik të Krimesë dhe Sevastopolit, qeveria do të akordojë më shumë se 2.5 miliardë rubla. Këto fonde jepen si pagesë për punonjësit e më shumë se 3.5 mijë kompanive,” tha kryeministri rus Mikhail Mishustin në një mbledhje qeverie më 6 korrik.
Mbështetja e drejtpërdrejtë financiare është masa më popullore për banorët e zonës, thotë zëvendësguvernatorja e Sevastopolit, Maria Litovko.
“Kushti kryesor – ruajtja e punësimit – nuk është gjithmonë i përshtatshëm për të gjithë sipërmarrësit, por në pjesën më të madhe, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për paga minimale, domethënë rreth 65,000 rubla për punonjës, ata përdorin një ndihmë të tillë dhe si rezultat ruajnë punësimin”, thotë zonja Litovko.
Por masat nuk janë të mjaftueshme në rajone të privuara plotësisht nga biznesi turistik, siç është fshati Popovka. Sipërmarrësit vendas po luftojnë për të mbijetuar pasi stina e verës është burimi i tyre i vetëm i të ardhurave, duke u siguruar atyre jetesën për pjesën tjetër të vitit dhe duke u dhënë mundësi të paguajnë borxhet.
“Kemi borxhe për të larë, pagesa që duhet të bëjmë çdo muaj. Por nuk kemi asnjë mundësi për të fituar para”, thotë Margarita Skorova, pronare e hotelit të vogël “Morkofka”.
Perspektiva duket e zymtë për një rajon, ekonomia e të cilit varet kryesisht nga sektori i turizmit./VOA
Burimi: GAZETA.MK