Presidenti serb Dobrica Çosiç ka lenë një frazë lapidare:”Rrena është virtuti më i madh moral i serbëve”. Që ai nuk e kishte vetem për popullin, por edhe për elitën politike serbe, e vërteton më së miri presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili rrenën jo vetëm e ka bërë politikë shteterore, por po rren në nivelet më të larta diplomatike. Kulmi arriti në 10 qershor, kur pas deklaratës të kancelarit gjerman Olaf Sholc në konferencën e përbashkët të shtypit në Beograd se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën, presidenti i Vuçiç lëshoi rrenën e madhe: “Ne nuk e kemi dëgjuar kurrë prej ndonjerit në BE që ata të kërkojnë njohjen reciproke, askush nuk na ka folur asnjëherë për njohjen reciproke, me përjashtim të amerikanëve”.
Është vështirë të gjesh se kë mendonte të rrente presidenti serb me këtë rast, sepse është e paimagjinueshme që presidenti i një shteti të rrejë në mënyrë kaq vulgare dhe në prani të kancelarit të shtetit më të fuqishëm europian. Presidentit serb nuk iu skuq faqja me këtë rrenë, megjithë që e din se kancelari gjerman Sholc para se të vijë në Beograd ka lexuar dosjen e vizitës së paraardhëses së tij Angela Merkel në Beograd në 13 shtator 2021. Pra para dhjetë muajsh kancelarja Merkel i deklaroi presidentit serb Vuçiç se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht që ajo të bëhet anëtare e BE. Në 14 shkurt 2018 ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ishte për vizitë në Beograd dhe në bisedime i deklaroi presidentit Vuçiç kushtin që Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës me qëllim që t’i bashkohet BE-së.
Serbisë i është shpallur ky kusht nga BE qysh në vitin 2014, kur u hap konferenca ndërqeveritare me BE pas marrjes së statusit të shtetit kandidat, dhe Vuçiç ishte kryeministër i Serbisë. Presidenti serb Nikoliç në 5 dhjetor 2014 shprehu mospëlqimin e qeverisë serbe për kushtin e vënë që Serbia të njohë Kosovën para se të anëtarësohet në BE. Në 31 janar 2020 përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtëme Josep Borrell në bisedimet me presidentin serb Vuçiç i deklaroi atij: ”BE e ka bërë të qartë që kyçi për anëtarësimin e Serbisë në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën nëpërmjet një marrëveshje mirkuptuese legalisht të detyrueshme”. Përveç kësaj Borrell i theksoi: ”BE e njeh Kosovën dhe unë përfaqësoj BE-në”.
Kronika diplomatike dëshmon se sa e padenjë është rrena presidenciale serbe se gjoja e dëgjoi për herë të parë në 10 qershor kushtin e kancelarit gjerman. Kjo e detyroi kancelarin gjerman që me elegancën e njohur diplomatike të hidhte poshtë po atë mbrëmje në 10 qershor në Beograd rrenën e presidentit serb: “Pikëpamja jonë për Kosovën nuk është e re. Ka qenë e njohur për një kohë të gjatë”.
Atëhere duhet të ketë disa arsye për këtë tronditje psiqike të presidentit të Serbisë, që rren në konferencë shtypi para kancelarit gjerman dhe para mediave se ai e dëgjon për herë të parë kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin e Serbisë në BE. Tronditja psiqike, që prodhoi rrenën vulgare të presidentit serb, lidhet me gjendjen pa rrugëdalje, ku ndodhet tani Vuçiçi prej kërkesës kategorike të kancelarit gjerman që Serbia duhet të njohë Kosovën nëse don të hyjë në BE.
Kancelari gjerman i bëri të qartë prerazi Vuçiçit se Serbia nuk ka rrugëdalje dredhuese, por duhet të plotësojë dy kërkesa të detyrueshme: të njohë Kosovën dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Situata e re e acaruar ndërkombëtare me agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe aleancën flagrante të Serbisë me Rusinë, kanë detyruar kancelarin gjerman që t’i tregojë kufijtë e presidentit serb, që të mos vazhdojë taktikat bizantine të shtirjes si proeuropian dhe të fjetes me Kremlinin. Ndaj kancelari Sholc i vuri presidentit serb dy provat e mëdha kategorike: Serbia duhet të njohë Kosovën dhe të vendosë sanksionet ndaj Rusisë.
Qendrimi i kancelarit gjerma është i rëndësishëm, sepse i mbylli dyert spekullimit të Serbisë, e cila po përpiqet gjatë këtyre katër muajve të agresionit rus në Ukrainë që të mashtrojë diplomacinë e BE dhe në shkëmbim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë të marrë nga BE lëshime për Kosovën dhe sidomos të heqë kushtin e njohjes së Kosovës për anëtarësimin në BE. Kancelari gjerman i preu rrugën këtij spekullimi dhe bëri të qartë se njohja e Kosovës është kusht i anëtarësimit të Serbisë në BE dhe nuk lidhet me sanksionet.
Kërkesa kategorike e kancelarit gjerman në Beograd për njohjen e Kosovës si kusht i hyrjes në BE përbën një rrethanë të re pozitive dhe një ndihmë të madhe në planin diplomatik për Kosovën. Kjo tregon se Gjermania është e vendosur që ta detyrojë Serbinë të plotësojë kushtin e njohjes së Kosovës, nëse don të hyjë në BE. Kjo i jep fund demagogjisë dhe lojrave meskine të Beogradit për të ashtuquajturin orientim të integrimit europian. Nëse Serbia dhe presidenti i saj nuk zbatojnë kërkesën e kancelarit gjerman, kjo don të thotë se ata nuk janë realisht të interesuar për anëtarësimin në BE. Kërkesat e kancelarit gjerman në Beograd në 10 qershor janë një ndihmë e madhe për orientimin e drejtë dhe qendrimin efikas të qeverisë së Kosovës lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Pas SHBA dhe presidentit të saj Bajden, edhe kancelari i ri gjerman dhe Gjermania i drejtuan Serbisë kërkesën kategorike për njohjen e Kosovës, që don të thotë se qeveria në Prishtinë duhet të ndjekë autostradën diplomatike të përcaktuar nga SHBA dhe nga Gjermania dhe të mos dëgjojë këshilltarët jugosllavë në Bruksel apo në Prishtinë, që duan ta ngatarrojnë në rrugicat qorre diplomatike proserbe.
Kërkesat e vendosura të kancelarit gjerman në Beograd për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia si kusht i anëtarësimit në BE shkaktuan alarm të madh në Moskë. Sepse Rusia është e interesuar nga pikëpamja strategjike që konflikti i hapur midis Serbisë dhe Kosovës të mos zgjidhet dhe Serbia të mos e njohë Kosovën, me qëllim që edhe konflikti të rrijë ngrirë, edhe Serbia të mos hyjë në BE. Zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 10 qershor sulmoi kancelarin gjerman për deklaratat e tij në Beograd: ”Kancelari i RFGJ deklaroi se Serbia pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk hyn në BE. Beogradi për asgjë nuk i detyrohet Brukselit, përkundrazi Perëndimi u ka serbëve një borxh të papaguar”.
Zëdhënësja zyrtare e diplomacisë ruse i bën thirrje direkte Beogradit që të mos zbatojë kërkesën dhe kushtin e BE dhe të mos hyjë në BE. Rrjeti mediatik i kontrolluar nga Kremlini në mënyrë masive sulmuan kancelarin gjerman për kushtin e njohjes së Kosovës. Gazeta ruse “Vzgljad” shkruante në 14 qershor se “kancelari i RFGJ Sholc i shpalli publikisht ultimatum Serbisë: Ose njihni pavarësinë e Kosovës, ose harroni endrrat për të hyrë në BE”. Agjencia proqeveritare ruse “Regnum” shkruante në 11 qershor se “Ultimatumi gjerman i rradhës për Serbinë është se nuk ka integrim europian pa njohjen e Kosovës dhe se Serbia duhet të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë”.
Alarmi i diplomacisë dhe i shtetit rus vjen nga fakti se kancelari gjerman vendosi tani kufij të qartë për sjelljen dhe politikën e Serbisë, kufij që do të qartësojnë përfundimisht nëse Serbia është për integrimin europian apo për integrimin me Rusinë. Moska u alarmua, sepse detyrimi i Serbisë për të njohur Kosovën i jep fund interesave gjeopolitike ruse në Ballkan. Ekspertja ruse per çeshtjet e Ballkanit, profesoresha e Akademisë Ruse të Shkencave, Ana Filimonova, e përcaktonte hapur në 11 qershor në “regnum.ru” se “njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia don të thotë largim i Rusisë nga Ballkani”.
Ka një element shumë të rëndësishëm, që duhet theksuar lidhur me kërkesën e kancelarit gjerman në 10 qershor në Beograd. Formula gjermane Sholc bashkohet plotësisht me formulën amerikane Bajden. Si kancelari gjerman në 10 qershor 2022, ashu dhe presidenti amerikan Bajden në 7 shkurt 2021, kanë përcaktuar formulën e artë të zgjidhjes së dialogut Serbi-Kosovë me njohjen reciproke midis tyre. Eksperti zyrtar rus për Ballkanin, Oleg Bondarenko, shqetësohej në 10 qershor se “Gjermania pranoi si bazë doktrinën antiserbe të SHBA”.
Kërkesa e vendosur e kancelarit gjerman në Beograd është një mësim shumë i madh diplomatik për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor se si duhet t’i ndërtojnë ata marrëdhëniet me Serbinë. Por ajo është një leksion shumë i rëndësishëm sidomos për Shqipërinë. Sepse del pyetja e madhe tronditëse: Kur Gjermania nuk pranon hyrjen e Serbisë në BE pa njohur Kosovën, si mundet Shqipëria pranon të hyjë në grupimin serb “Ballkan i hapur” pa njohur Serbia Kosovën?. Kjo pyetje është kriteri bazë dhe lakmusi profesional për të kuptuar dhe përcaktuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Ballkanin e hapur” serb.
Shqipëria duhet të mësojë nga Gjermania dhe nga kancelari gjerman për të mbrojtur interesat e saj politike, diplomatike, gjeopolitike dhe kombëtare. Sepse kur presidenti serb arrin të guxojë të rrejë në mënyrë vulgare në prani të kancelarit të shtetit më të fuqishëm europian, a e mendoni se sa me lehtësi ai u servir rrena suvarijve të vegjël të Ballkanit Perëndimor, që i kanë hypur karrocës serbe të “Ballkanit të hapur”.
Objektivi afatgjatë i Serbisë për vendet pjesëmarrëse të nismës së Vuçiçit është distancimi i tyre nga integrimi europian dhe nga aleancat me Perëndimin. Është në kufijtë e skandalit fakti se si nuk kullohet qeveria e Shqipërisë që të kuptojë piketat strategjike antiperëndimore, që i përcaktoi “Ballkanit të hapur” presidenti serb në fjalën e tij në Ohër në 8 qershor, në prani edhe të kryeministrit të Shqipërisë. Ja fjala e presidentit Vuçiç në ligjëratë të drejtë, e transmetuar nga portali i njohur serb “B92”: “Ballkani duhet t’u përkasë popujve të Ballkanit. Fuqitë e mëdha kurrë nuk duan ta lejojnë këtë. Interesi i popujve të Ballkanit duhet të jetë i joni, jo i fuqive të mëdha”.
Fuqitë e mëdha të pranishme në rajon nëpërmjet anëtarësimit të shteveve ballkanike në BE dhe në NATO janë fuqitë e mëdha perëndimore dhe organizatat e tyre perëndimore. Presidenti serb ridel me thirrjen e vjetër hegjemoniste serbe “ballkani për ballkanasit”, që Serbia si shteti më i madh ta sundojë ajo Ballkanin Perëndimor. Diplomati serb Vladimir Kërshljanin, këshilltar i lartë në Ministrinë e Jashtëme të Serbisë deklaronte në 7 qershor se “aleanca serbo-ruse është garanci edhe kusht për Ballkan të hapur”. Është vështirë të parashikohet se kur diplomacia dhe qeveria e Shqipërisë do të ulen të nxjerrin ndonjë mësim nga mesazhet ballkanike të kancelarit gjerman dhe dhe nga rrugëtimi serbo-rus i “Ballkanit të hapur”.