Pas tri vitesh investim të pandërprerë Polonia inauguroi të shtunën e kaluar, më 17 shtator 2022, kanalin e ri ujor që lidh portin e Detit të Lindjes me atë të Veriut, duke anashkaluar udhëtimin e anijeve polake përmes ujërave detare të Kaliningradit, pjesë kjo e territorit rus. Kryeministri polak, Mateusz Moravieski thoshte me këtë rast se “Ne hodhëm gurin e fundit në ushtrimin e pavarësisë sonë nga Bashkimi Sovjetik, e quajtur më vonë Rusia”! Kjo vepër e konsolidimit të pavarësisë së Polonisë u inaugurua ditën e 83 vjetorit të Paktit Hitler-Stalin për ndarjen e Polonisë, nënshkruar nga dy ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Ribentrop dhe Molotov.
Mësimi që na vjen nga Polonia është i qartë dhe i panegociueshëm: – Pavarësia dhe integriteti i shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës forcohen dhe konsolidohen kur shkëputen urat e varësisë nga shteti që na ka rrezikuar historikisht për ekzistencën tonë fizike si komb dhe si njerëz. Shteti që na ka rrezikuar më së shumti në histori nga pikëpamja e kësaj ekzistence është Serbia. Historia e largët dhe e afërt, madje edhe historia e sotme, është e mbushur me mijëra fakte, prova dhe akte që dëshmojnë atë çfarë Serbia ka bërë kundër shqiptarëve. Vitet 1998-1999 janë akti i fundit i dramës ekzistenciale shqiptare shkaktuar nga politikat fashiste të Beogradit.
Megjithatë ne shqiptarët harruam shumë shpejt. Harruam gjithçka. Ndërsa polakët e përmendin çdo ditë paktin Hitler-Stalin të adresuar kundër Polonisë e Ukrainës, politika shqiptare, sidomos ajo e përfaqësuar nga mazhoranca në Shqipëri, po ndërton ura varësie të reja dhe kanale komunikimi e lidhjeje të tjera poshtërimi me Serbinë. Open Balkan është thjesht njëri prej këtyre projekteve. Ndërsa Polonia ndërton kanale alternative të komunikacionit detar jashtë hartës detare ruse, qeveria shqiptare ka hartuar projekte që të ndërtojë kanale të reja komunikacioni brenda interesave serbe. Madje edhe koncesionin e Portit të Durrësit për Beogradin! Ndërsa politika polake përforcon interesat kombëtare të Polonisë, duke shkëputur çdo lidhje varësie me armikun e saj historik, Rusinë, politika shtetërore shqiptare përforcon dhe shumëfishon përpjekjet e saj për lidhje të ngushta politike, kulturore, ekonomike e strategjike me armikun e shqiptarëve, Serbinë!
Po jo vetëm kaq. Politika shqiptare po e shtyn Kosovën që të nënshkruajë një marrëveshje varësie e inferioriteti me Serbinë, në kuadër të dialogut shqiptaro-serb. Një projekt i paraqitur nga treshja europiane, me të cilin parashikohet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi në letër dhe njëkohësisht kushtëzohet njohja pas dhjetë vitesh, është projekti i varësisë së Kosovës ndaj Beogradit. Teorikisht për dhjetë vite të tjera Serbia “merr leje” juridikisht që të intervenojë në Kosovë, ta destabilizojë atë dhe ta kushtëzojë shtetin e Kosovës në zhvillimet e brendshme e të jashtme të saj. Sepse gjatë gjithë kohës do ta kërcënojë me mos-njohjen e saj. Shqipëria pa dyshim që e mbështet një projekt si ky, të dëshirueshëm për serbët, të cilët do të provojnë edhe më tej të realizojnë ndarjen e Kosovës. Ky dhjetëvjeçar me relacionet vëllazërore Tiranë-Beograd do të shndërrohet në një periudhë të një sulmi aktiv e frontal të Serbisë kundër shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.
Polonia është mësim për ne shqiptarët edhe në pikëpamje të rendit psikologjik. Është inferioriteti ynë përballë armiqve të kombit, ajo që na bën të pranojmë zgjidhje të dëmshme për vendin. Kur polakëve u del një derr përpara, ata e eliminojnë për të hapur rrugën e për të mbërritur në destinacionin për ku janë nisur. Ndërsa ne shqiptarët kur na del një derr në rrugë, presim me orë e ditë që ai ta lirojë rrugën dhe më pas të vijojmë për në destinacion. Por, destinacioni nuk arrihet duke pritur që armiku yt të tërhiqet e të ta lirojë rrugën. Duhet eliminuar pengesa, që të vijosh rrugëtimin drejt progresit. Ndërsa polakët i eliminojnë pengesat që bllokojnë zhvillimin, ne shqiptarët i thërrasim, madje i shijojmë këto pengesa, me iluzionin se “e drejta është me ne”!
Kjo lloj psikologjie është karakteristikë e popujve të paformuar si komb. Kombet formohen përmes sakrificave për të drejtën që u takon. Kombet e lira nuk bëjnë hesap që t’ia shtrojnë rrugën të tjerët. Ata bëhen vetë autorë dhe aktorë të rrugëtimit progresiv të tyre! Ndërsa ne kemi psikologjinë e qenit. Presim që të na hedhin kafshatën të zotët, që na lidhin për qafe dhe na ofrojnë herë kërbaç e herë kulaç! Pikërisht për këtë arsye zvarritemi pas ëndrrave dhe nuk shohim realitetet!
Kjo situatë absurde duhet të kapërcehet. Por kjo ndodh vetëm pas larjes së trurit tonë! Mësimi polak është aty. Mësime të tjera do të kishim nxjerrë nga përvoja e kombeve vitale. Por nuk kemi dashur ta bëjmë këtë. Kemi zgjedhur të udhëtojmë në rrugë të lira, që na i hapin të tjerët. Kurrë nuk u treguam të zgjuar e të kujdesshëm që të ndërtojmë shtetin e pavarur tonin, së paku në raport me armiqtë tanë! U joshëm nga pushteti, paraja e pasuria, në vend që të ndërtonim shtetin dhe bashkonim kombin! Jo njëherë kemi ndërtuar ura e kanale lidhjeje me Serbinë dhe aktorë të tjerë anti-shqiptarë, në vend që të ndërtonim të kundërtën e kësaj, ura e kanale të lidhjes së kombit shqiptar me shtete mike në rajon, si p.sh Kroacia e vende të tjera, kushdo të ishte përveç Serbisë!