Një lamtumirë për kryediplomaten dhe miken e madhe të Kosovës sekretaren Albright

March 24, 2022
min lexim

Historikisht ka shumë diplomatë të shquar që kanë bërë punë të mëdha për paqe, siguri ndërkombëtare, për bashkëpunimin dhe pengimin e konflikteve të ndryshme. Një nga kryesoret padyshim është ish kryediplomatja e ndjerë amerikane, znj. Madeleine Allbright që ka lënë gjurmë të thella pozitive në diplomacinë amerikane, atë botërore dhe në Kosovë e Ballkan veçanërisht.

Zonja Albright ishte sekretarja e parë femër e shtetit në historinë amerikane. Sekretaren Albright e kishin quajtur kampione të demokracisë dhe së bashku me Presidentin Klinton, ajo kishte rolin kryesor në ndaljen e luftës dhe spastrimit etnik në Kosovë në vitin 1999.

Me rastin e vdekjes së zonjë së hekurt dhe kryediplomates unike, zonjës Albright, shumë liderë e nderuan dhe vlerësuan lart atë, diplomacinë dhe kontributin e saj për paqe në botë.

Ish presidenti amerikan Bill Klinton dhe ish sekretarja e jashtme Hillary Klinton e nderuan dhe përkujtuan zonjën Albright me këto fjalë: ”pak liderë kanë qenë të duhur për kohën që shërbyen sikurse ajo, sepse ajo dinte që vendimet politike të Amerikës kishin fuqi të ndryshonin jetët e njerëzve në mbarë botën”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. J. Stoltenberg theksoi se Albright ”ishte forcë për liri dhe kampione e deklaruar për NATO-n”. Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss theksoi se bota tani ”duhet të mbroj vlerat e zonjës Albright, më shumë se kurrë më parë”.

Në vazhdim do të ndaj shkurtimisht pjesë nga jeta e hershme e saj dhe disa deklarata për Kosovën në librin e saj të fundit fundit: Hell and other destinations: (2020, Historiska media, përkthyer në suedisht),”Ferri dhe destinacionet e tjera” në shqip.

Historia e hershme e znj. Albright dhe familjes së saj

Sekretarja Albright kishte lindur në Pragë (e pagëzuar si Marie Jana) pak para Luftës së Dytë Botërore dhe së bashku me prindërit kishin ikur nga Çekosollovakia e atëhershme pas invadimit nazist për në Londër. Më 1945 kur u çlirua ish Çekosllovakia ishte kthyer atje me prindërit dhe pastaj kishin jetuar edhe në Beograd sepse babai i saj kishte qenë ambasador atje. Por, më 1948 komunistët e kishin marrë pushtetin në ish Çekosllovaki dhe ajo bashkë me familje kishin ikur në SHBA. Pak ditë para se të bëhej ministre e jashtme, kishte kuptuar se kishte prejardhje hebrenje dhe rreth 30 anëtarë të familjes së saj nga Çekosllovakia ishin vrarë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore (mes tyre gjyshja nga babai si dhe gjyshërit nga nëna. Prindërit e kishin ditur por nuk i kishin treguar. Znj. Albright e kishte mësuar lajmin nga gazeta Washington Post që kishte shkruar për këtë gjë ato ditë.

”Kosova qëndron afër zemrës sime”

Si drejtore e NDI (pas detyrës si ministre e jashtme) Sekretarja Albright ishte angazhuar për zhvillimin e demokracisë në botë dhe kundër regjimeve totalitare. Në këtë kontekst ajo edhe ka vizituar Kosovën disa herë. ”Kosova si një vend mes maleve të Ballkanit qëndron afër zemrës sime pasi që detyra ime si ish ministre e jashtme ka qenë të mbroj popullin shqiptar nga shtypja e dhunshme nga qeveria e Serbisë. Dhe pasi që udhëheqësit në Beograd kishin refuzuar të gjitha iniciativat për zgjedhje paqësore, NATO ndërhyri ushtarakisht dhe ua siguroi pavarësinë kosovarëve”, do të shkruante ish sekretarja Albright.

”Në shumë aspekte, Kosova ka arritur progres dhe hapat e tyre kanë qenë të jashtëzakonshëm. Republika e Kosovës ka sistem shumëpartiak dhe një kushtetutë që garanton të drejtën e shprehjes, religjionit, të organizimit dhe tubimeve etj. Zgjedhje të rregullta mbahen, femrat dhe minoritetet zgjedhen në parlament, shoqëria civile ka prosperuar dhe ekonomia po rritet. NDI ka bashkëpunuar gjatë me kosovarët si psh. në organizimin e takimeve të deputetëve të parlamentit me votuesit e tyre, mbajtjen e debateve publike etj. Kosovarët kanë bërë përvojë dhe shprehen lirshëm çka mendojnë do të shprehej Znj. Albright dhe kjo është arritje e madhe për një vend që ka qenë nën okupim nga romakët, bizantinët, osmanët, serbët dhe jugosllavët”.

Ndërsa në librin tjetër: Fascism: A Warning (2018, Fashizmi një paralajmërim për botën), ish kryediplomatja amerikane Albright shkruante për Kosovën dhe përveç tjerash edhe për liderin e Rusisë dhe ja si e përshkruante atë.

Situata në Kosovë dhe Ballkan në vitet 1990-ta

Më 16 janar 1999 u zgjova nga zhurma e lajmeve në radio shkruante Albright në faqen 113. Një zë tha ”ka shumë njerëz të vrarë atje”. Në masakrën e Reçakut u vranë 45 civilë, më i riu ishte 12 vjecar, më i vjetri 90 vjecar. Reçaku gjindet në Kosovë shkruante Albright”. ”Sllobodan Milloshevic nuk përputhej me stereotipin e një fashisti keqbërës. Ai nuk ishte bombastik si Musolini dhe as nuk bërtiste si Hitleri. Fytyra e tij ishte e kuqe e trashë dhe e rrafshët. Ai të lente përshtypje në bisedime sikur të ishte i pafajshëm. Shumë veta besonin se ai ndikohej nga gruaja e tij Markoviq, një profesore e marksizmit që kishte qëndrim këmbëngulës” (f. 115). Millosheviçi bënte kontroll despotik të medies, i shtypte kundërshtarët politik dhe kishte krijuar trupa paramilitare për të frikësuar kundërshtarët e tij. ”Kur masakronte civilët në Sarajevë , ai thoshte se serbët janë viktimë kryesore e këtij konflikti. Ai kishte zakon të tregonte historira për serbët kurse une i pata thënë se e di historinë e tyre se më kishte treguar babai im që kishte qenë ambassador në Beograd” (f.115). Lidhur me Kosovën, Albright i kishte thënë diktatorit serb që një marrëveshje ishte afër sepse UÇK kishte premtuar të ndalte luftimet me kusht që një forcë ndërkombëtare të vinte në Kosovë për të mbikqyrur situatën dhe penguar masakra tjera shtesë nga forcat serbe në civilët shqiptarë. Është një marrëveshje që do të duhej ta pranonit dhe të fokusoheni në zhvillimin ekonomik (f. 115). Diktatori serb kishte thënë se ai ”angazhohej për paqe dhe se i pëlqente pluralizmi por nuk mund të nënshkruante një marrëveshje që do tu jepte shqiptarëve muslimanë kontrollin e Kosoves”. Albright i kishte thënë se shqiptarët muslimanë përbënin 90% të popullsisë dhe plani ishte të siguronim të drejtat e serbëve atje. (f. 116). Pastaj Millosheviç pa paralajmërim kishte dërguar forcat e tij të sigurisë në Kosovë për të djegur shtëpi, për të arrestuar liderët politik dhe gazetarë dhe për të përhapur panik e terror. Dihet pastaj se NATO filloi bombardimet në mars 1999 kundër forcave serbe si përgjigje kundër krimeve të tyre dhe ato detyruan serbët të tërhiqen pas rreth 2 muaj e gjysmë. Refugjatët shqiptarë u kthyen në shtëpitë e veta e pastaj Kosova me ndihmën ndërkombëtare formoi një Qeveri të veten bashkë me ndërkombëtarët.

Ja si e përshkruante ish sekretarja Albright njeriun nga ish KGB apo Putinin

Putin i nënçmon dhe përbuz vlerat perëndimore dhe njëkohsisht deklaron se ai identifikohet me vlerat perëndimore. ”Putin gënjen pa lëvizur qerpikët dhe kur ta akuzojnë për agresivitet, ai fajëson viktimat. Ai duket se ka bindur shumë veta se është strateg dhe me vullnet të fortë, duke përfshirë edhe Presidentin amerikan (është fjala për ish Presidentin Trump).” (f. 165). Veprimet e Putinit sikurse ato të Musolinit para 90 vitesh ndjeken nga liderë të tjerë autokratë në pjesë të tjera të botës që e marrin si shembull. Sekretarja Albright e përshkruan Putinin pas takimit të parë kështu :” Ai është i vogël dhe i zbehtë dhe aq i ftohtë sa që duket si një lloj zvarraniku” (f.169) . ”Putin nuk është fashist me plot pupla sepse nuk ka pasur nevojë të jetë i tillë. Në vend të asaj ai në cilësi të liderit ka shfletuar ekzemplarin e Stalinit të doracakut totalitar dhe ka nënvizuar pjesë interesante për t`i përdorur si referencë kur t`i duhen ” (f. 172). Pushteti në “shtetin e tij vertikal” si psh. udhëheqja e kompanisë së naftës dhe gazit është përqëndruar tek ish kolegët e tij të sigurimit. Një rrjet i kompanive dhe bankave në pronësi të shtetit, shumë prej tyre të dyshimtë me lidhje të jashtme, furnizon miqtë e privilegjuar me projekte dhe favore ekonomike.

Cilat janë motivet e Rusisë për të sulmuar vendet tjera dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA? Ata dëshirojnë të sulmojnë demokracitë dhe t`i paraqesin si të këqija, të ndajnë Evropën, të dobësojnë lidhjet transatlantike dhe të dënojnë qeveritë që guxojnë ta kundërshtojnë Moskën do të përfundonte ish sekretarja Albrigt.

Me vdekjen e zonjës Albright, Kosova e humbi një mike të madhe sikurse edhe bota një kryediplomate të shkëlqyer. Kosova dhe shqiptarët do t´i jenë mirënjohëse përgjithmonë një diplomateje të tillë unike që ndihmoi Kosovën të fitoj lirinë nga agresorët serbë, në momentet më kritike në historinë e saj.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë).

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Thaçi: Kongresi i ASH, funeral i turpit i Ziadinit – PDSH-ja do të ringritet 

Story i radhës

Ushtrisë së varfëruar të Putinit po i mbaron koha

Të fundit nga

ShkoLartë