Kreu i agjencisë së energjisë atomike të OKB-së tha se ekipi që është nisur drejt Ukrainës do të inspektojë centralin bërthamor në Zaporizhzhia, i cili ndodhet në zonën ku po zhvillohen luftime mes forcave ruse dhe atyre ukrainase.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, shkroi në Twitter se ai po udhëheq ekipin që do të arrijë në termocentralin bërthamor të Ukrainës “më vonë këtë javë”.
“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, tha zoti Grossi.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se misioni i ekipit të saj në Ukrainë do të përqëndrohet në vlerësimin e dëmeve në objektet e centralit bërthamor, funksionimin e sistemeve të sigurisë, kushtet e punës për personelin dhe kryerjen e “aktiviteteve urgjente mbrojtëse”.
Rusia e ka kontrolluar territorin ku ndodhet centrali bërthamor që në fillim të sulmit të saj gjashtëmujor ndaj Ukrainës, por janë inxhinierët ukrainas ata që e mbajnë në punë centralin.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u tha gazetarëve të hënën në Stokholm se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i bashkuar në thirrjet për tërheqjen e Rusisë nga centrali bërthamor, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë në zonën ku ndodhet ai.
“Ne presim nga misioni një deklaratë të qartë të fakteve mbi shkeljet e protokolleve të sigurisë bërthamore. Ne e dimë se Rusia po rrezikon jo vetëm Ukrainën, por edhe gjithë botën, duke rritur rrezikun e një aksidenti bërthamor”, tha zoti Kuleba.
Disa orë më vonë, Kremlini i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për të ulur tensionet në centralin bërthamor, duke thënë se është Ukraina ajo që po e vë Evropën në rrezik me bombardimet e saj.
Pavarësisht sulmeve të shumta në zonën pranë centralit bërthamor, për të cilat Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën, zoti Grossi tha se Ukraina i ka thënë OKB-së se “të gjitha sistemet e sigurisë vazhdojnë të jenë funksionale dhe nuk ka patur rritje të niveleve të rrezatimit”.
Rusia nisi sulme të reja me raketa dhe artileri pranë objektit herët të dielën, që sipas zyrtarëve ukrainas, shkaktuan dëme të konsiderueshme.
Valentyn Reznichenko, guvernatori ukrainas i rajonit të Dnipropetrovskit, tha se bombardimet e ashpra gjatë natës lanë pa energji elektrike pjesë të Nikopolit, rreth 10 kilometra larg zonës ku ndodhet centrali bërthamor. Sulmet me raketa kanë dëmtuar dhjetëra shtëpi në qytetin tjetër aty pranë, Marhanets.
Edhe qyteti i Zaporizhzhias, që ndodhet rreth 40 kilometra nga centrali bërthamor, u sulmua. Sipas anëtarit të këshillit të këtij qyteti, Anatoliy Kurtev, dy persona u plagosën nga bombardimet.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, pretendoi të dielën se predhat e lëshuara nga forcat ukrainase ranë pranë ndërtesave ku magazinohet karburanti i reaktorit dhe mbetjet radioaktive.
Departamenti Amerikan i Shtetit akuzoi Rusinë për bllokim të një dokumenti konsensusi mbi një traktat të mospërhapjes së materialeve bërthamore, sepse marrëveshja vuri në dukje rrezikun e paraqitur nga luftimet pranë centralit bërthamor të Zaporizhzhias.
“Mospranimi nga Federata Ruse i një dokumenti të tillë me konsensus të gjërë ndërkombëtar, nënvizon nevojën që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët të vazhdojnë t’i kërkojnë Rusisë të përfundojë aktivitetin e saj ushtarak pranë centralit bërthamor të Zaporizhias dhe ta kthejë kontrollin e centralit bërthamor në duart e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Moska tha se mbështet punën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, por ka refuzuar të tërheqë ushtarët e saj nga kompleksi bërthamor për të krijuar një zonë të çmilitarizuar.
Një inxhinier që punon nën autoritetin forcave pushtuese ruse që nga 4 marsi në centralin bërthamor të Zaporizhzhias tha për Zërin e Amerikës se forcat ruse kanë vendosur pajisje artilerie dhe raketash brenda dhe përreth pronës. Inxhinieri, identiteti i të cilit nuk do të bëhet i ditur nga frika e hakmarrjes nga autoritetet pushtuese, mbështet pretendimet e qeverisë ukrainase se vetë Rusia është përgjegjëse për shpërthimet.
Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Robert Mardini, mbërriti të hënën në Ukrainë për t’u takuar me zyrtarë vendas për të vlerësuar përpjekjet humanitare dhe për t’u takuar me anëtarët e familjeve të të burgosurve të luftës.
“Mbi të gjitha, unë dua të takohem me njerëz të prekur nga konflikti për të dëgjuar historitë e tyre dhe për të kuptuar se si mund t’i mbështesim më së miri ata”, shkroi zoti Mardini në Twitter.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA