Figurat më eminente të sportit botërorë kanë zbarkuar në Kosovë me ftesë të Komitetit Olimpik (KOK) të Kosovës për të festuar së bashku 10-vjetorin e anëtarësimit të kësaj të fundit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach, ai i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Davide Tizzano, si dhe presidentë të shumë federatave sportive ndërkombëtare, dhe personalitete tjera nga sporti botëror janë pjesë e kësaj gala mbrëmje ku po festohet ky përvjetor dhe shumë suksese të Kosovës në sport në arenën ndërkombëtare.
Anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar e cilësoi si “ngjarje historike” për Kosovën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai tha se Kosova edhe pse vend i vogël, i tregoi botës se me punë, besim e përkushtim mund të arrihet diçka më shumë se sa mund të imagjinohet dhe se kjo do të dëshmohet edhe në vitet e ardhshme.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se ky 10 vjetor e gjen Kosovën me shumë suksese të jashtëzakonshme të arritura në sport.
Ajo shtoi se sportistët e Kosovës po bëjnë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nëpër botë dhe se ata janë shtylla kryesore dhe ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe imazhit të saj në arenën ndërkombëtare.
Kurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo dekadë shënoi histori jo vetëm për Kosovën por edhe për sportin ndërkombëtar sepse Kosova fitoi medalje në debutimin e saj në Lojërat Olimpike me kampionen Majlinda Kelmendi.
Kurti tha se këtë rrugëtim të suksesshëm Kosova do ta vazhdojë edhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 duke ofruar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta mbështetur fuqishëm organizimin e këtyre lojërave.
Burimi: botasot.info