PASOJAT JURIDIKE-POLITIKE TË THEMELIMIT TË ASOCIACIONIT DHE FUNKSIONALIZIMIT EVENTUAL TË TIJ PËR SHTETËSINË DHE ARDHMËRINË E REPUBLIKËS DHE TË SHTETIT TË KOSOVËS.
1. Pak fjalë në sfond
Para gabimit trashanik dhe të pafalshëm të elitave të papërgjegjshme Qeverisë së Kosovës, siç ka qenë formimi i të ashtuquajturës gjykatë të dhomave të specializuara, po edhe më shkurt thënë gjykatës speciale në Hagë, gabimi më i madh dhe po ashtu i pafalshëm i po atyre elitave politike – qeverisëse të Kosovës, padyshim që ishte dhe mbetet për aktualitetin dhe historinë e Kosovës, pranimi i nënshkrimit të Marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me popullsi shumicë serbe në Kosovë.
Opinioni publik – në pjesën lunore a dërmuese të tij, që nga aktet e nënshkrimeve dhe në vazhdimësi – deri në momentin e pikërishëm, me forcë e ka kundërshtuar dhe po e kundërshton edhe tani – vendosmërisht themelimin dhe zbatimin e një asociacioni të tillë në Kosovë.
Sipas disa sondazheve që janë bërë në ndërkohë, edhe pjesëtarët e komunitetit pakicë serb – banor të veriut të Kosovës, nuk janë deklaruar me shumicë, për formimin e asociacionit si prioritet të tyre. Në të vërtetë, vetëm 13% të këtyre banorëve janë deklaruar se Kosova, duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë; 38% e tyre – gjatë sondazheve, kanë kërkuar më tepër siguri; 27% -kanë kërkuar respektim të ligjit dhe mosdiskriminim, ndërsa 8% e banorëve të intervistuar, kanë kërkuar lidhje me Serbinë.
Sëkëndejmi, në një vend, në të cilin komunitetet pakicë, duke përfshirë edhe komunitetin serb; madje posaçërisht këtë komunitet (i cili edhe në relacion me komunitetin shumicë shqiptar dhe me komunitetet e tjera pakicë, qoftë me kushtetutë, qoftë me ligjet e tjera, është edhe më i privilegjuar dhe më favorizuar se komunitetet e tjera), edhe kushtetuta edhe ligjet tona ua njohin të drejtat dhe liritë themelore individuale dhe kolektive, mbi të gjitha uzuset dhe standardet ndërkombëtare, që janë aktualisht të njohur dhe të proklamuara në Botë, ku qëndron arsyeja e imponimit të marrëveshjeve të tilla të pafavorshme për komunitetet e tjera (pakicë e shumicë); marrëveshje këto tepër dubioze e të rrezikshme për sovranitetin dhe prosperitetin e shtetit tonë dhe madje edhe skajshmërisht të dëmshme për Kosovën?
2. Por, cilat janë pasojat reperkutive në rast të pranimit, themelimit dhe aplikimit në praktikë të të dy marrëveshjeve – të vitit 2013 dhe 2015 të Brukselit për asociacionin, – të lidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pasojat janë edhe të shumta edhe të pariparueshme për shtetin dhe popullin e Kosovës, pa dallim. Pikërisht pasojat e mundshme njëherit janë edhe arsyet kryesore, për shkak të të cilave institucionet kompetente të shtetit dhe Republikës, nuk do të duhej kurrsesi ta pranonin themelimin dhe as funksionalizimin e asociacionit të komunave më popullsi shumicë serbe.
Ja në vazhdim vetëm disa nga pasojat specifikisht më reperkutive për Kosovën:
#. Asociacioni i komunave me popullsi shumicë serbe, i tillë çfarë është strukturuar dhe mbarështruar nga palët, edhe pas aktgjykimit dhe me aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, po të themelohej, do të mund të ishte një kreatyrë, jo vetëm kuazishtetërore e vetëqeverisëse, por një shtet në shtet ose brenda shtetit, me një substancë vetëqeverisëse antikushtetuese, e cila kreatyrë, do të rrezikonte në esencë dhe në tërësinë e tij, po këtë shtet dhe shoqërinë kosovare në tërësi.
#. Asociacioni si një entitet a strukturë vetëqeverisëse e mëvetësishme me primesa të sigurta shtetërore – në kuptimin e funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë vetëqeverisëse, me mundësinë e zgjerimit të tij edhe me komunat tjera, si dhe me pamundësinë e askujt; pra as të organeve shtetërore qendrore të Kosovës, që ta shpërbëjnë asociacionin e pretenduar – në rastin eventual konkret edhe të tejkalimit të kompetencave, do të shkaktonte asimetri të mëtejme dhe çekulibrim të shtetit (duke anëtarësuar më shumë komuna në atë asociacion, se sa komunat që do të mbeteshin jashtë asociacionit) dhe duke e rrezikuar kështu drejtpërsëdrejti dhe katërçipërisht Republikën ekzistuese të Kosovës, deri në dekompozimin apo zhbërjen eventuale – totale të saj-në favor të një tjetre “Republikë”, e cila do të mund të ishte e barabartë ose edhe më e madhe se kjo e tanishmja – që do të mbetej. Pra, kjo “republika” e dytë eventuale dhe potencialisht e pretenduar, e cila në fakt do të ishte antirepublika apo edhe kontrarepublika serbo-ruse e Republikës sonë të Kosovës, si në aspektin etato-administrativ-territorial, ashtu edhe në atë organizativ-funksional; do të ishte dhe do të tentonte të funksiononte; të paktën si një kundërpeshë ose si një tandem pandami kësaj republikës sonë ekzistuese – në të gjitha dimensionet dhe aspektet e mundshme.
#. Asociacioni, do të ishte një organizëm antikushtetues edhe nga fakti se kundërkushtetutëshmërisht, është ideuar dhe dizajnuar, që të jetë monoetnik, rrjedhimisht favorizues e privilegjues në dobi të minoritetit serb, ndërkaq majorizues e diskriminues ndaj komuniteteve të tjera pakicë, që mund të jetojnë në brenda kufijve të asociacionit eventual.
#.Duke qenë i projektuar në marrëveshjet gjegjëse si monoetnik, asociacioni do ta cenojë kushtetutën tonë, e cila e garanton karakterin multietnik dhe atë qytet -ar të Republikës së Kosovës; por do t’i cenojë po ashtu edhe postulatet kryesore e bazike të EVROPËS, rrjedhimisht edhe të BE-së, të cilat nga Revolucioni borgjez francez e deri më sot mbështeten në: “Deklaratën mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarit” (La declaration des droits de l/home et de citoyen…) e jo posaçërisht dhe ekskluzivisht në të drejtat kolektive të etnive të caktuara. Përse? Sepse kategoria: “HOMO-HOMINEM” NË SHQIP NJERIU (INDIVID) NJERIUT, RESPEKTIVISHT QYTETARIT (CIVITAS-CIVITATIS) apo edhe më shumë se kaq, kategoria njeri dhe njerëzorja, si kategori bazike edhe filozofike edhe ekzistencialiste, në esencën e tyre padyshim që ngërthejnë edhe qenësinë edhe dinamiken edhe dialektikën e grupacionit apo të kolektivitetit të caktuar; qoftë ai kolektivitet grup etnik; popull apo edhe komb.
Pra, për ta thjeshtuar edhe pak, meqë Kushtetuta e jonë, me dispozitat e saj, shtetin e Kosovës e ka përcaktuar si pluralist; si shtet (bashkim) të qytetarëve – pjesëtarë të etnive dhe fe -ve të caktuara, atëherë po kjo kushtetutë duke i mbrojtur me përpikëri dhe konsekuencë të drejtat e qytetarit i ngërthen barabarësisht në po këtë kompozicion edhe të drejtat e komuniteteve etnike.
Ndaj nuk ka nevojë, që përmes një asociacioni fantom e kancerogjen – antikushtetues, po këto të drejta një komuniteti etnik – në baza ekskluzivisht etnike t’i mbrohen shumëfish më mirë; më lart e më cilësisht – ndërsa të tjerave komunitete dhe sidomos pjesëtarëve të tyre – ndonëse si qytetar të barabartë të Republikës, po këto të drejta t’iu diskriminohen deri edhe në mohim të plotë të tyre.
Për askënd te ne, në Evropë dhe askund tjetër, nuk do të ishte mirë as edhe e shëndetshme – nga këndvështrimi i zhvillimit sa më intensiv e më avancues demokratik, që të lejohen e zhvillohen ide, projekte e ideologji ekstreme edhe me primesa të mundshme mbase nacionalsocialiste – shoviniste e fashiste në emër të kinse barazisë dhe as të ndonjë lloj drejtësie imagjinative. Mirëpo, për fatin e keq të njerëzimit, sot e gjithë ditën në Rusi, për shembull, ne jemi dëshmitar të gjallë të ideve, projekteve e për më tepër edhe të veprimeve konkrete invazive – puro fashiste dhe zhbërëse.
Pikërisht nën ndikimin e ideve të tilla ekstreme, ekspansioniste dhe eksterministe fashiste – të ideologëve putinian, të sojit e të sorollopit të Aleksandër Duginit, për fat të keq tonin, ne për çdo ditë po shohim shkatërrimet barbare dhe makabre të neoperandorisë ruse, ndaj një populli fare të pafajshëm të Ukrainës. Kjo që po ndodhë tani në Ukrainë, si duket është fillimi i realizimit të megaloideve skajshmërisht ortodokse pansllaviste, të krijimit të një perandorie, siç do të thoshte Dugin të “Euroazisë”, e cila do të duhej të ishte domosdo nën tutelën rusomadhe. Kjo perandori, gjithnjë sipas Duginit dhe mbase zbatuesit neurotik të tij – Putinit, një ditë diellore për ta, do të duhej të shtrihej nga Dablini në Vlladivostok dhe nga Vlladivostoku në oqeanin Indian; duke përfshirë këtu edhe Japoninë si pjesë e perandorisë, por edhe Evropën edhe Kinën e shkatërruar – sipas tyre dhe të nënshtruar – pikërisht nga po kjo perandori e së keqes. Në veprën e tij të konsideruar si kryesore: “Themelet gjeopolitikës: E ardhmja gjeopolitike e Rusi -së”, të botuar në vitin 1997., Aleksandër Dugin e përshkruan në detaje projekt -in e tij (përndryshe shumë kohë më parë të planifikuar në etapa) e i cili tashmë si duket ka filluar praktikisht të realizohet – në format dhe mënyrat më tragjike të mundshme – në Ukrainë.
Me sjelljet që kishte Serbia më parë dhe që i ka edhe sot, nuk është larg mendsh, që Putini rus, t’ia ketë rezervuar një rrol dhe vend të caktuar – kuptohet destruktiv Serbisë –bredapërbrenda këtij projekti shfarosës –gjenocidal. Me projekte të tilla eventualisht gjenocidale, Serbia nuk do ta ketë vështirë të adaptohet me Rusinë e t’i menaxhojë ato, sepse ka përvojë të mjaftueshme fatkeqe – nga luftërat e saja ballkanike të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
#. Asociacioni, do të mund të cenonte edhe përpjekjet, përndryshe trendore dhe prosperitative, të qytetarëve dhe institucioneve tona, si dhe gjithandej Evropës, për të ndërtuar një shtet më modern, më demokratik dhe pse jo edhe shtet post -modern i cili do të mund të hapëronte pandam dhe në tandem me rendin e ri ndërkombëtar postmodern; shtet ky I cili synimin kryesor e ka që të jetë dukshëm më pluralist; (por jo të jetë shtet etnik dhe as më etnik ashtu si aktualisht pretendohet, pra në avenir shteti synohet të jetë edhe më kompleks; më avancues, por që në asnjë mënyrë, nuk do të duhej të jetë më i paorganizuar; më i pa konsoliduer dhe as më burokratik. Dorën në zemër, ky model apo lloj shteti i pretenduar, nuk do duhej të ishte as më pak nacionalist e sidomos jo të ishte kaotik, siç mund të jenë –aty-këtu – një apo më shumë shtete para -moderne e madje edhe moderne të kohës.
#.Edhe nëse nga ithtarët e instalimit me çdo kusht të këtij lloj biçim asociacioni, do të vazhdohej të insistohej themelimi dhe funksionalizimi i tij, po këta; BE-ja dhe Beogradi zyrtar, do të duhej ta kenë të qartë, se qytetarët e Kosovës, siç nuk e kanë pranuar dhe as lejuar që mbi nëntë vite të themelohej ky lloj surrogati antivetëqeverisës malinjë (le të kujtojmë vetëm mbi 205.000 nënshkrime peticionale të qytetarëve të Kosovës – drejtuar Kuvendit të Kosovës – aso kohe), sepse rrjedhojat e instalimit të tij, do të sillnin në vepër, në të vërtetë instalimin e tiranisë dhe tiranizimin e pakicës; në këtë rast do të mund ta kish -im potencialisht të pranishëm dhe në vepër – funksional dhe efikas fenomenin e tiranisë së një pakice; asaj serbe –në planin gjithëkosovar – ndaj shumicës tjetër demokratike, që përbën komunitetin shqiptar dhe të gjitha komunitetet e tjera etnike në Republikën e Kosovës. Dhe këtë fenomen nuk e lejojnë; në mos as -kusht tjetër, atëherë qytetarët e Republikës së Kosovës – jo se jo.
#. Një asociacion me sufiks-prefiksin: “serb”, do të ishte skajshmërisht dhe katërçipërisht cenues dhe morbid, për shtetin tonë, sepse sufiksi: “serb”-e përfaqëson dhe simbolizon një substrat shtetëror-territorial-vetëqeverisës –me shtrirje territoriale – në biçim të lëkurës së leopardit, pothuajse në tërë Kosovën, mund të ngërthej në vetvete një presedan fatal dhe i paprecedent, që një minoritet etnik –në baza krejtësisht antikushtetuese – etnike-, juridiksht dhe faktikisht të trajtohet dhe konsiderohet si: “popull”, ndërsa shumica dërmuese demokratike në këtë vend, të trajtohet si një “tepricë”:, për të mos thënë “mbetje minoritare” dhe edhe më -tutje të konsiderohet dhe të quhet vetëm multietnike dhe vetëm qytetare e jo etnike. Kjo mund të jetë edhe diskriminuese edhe e patolerueshme edhe e papranueshme.
#. Një asociacion i pretenduar mbi baza etnike e përdhosë e zhbinë dhe zhbën edhe idenë edhe konceptin edhe parimin kushtetues bazik të shtetit me karakter multietnik dhe qytetar dhe jo etnik të Kosovës. Shtet ky në të cilin themelimi dhe aplikimi në jetën praktike të asociacionit, sjell deri te majorizimi politik i shumicës demokratike nga pakica. Pakicë kjo e cila në rrjedhë të përshtatshme kohore (në mungesë të mirëbesimit) i krijon vetës, atyre të cilët e inspirojnë, indoktrinojnë dhe e instrumentalizojnë, si dhe atyre që e pasojnë, hapësirë për devalorizimin, dominimin, diskriminimin dhe defaktorizimin e po kë -saj shumice – deri në minimizimin apo edhe heshtjen – zhbërjen totale të saj.
Asociacioni via fakti, do të pengonte dhe dobësonte pa fund integrimin e mëtejmë (më dinamik dhe më propulziv – se sa gjer më tani) të serbëve lokal në strukturat institucionale – shtetërore kosovare – përkundrazi instalimi dhe fuqizimi i këtij asociacioni, do të mund të forconte fuqimisht – deri në pashkëputshmëri dhe destruksion, lidhjet përndryshe edhe tani shumë të fuqishme dhe të shumëfishta të komunitetit në fjalë – me institucionet dhe mekanizmat e tjerë relevant dhe kompetent të Beogradit; si dhe do të forconte e avanconte edhe më shumë e më fort qeverisjen e konstituuar në baza etnike e rajonale, por edhe të dirigjuar ekskluzivisht dhe tërësisht nga Beogradi zyrtar.
#.Asociacioni si një pistë a platformë morbide metastazike aterimi, instalimi dhe strukturimi të një kreatyre jashtë kushtetuese dhe kundraligjore, që si për nga qëllimi, objektivat ashtu edhe për nga destinimi dhe adresimi, do t’i gjasonte si veja vesë, asociacionit fillestar që më vonë u shndërrua në Republikën e sotme serbe në Bosnje e Hercegovinë, por tani në një gëzhojë fare të re, por më qëllime dhe synime krejtësisht të njëjta -hegjemone dhe ekspansioniste – në territorin e republikës së lirë, demokratike dhe sovrane të Kosovës. Ky tip i asociacionit do të ishte tepër i dëmshëm i rrezikshëm dhe me pasoja të pariparueshme për ardhmërinë dhe perspektiven e Kosovës – si shtet dhe të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të saj.
#.Asociacioni si i tillë do të mund të ishte një lloj kërcënimi a kanosje serioze , për sa i përket integritetit territorial, unitaritetit dhe sovranitetit të shtetit në tërësi, sepse asociacionin e tillë një herë të formuar, bazuar në marrëveshjet për asociacionin, realisht dhe objektivisht, nuk do të mund ta shformësoj apo ta shpërbëj askush, pa pëlqimin e komunave anëtare të asociacionit. Fakt dhe mundësi kjo që ngërthen rezerva dhe mundësi shumë potenciale dhe të pakompenzuara, që anëtarët e po këtij asociacioni, nesër pasnesër njëanshmërisht dhe në mënyrë antikushtetuese, ta shpallin një strukturë tjetër të tipit të një republike serbe – brenda Republikës së Kosovës, të cilën mbase potencialisht –bazuar edhe në situatën dhe gjendjen aktuale gjeopolitike dhe gjeostrategjike në rajon, Evropë dhe në Botë, do të mund të njihej shumë shpejtë ose në ndërkohë nga Serbia, Rusia si dhe aleatët apo satelitët e tyre – të cilët fatkeqësisht edhe për shkak të reminishencave reliktuoze të të ashtuquajturës lëvizje e të painkuadruarve, si dhe të ish Paktit të Varshavës shtetet eventualisht dhe potencialisht njohëse të kësaj strukture organizative-funksionale sa malinje e gangrenoze, po aq metastazike dhe surrogate, por njëkohësisht edhe tejet të rrezikshme për Kosovën dhe më gjerë, do të mund të ishin relativisht brengosës për nga numri i tyre.
Në këtë mënyrë dhe me këso lloj veprimesh Republika e Kosovës dhe sovraniteti e perspektivat e saj konsoliduese e zhvillimore, sidomos në planin ndërkombëtar, do të mund të rrezikoheshin qenësisht. / Vijon