Nisma e re kërkon mbështetje qytetare!

min lexim

Jo rrallë realiteti na i shtrembëron dëshirat dhe anasjelltas. Njerëzit kanë dëshirë t’i realizojnë ëndërrat e tyre jetësore, por realiteti i hidhur i krijuar, jo vetëm që ua pamundëson, ua shuan ëndërrat e shumë gjeneratave për të jetuar dinjitetshëm në vendin e tyre.

Kah po shkon shoqëria kosovare?

Patjetër se duhesh të jesh i guximshëm në përballje me sfidat e kohës. Ambiciet dhe dëshirat njerëzore shpeshherë tjetërsohen nga dominimi i antivlerave dhe shfrytëzimi i maskarenjëve të politikës.

Politika e kamufluar nën maskën e patriotizmit “modern” përmes mediave të paguara ndikon negativisht në vetëdijen e njerëzve të varfër përmes ofrimit të lëmoshës në vend të përmbushjes së premtimeve elektorale.

Pra, shoqëria shqiptare është gjithmonë e shfrytëzuar nga kusarët politikë të kthyer në multi-milionerë nga abuzimi i pushtetit dhe keqpërdorimi i vullnetit të qytetarëve.

Intelektualët e vërtetë injorohen, kurse servilët shfrytëzohen nga klasat politike në pushtet dhe opozitë, duke i parcializuar idetë e tyre të shëndosha.

Të ngritet zëri ndaj padrejtësive të kohës

Në vendin ku dështimet servohen si suksese, qytetarët jetojnë në varfëri të skajshme. Në vendin ku promovohet “barazia” pa funksionim të sistemit të drejtësisë lulëzon korrupsioni, krimi i organizuar dhe pedofilia.

Në vendin ku arsimi është gjysmak nëpër shkolla, prodhohen analfabet nëpër zyrat e institucioneve shtetërore.

Në vendin ku kemi degradim dhe mungesë të sigurimeve shëndetësorë, mungojnë shëbimet efikase ndaj pacientëve dhe shërimi i tyre. Mungesa e barnave esenciale dhe aparaturave moderne nëpër spitalet publike vjen si rezultat bartjes (vjedhjes) nga mjekët në ordinancat e tyre private.

Intelektualët dhe kuadrot e ngritura me vetëdije të pastër kombëtare ndjehen të turpëruar para familjarëve të tyre nga “paaftësia” për t’u pasuruar në shtetin e korruptuar dhe kriminalizuar deri në palcë!

Intelektualëve nuk duhet t’u vie turp të flasin për padrejtësitë klasave politike në pushtet, nuk duhet të hezitojnë të ngrisin zërin ndaj padrejtësive të kohës, përkundrazi duhet të bëhen avangardë e shoqërisë së shtypur njerëzore nga antivlerat dhe analfabetizmi i kuadrove me diploma të fabrikuara.

“Ndryshimi” si mjet për mashtrimin e qytetarëve

Në shoqërinë e bastarduar nga antivlerat, askujt nuk i intereson për luftëtarët e vërtetë të lirisë, për familjet e dëshmorëve, për jetimët e pasluftës të shndërruar në endacak të rrugëve në kërkim të lëmoshës për mbijetesë, kur fëmijët e politikanëve të korruptuar bëjnë jetë luksoze në shtetin e varfër!

Politika është kthyer në profesionin më profitabil, kurse jeta shoqërore është politizuar. Kur partitë politike dështojnë në qeverisjen e vendit, kontrabandimin e deputetëve në Kuvend dhe lidhjen e koalicioneve të reja e shohin si mundësi për mbijetesë në skenën politike duke ua shitur “ndryshimin” si mjet për mashtrimin e qytetarëve, kinse do të sjellin ndryshime me figura dhe paketime të reja politike!

Kësisoji, demonët e vjetër të politikës i shesin idetë e vjetra në emrin e ndryshimit dhe demokratizimit të vendit, e që në këtë mënyrë e ruajnë vazhdimësinë e tyre në skenën e kontaminuar politike.

Idetë dhe nismat e reja kërkojnë mbështetje qytetare

Intelektualët nuk duhet të konsumojnë ide të politikanëve të dështuar, por duhet të sjellin ide dhe koncepte të reja për ndryshim. Idetë e intelektualëve nuk guxojnë të mbeten vetëm ide individuale, por duhet të unifikohen dhe materializohen në një organizim të përbashkët politik konformë rrethanave të kohës!

Ideja apo iniciativa ime e fundit Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) nuk është ide për realizimin e aspiratave dhe as për faktorizim personal, por është ide fisnike, e pastër dhe e padjallëzuar për t’i sjellë vendit ndryshim substancial dhe përmbajtësor në qeverisjen e vendit, ku vendim-marrja dhe dinjiteti t’i kthehet qytetarit të nëpërkëmbur dhe shfrytëzuar nga partitë aktuale.

Rinia shqiptare e gjendur në tunelin e gjatë të pritjeve për ndryshim, si zgjidhje e ka gjetur largimin nga vendi si pasojë e humbjes së të gjitha shpresave për ardhmëeri dhe jetë dinjitoze në vendlindje.

Të rinjët, në veçanti kuadrot e ngritura dhe të specializuara para se të largohen nga vendi duhet të mendojnë gjatë dhe të reflektojnë thellë, se në duar të kujt po e lënë atdheun e tyre të trasheguar nga të parët e tyre!

Nuk guxon të ndodhë largimi nga vendlindja pa i shfrytëzuar të gjitha mundësitë për ndryshim. Lirinë e të menduarit dhe të vepruarit nuk mund t’ua ndalon askush.

Gjithmonë, edhe në situatat më të vështira ekziston një zgjidhje, por atë duhet kërkuar si rrugë për dalje nga labirinthi në të cilën na kanë futur politikanët e papërgjegjshëm të të gjitha llojeve e ngjyrave partiake.

Dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar janë dy forca të pathyeshme

Formula e zgjidhjes është sikur ekuacionet matematikore, kërkon mendim dhe meditim për ta gjetur alternativen adekuate të zgjidhjes së problemit. Kjo arrihet përmes ndjesive të brendshme shpirtërore, gjegjësisht thirrjes së ndërgjegjës personale për të mos u dorëzuar përballë vështirësive të kohës. Asnjëherë dhe për asnjë moment nuk duhet me u lëkundur në rrugën e mbijetesës shoqërore në luftën për çlrilim shpirtëror.

Asnjëherë nuk duhet dorëzuar në përballje me pengesat dhe vështirësitë gjatë rrugëtimit jetësorë. Kreativiteti dhe vendosmëria janë fundamentale në arritjen e ndryshimeve epokale.

Dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar janë dy forca të pathyeshme në përballje me pengesat gjatë rrugëtimit për ndryshim dhe mbijetesë në trojet tona etnike.

Secili duhet të fillojmë nga parimi i shëndoshë i të qënurit njeri i lirë në mendime dhe veprime pa e cenuar lirinë e tjetrit. Të mos pranojmë që të tjerët t’na parashkruajnë fatin tonë, por të bëhemi faktor vendimarrës duke luftuar egon personale dhe respektuar meritokracinë në trajtimin e suksesit individual si sukses të përbashkët.

Story i mëparshëm

10 cilësitë që e bëjnë një person të pjekur

Story i radhës

“Fundi i një epoke”, dhimbje dhe trishtim në Britani për vdekjen e Mbretëreshës

Të fundit nga