Nga dita e sotme, në afërsi të stadiumit të qytetit në Tetovë, blegtorët kanë filluar me shitjen e bagëtive për kurban. Shitësit thonë se sot është dita e parë që kanë filluar me shitjen, ndërsa çmimi i një deleje shkon nga 180 deri në 250 euro, ndërsa i dashit deri në 400 euro. Sipas shitësve, numri i kopeve është ulur dukshëm, dhe kjo vërehet edhe në tregun e improvizuar ku numri i blegtorëve ishte shumë i vogël.
“Çmimet janë si çdo herë, siç kanë qenë edhe këtë herë janë. Interesim nuk ka aspak, siç edhe e sheh është shumë dobët, thuajse fare. Një kurban shkon nga 200 euro e lart dhe varet edhe nga kurbani se si është.”
“Çmimet janë nga 200 euro, 230 apo 250 euro. Delja apo kafsha e madhe shkon në bazë të kilogramëve. Interesim ka, ka një orë që i kemi nxjerrë, po interesim ka. Ka pak kafshë, janë pakësuar shumë, ndërsa populli është i madh. Çfarë janë këto për një Tetovë? Më nuk ruan askush, e sheh, a ka dele këtu? Të rinjtë kanë ikur shumë. Unë si plak, si 80-vjeçar mundohem t’i ruaj, edhe djali pas meje, por djemtë e djalit nuk i duan.”
“Sot është dita e parë që kemi dalë këtu. Shitja është mirë, nuk janë edhe çmimet aq të larta sa mendojnë njerëzit, por tash e tutje do të shohim si do të shkojë pazari. Sa janë çmimet e kurbanëve? Delet që janë të vogla shkojnë nga 140 euro deri në 200 euro, deshët janë nga 200 deri në 300 euro, e jo sa thonë 400 apo 500 euro, sa t’i frikësojnë njerëzit që mos të blejnë kurban.”
“Çmimi mbërrin deri në 400 euro për deshët, ose nga 200 apo 250 euro, varet nga malli. Ka interesim, varet kush si e ka xhepin. Tash do të shohim, është herët. Ka rritje të çmimeve nga vjet, sepse çdo gjë ka hipur. Ka edhe mungesë, sepse nuk i ruajnë dhe janë pakësuar, ndaj çdo gjë ka hipur, normalisht edhe dhentë.”
Por blerësit janë me mendime të ndara. Disa thonë se nuk janë shtrenjtë, e disa thonë se çmimet janë të shtrenjta për këtë krizë ekonomike dhe për harxhimet që kanë qytetarët çdo muaj.
“Nuk janë shtrenjtë, nuk janë shtrenjtë, sepse duhet të jenë edhe pak më shtrenjtë. Kur nuk e ruajmë ne mallin, le të bëhet shtrenjtë. Mirë, le të shtrenjtohen, 500 euro, bile një mijë le të bëhet.”
“Janë të mesme, siç është malli janë edhe çmimet. Por si janë rrogat? Rrogat nuk janë asgjë, hiç nuk janë rrogat.”
“Për kohën dhe për krizën që kemi tani, shtrenjtë janë kurbanët. Edhe këta e kanë hallin e vet, e kemi parasysh se disa gjëra janë shtrenjtuar edhe për ata. Por ne duam të bëjmë traditën tonë. Harxhimet janë mbledhur nga çdo anë dhe janë bërë ekstreme. Kushtet janë bërë në një situatë që është e pamundur t’i dalësh në krye muajit.”
Blegtoria në rajonin e Tetovës po përballet me njërën nga krizat më serioze të dekadave të fundit, e ndikuar drejtpërdrejt nga vala e emigrimit të të rinjve dhe mungesa e interesit për të trashëguar zanatet tradicionale. Sipas vetë blegtorëve, numri i krerëve të bagëtive ka rënë në mënyrë drastike, pasi brezat e rinj po braktisin fshatrat, duke lënë vetëm të moshuarit të kujdesen për kopetë e pakta që kanë mbetur./TV21
Burimi: lajmpress.org



