Samiti i grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani, nisi sot punimet në Tiranë.
Në fjalën hapëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjerojë mbështetjen për vajzat dhe gratë afgane, të cilave regjimi teleban u ka ndaluar të ndjekin arsimin e mesëm dhe të lartë.
“Targetimi i grave jo i rastësishëm, ato janë pjesa më luftarake e shoqërisë njerëzore. Gratë afgane vijojnë të tregojnë një qëndresë dhe guxim të jashtëzakonshëm. Ne duhet t’u ofrojmë atyre burimet, ekspertizën dhe solidaritetin që u nevojitet. T’i japim garanci se barazia gjinore nuk është një ëndërr e largët, por realitet i prekshëm. Përpjekjet tona rrezikojnë të dështojnë nëse nuk adresohen siç duhet. Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në Afganistan”.
Hasani u shpreh se shumë gra dhe vajza të reja afgane, që janë strehuar në Shqipëri, tashmë po integrohen më së miri në shoqërinë tonë.
“Të vendosur t’u krijojmë të gjitha kushtet për të realizuar ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Garantimi i të drejtave të grave e vajzave, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare”.