Zgjedhësit e Vorës, Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës e Rrogozhinës votuan sot në zgjedhjet e pjesshme lokale për të caktuar kryetarin e ri të bashkisë. Mbi 160 mijë qytetarë me të drejtë vote iu përgjigjen thirrjes për të marrë pjesë në votime mes kandidatëve të PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, por në qendrat e votimit pati një numër të ulët pjesëmarrësish.
Në të gjashta bashkitë, shifrat e pjesëmarrësve janë më të ulëta krahasuar me ato të një viti më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.
Votimi u zhvillua normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër, ku nuk u bë i mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë. Procesi i votimit në zgjedhjet e 6 marsit u shoqërua nga një klimë e qetë politike, ndërsa nuk munguan thirrjet ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.
Në këto zgjedhje garuan kandidatë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, me përjashtim të Dibrës, ku krahas kandidatëve të tre subjekteve të mësipërme kandidoi edhe një kandidat nga një forcë e katërt politike. Drejtuesit e rinj vendor në këto bashki do të kenë një mandat të shkurtër 1-vjeçar.
Procesi i numërimit të votave ka nisur në Rrogozhinë, pas më shumë se pesë orësh. Në Rrogozhinë garojnë Edison Memolla, kandidat i PS-së, Ferdinand Saraçi me PD-në dhe Hekuran Xhani me Shtëpinë e Lirisë.