Nikolla: Mirënjohëse Greqisë për mbështetjen për negociatat

min lexim

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot grupin e miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin e Greqisë, të kryesuar nga kryetari Vassilios Giogiakas.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe nënkryetarja Maria Kefala dhe sekretari i grupit, Konstantinos Barkas. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Sophia Philippidou.

Nikolla vuri në dukje se, “marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë janë shumë të mira e miqësore, nisur nga interesat tona të përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane. Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme të procesit të integrimit, veçanërisht në lidhje me çeljen e negociatave. Shpresojmë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe gjatë Presidencës Çeke dhe Mbledhja e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt. Shqiptarët që jetojnë në Greqi, si dhe minoriteti grek në Shqipëri shërbejnë si ura miqësie midis të dy vendeve”.

Nikolla nënvizoi gjithashtu se Greqia është një partner shumë i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe për vite të tëra ka qenë në krye të listës së partnerëve në tregti dhe investime të huaja direkte. Këto investime po nxiten, me përparësi në sektorë si energjia e rinovueshme, turizmi, transporti, infrastruktura, bujqësia etj.

Nikolla falënderoi deputetët grekë edhe për mbështetjen e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë.

Marrëdhënieve miqësore midis të dyja vendeve u shërben edhe zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar dhe vullneti i të dyja palëve për të intensifikuar këtë bashkëpunim, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe niveleve të larta të parlamenteve.

Vassilios Giogiakas dhe anëtarët e delegacionit të grupit të miqësisë nënvizuan se Shqipëria është një vend fqinj dhe mike e Greqisë dhe ata janë të angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë; për lehtësimin e integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi; për krijimin e kushteve që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe; që emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri të vazhdojnë të kontribuojnë si faktorë miqësie midis të dy vendeve. Greqia do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Amerikani i parë që doli publikisht pas infektimit me linë e majmunit thotë se virusi duhet marrë ‘seriozisht’

Story i radhës

Mungesa e ujit të pijshëm në Vushtrri – Idrizi e Kurti fajësojnë keqpërdoruesit

Të fundit nga