Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj shtetasit kroat, J.I., i cili ishte pilot ushtarak në Forcat Ajrore të Kroacisë, dhe serbes nga Kosova A.M., e cila ishte partnerja e tij prej shumë vitesh. Të dy ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar nën dyshimin për spiunazh, raportoi Index.
Sipas Prokurorisë kroate, piloti, gjatë kohës që shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, në mënyrë të përsëritur i kishte vënë në dispozicion partneres së tij informacione të klasifikuara, të cilat i kishte marrë ose që i ishin bërë të qasshme gjatë kryerjes së detyrës.
Në aktakuzë thuhet se ai e dinte që partnerja e tij po i mblidhte këto informacione për një shtet të huaj. Shtetasja serbe akuzohet se më pas ua kishte përcjellë informacionet e siguruara disa adresave jashtë vendit.
Dyshimet ndaj tyre lidhen edhe me spiunazh rreth situatës në Kosovë. Piloti kroat dyshohet se derisa kishte shërbyer në KFOR i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.
Dyshohet tutje se ai i zbuloi asaj informacione të rëndësishme mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022, ashtu si edhe për lëvizjet e trupave të KFOR-it, si dhe zhvillimet në përgjithësi në veri të Kosovës.
Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar Gjykatës së Qarkut vazhdimin e masave paraprake ndaj të akuzuarës, për shkak të rrezikut të arratisjes.
Piloti ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit të kaluar, me masa paraprake dhe me ndalim të kontaktit me njërin prej dëshmitarëve. Për shkak të rastit, ai u shkarkua nga shërbimi ushtarak.
Me ngritjen e aktakuzës, hetimi është përmbyllur dhe rasti tashmë hyn në fazën e re të procedurës penale.
Burimi: botasot.info


