Klubi i Tiranës ka reaguar në orët e vona të natës së të dielës në lidhje me situatën e mesfushorit Klevi Qefalija, i cili ishte viktimë e një incidenti të frikshëm në ndeshjen me Egnatian. Lojtari mbeti i gjakosur në fushë pasi mori një goditje në kokë dhe u dërgua me urgjencë në spital fillimisht në Rrogozhinë e më pas në kryeqytet.
Për disa orë, situata ishte e paqartë, ndërsa të gjithë ishin në pritje të një skaneri dhe rezonancës magnetikë për të kuptuar shkallën e dëmtimit. Me sa duket, pjesa kritike ka kaluar, pasi Tirana ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi se lojtari është jashtë rrezikut për jetën.
REAGIMI I TIRANËS
Stafi mjekësor i KF Tirana njofton se lojtari Klevi Qefalia ka kaluar tashmë gjendjen e rëndë shëndetësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Klevi do të mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve të specializuar për t’u rikthyer sa më shpejt në gjendjen optimale.
Një fjalë falënderimi shkon për stafin mjekësor të klubit për ndërhyrjen e shpejtë si edhe mjekëve të spitalit të traumës në spitalin ushtarak në Tiranë për kujdesin intensiv ndaj lojtarit.
Shërim të shpejtë Klevi, shtëpia jote e dytë pret të rikthehesh sa më shpejt mes nesh.