Ju ka ndodhur ndonjëherë të emocionoheni aq shumë sa mos të ndaloni dot të qarat? Dita e sotme kishte një nga ato momente për moderatoren Nevina Shtylla.
Gjithmonë solare dhe e buzëqeshur, është e vështirë që në këto vite që kur është bërë pjesë e ekranit të gjesh një moment të Nevinës që ka dalë nga vetja apo që është emocionuar shumë. Por, nuk mund të mungonte një përlotje e saj në ekran.
Gjatë emisionit “E diell” në rubrikën “Just dance” që ajo moderon një konkurrent u përlot duke falenderuar të motrën për mbështetjen. Ai u shpreh se ajo punon me të gjithë natën dhe ditën vijnë në emision duke u shprehur mirënjohës.
Ky moment kaq i ëmbël ka prekur edhe Nevinën e cila zbuloi se vëllai i saj nuk jeton në Shqipëri. Me lot në sy ajo tha: “Unë vëllain e kam larg, çfarë mund të them. E puth shumë!”, duke i dërguar një puthje nga ekrani.
Teksa juria vazhdonte komentet për konkurrentët, Nevina vazhdoi të ishte me lot në sy duke thënë me shaka se do ‘3 orë të marrë veten’.
Por përtej gjithë emocioneve ajo e kaloi me shumë sportivitet dhe e përballoi mirë situatën.
Nevina njihet për natyrën e saj hermetike dhe zor se mund të gjesh një foto të saj me vëllain në rrjetet sociale. Megjithatë, pak javë më parë në një intervistë ajo foli për të dhe marrëdhënien e tyre.
“Është dy vite më i madh se unë. Kemi një marrëdhënie dashuri-urrejtje. Kur ishim të vegjël ziheshim për lodrat, duke qenë se edhe pak diferencë kishim me njëri-tjetrin. Jemi tipa shumë të ndryshëm dhe për një kohë shumë të gjatë jemi grindur shumë me njëri-tjetrin. Duhemi shumë padiskutim dhe në momente të vështira aty e shfaqim dashurinë. Dhe habitemi ndonjëherë se sa krah jemi për njëri-tjetrin. Por në pjesën më të madhe të kohës jemi grindur. Tani jemi rritur dhe kemi marrë drejtimet tona dhe është një nga ata personat që e kam support dhe ia marr mendimin. Ndonëse jemi pak të ftohtë. Ai është natyrë më introverte se unë por merremi veshë mirë. Është protektiv por kurrë fanatik.”– tregoi ajo gjatë intervistës në “Natë me Aulonën”.