Si po dështon Rusia në Ukrainë dhe pse nuk ia doli ta pushtojë atë sipas planit të shpejtë, tregon nënkoloneli, ushtaraku i karrierës Abdulla Shasivari, njëri nga komandantët e luftës, të Ministrisë së Mbrojtjes.
I njohur me një betejë në Pashtrik, që me luftë dhe pa viktima arriti t’i mund në kufi forcat serbe, për të avancuar drejt Zonës së Karadakut ku ishte përcaktuar të futej nga Ministria e Mbrojtjes, vlerëson se Kosova është e mbrojtur në çdo rrethanë, pavarësisht se do të ballafaqohemi në mënyrë të vazhdueshme me luftë speciale të Serbisë.
Ai i vlerëson dallimet dhe ngjashmëritë në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, dhe të Kosovës kundër Serbisë. Ndërsa, beson se Ukraina në fund do të fitojë, por mund të paguajë një çmim, mbase të lartë, por që ende është herët të dihet për rrjedhën e proceseve.
Shasivari ish-këshilltar i ministrit të Mbrojtjes Haki Demolli, thotë se pas luftës do të kemi një rindarje të re të botës. Ajo do të “rindahet në tri parime: civilizim, ideologji dhe gjeopolitikë”.
Sipas nënkolonelit në bazë të situatës së tanishme janë të kërcënuara të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, do të thotë edhe Shqipëria.
Lexojeni në vijim intervistën e plotë.
“Bota sot”: Si e vlerësoni luftën në Ukrainë, për 13 ditë 12 mijë ushtarë rusë të vrarë, mbi 300 tanke të shkatërruara, mbi 80 helikopterë, mbi 120 sisteme të artilerisë, mbi 30 avionë lufte…?
Abdulla Shasivari: Nëse e vlerësojmë luftën në Ukrainë nga fillimi i pushtimit nga Rusia, e cila është një nga fuqitë botërore, nga data 24 shkurt mund të konstatoj se rusët kanë sulmuar me mision që në sulmin filestar ta marrin qytetin e Kievit në veri-lindje, pasta ta marrin qytetin e Kharkivit dhe në jug Melitopolin dhe të arrijnë në vijën: qyteti Kiev-Dniepër rivera- qyteti Dniepër- Kharkiv- Odesa dhe pastaj me riorganizimin e forcave ruse të vazhdojnë sulmin dhe ta marrin të gjithë Ukrainën. Rusia ka pasur plane që ta përhap luftën edhe më gjerë me Moldavinë, Lituanin, Letonin, Estonin dhe në Ballkanin Perëndimor nga Serbia me serbët e Bosnjës në Bosnje. Lufta në Ukrainë është luftë pushtuese, pa respektuar rregullat, duke mos respektuar Konventën e Gjenevës dhe drejtat elementar të njeriut nga ushtria ruse. Agresioni i Rusisë në Ukrainë gjykohet nga tërë bota demokratike dhe gjykohet si agresion mbi një shtet sovran dhe për ndërkombëtarët është i papranushem.
“Bota sot”: Numri i viktimave duket shumë më i vogël në radhët e ukrainasve, sipas shifrave zyrtare të Ukrainës, a është ky një sukses tjetër?
Shasivari: Rusët kanë vlerësuar që mbrenda 3-5 dite do të kenë sukses, që në sulmin e parë ta marrin territorin deri në rrjedhën e Dnieprit, por për shkak të organizimit të mirë nga ushtria e ukrainasve ky mision nuk është realizuar. Luftimet vazhdojnë dhe ka viktima në të dyja palët, si dhe shumë civil të vrarë. Supozohet që ushtria ruse ka filluar sulmin me 100 mijë ushtarë dhe deri në ditën e 13-të ka12 mijë ushtarë rusë të vrarë, mbi 303 tanke të shkatërruara, mbi 1036 makineri të blinduara luftarake, mbi 120 sisteme raketore, sisteme raketore MLRS-56, sisteme anti ajrore 27, avionë luftarak 48, helikopterë 80, automjete –makina 474, anije 3 dhe rezervuar për karburant 60, të gjitha këto humbje për arsye të mungesës së profesionalizmit dhe mungesës së moralit. Nëse e vlerësojmë profesionalizmin, moralin dhe logjistiken si kriter kyç për suksesin e një beteje të luftës konkretisht mes rusëve dhe ukrainasve, mund të konstatojmë që rusët janë treguar joprofesionist në sulm dhe pa moral edhe pse nuk kanë pasur probleme në fillim me logjistik, kurse ushtarët e Ukrainës janë treguar profesional për organizimin e mbrojtjes, me një moral shumë të lartë për mbrojtjen e atdheut dhe me logjistik më të dobët në krahasim me rusët ku më vonë me ndimën e miqve dita-ditës janë duke u furnizuar me armë. Ky vlerësim tregon edhe për humbjet që i kanë rusët.
Nënkoloneli Shasivari, parashikon se lufta speciale e Serbisë ndaj Kosovës do të dështojë
“Bota sot”: A mund ta kishin besuar këtë ushtarakët më optimistë, përfshirë ju ushtarakët shqiptarë që luftuat kundër Serbisë?
Shasivari: Po unë kam besuar. Mendoj që edhe ushtarakët tjerë besojnë në suksesin e Ukrainës. Nëse e krahasojmë luftën e Kosovës edhe të Ukrainës ka një dallim shumë të vogël. Ne kemi arritur të korrim fitore me një moral të lartë dhe me një logjistik të dobët (kryesisht armatim i këmbësorisë), kurse ushtria e Ukrainës i ka pothuajase të gjitha llojet e armatimit në sasi të vogël. Nga ana e sulmuesve nuk ka dallim profesionalizmi (strategjia), morali dhe logjistika është e njëjtë.
“Bota sot”: Meritë e kujt është i gjithë ky sukses deri më tani, pasi pritej që Ukraina të merrej sipas planit A, diku për tri ditë, në skenarin e një pushtimi të shpejtë?
Shasivari: Ky sukses është i ushtrisë dhe i popullit të Ukrainës. Suksesi i Ukrainës është edhe nga vlerësimi i gabuar nga Rusia për ushtrinë dhe popullin ukrainas, si dhe veprimet luftarake të gabuara nga ushtria ruse. Rusia i ka vlerësuar ukrainasit si popull rus dhe ka vlerësuar që ushtria ukrainase nuk do ta kundërshtojë. Rusët gjatë sulmit kanë bërë veprime luftarake shumë të gabuara, duke marshuar në kolona ia kanë mundësuar ushtrisë ukrainase ta godasin me gjithë armatimin e disponuar duke i shkaktuar kështu humbje të mëdha.
“Bota sot”: Kë e shihni fitimtar në fund?
Shasivari: Në këtë luftë Ukraina do të angazhohet me çdo kusht ta mbrojë integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa Rusia i ka vënë kushte Ukrainës. Sipas deklaratës së fundit të Putinit për fundin e luftës kushtëzon Zelenskin me tri kushte, kushti parë është vendosja e një kryeministri pro rus në Ukrainë, i dyti është që Ukraina ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë dhe ta njohë Luhanskun dhe Donjeckun si republika të pavarura. Pra, Ukraina e fiton luftën, por si pasoj mund ta humb Krimenë dhe t’i pranojë Luhanskun dhe Donjeckun si republika të pavarura. Unë besoj që Ukraina do ta festojë fitoren në “Sheshin e Pavarësisë”, që është sheshi qendror i Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.
“Bota sot”: A po tenton Putini të imponojë një rend të ri, një rindarje të botës, ushtarake, politike e kulturore?
Shasivari: Lufta e Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë si shkas për rendin e ri botëror dhe do ketë një rindarje të botës. Rendi botëror do të rindahet në situatën kur shtetet do të rirenditen bazuar në tri parime: civilizim, ideologji dhe gjeopolitikë. Këto tri koncepte do të jenë arsyetimet kryesore për riorganizim të rendit botëror.
“Bota sot”: Çfarë premisash dhe gjasash ka që të ndikojë në Kosovë lufta e Ukrainës?
Shasivari: Lufta në Ukrainë ndikon në një luftë speciale në Kosovë. Serbia planifikon skenarë si çdo herë për destabilizim dhe përfitim politik, për përfitim në bisedime ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Skenarët e Serbisë nuk do të ndikojnë në stabilitetin dhe integritetin e Kosovës. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e misionit të tij të OKB-së për të siguruar mjedis të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Bota sot”: Ka shenja se Serbia ka intensifikuar luftën speciale në Kosovë, ka informacione se Serbia po e mobilizon mbrojtjen territoriale, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, megjithëse incidente të rënda haptazi nuk ka për momentin, çfarë mund të ndodhë apo mund të presim në javët apo muajt në vijim?
Shasivari: Serbia ka miqësi të përhershme me Rusinë, prandaj planifikon dhe sipas mundësisë identifikohet me luftën speciale për të rritur ndikimin rus në Ballkan dhe për ta destabilizuar Bosnjën dhe Kosovën. Serbia do të bëjë luftë speciale duke përdorur partitë politike serbe në pengimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës në veçanti në komunat e banuara me shumicë serbe dhe Parlamentin e Kosovës. Sa i përket mobilizimit të Mbrojtjes territoriale në Serbi është duke u bërë për shkak të luftës speciale dhe konsumit politik të brendshëm. Serbia në javët apo në muajt në vijim mund të përgatisë skenarë, por zbatimin e tyre do ta kenë të pamundur nga intervenimi i institucioneve tona dhe KFOR-it.
“Bota sot”: A jemi të rrezikuar nga ndonjë inkursion serb në veri dhe në ndonjë pjesë tjetër kufitare në ndonjë moment të zhvillimit të ngjarjeve më dramatike, nëse ndodhin nga përhapja e luftës jashtë Ukrainës?
Shasivari: Besoj që lufta jashtë Ukrainës nuk do të përhapet, por nëse ndodh përhapja, Serbia prapë se prapë nuk do të futet në ngjarje dramatike, pra në një konflikt ushtarak mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh përhapja e luftës jashtë Ukrainës, NATO-ja do të veprojë sipas nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. KFOR-i ka qëndrim fleksibil, i cili do të intervenon në çdo zhvillim që mund të ndikojë në situatën e sigurisë.
“Bota sot”: I dërguari i Putinit për Serbinë, këshilltar për inteligjencë dhe oficer i saj, Patrushev ka deklaruar se e kuptojnë situatën momentale të Serbisë, por njëkohësisht ka folur për marrëveshje (të fshehta) Putin-Vuçiq. A nuk nënkupton kjo një rrezik për bashkëveprim serbo-rus ndaj Kosovës duke pasur parasysh edhe nevojën strategjike të Rusisë për ta shpërqendruar Perëndimin dhe forcat e saja?
Shasivari: Presidenti i Serbisë Vuçiqi e ka prit në vizit Nikolaj Platonovich Patrushev oficer sigurie dhe zyrtar i inteligjencës ruse për të shqyrtuar mundësinë e një angazhimi ndaj Kosovës dhe Bosnjës. Realisht kjo eshtë alarmante, jo për shkak të gjuhës se po përgatitet për lutë të gjatë, por edhe sepse ishte prezent një zyrtar i inteligjencës ruse. Ne i kemi të qartë skenarët që mund të përgatiten ndaj Kosovës, por janë të parealizueshëm.
“Bota sot”: Nëse ndodhë një sulm i Serbisë, sa jeni të gatshëm ju ushtarakët, tashmë të pensionuar, që të ribashkoheni për ta ndihmuar Kosovën?
Shasivari: Nëse ndodhë një sulm i Serbisë, unë dhe ushtarakët tjerë të pensionuar në çdo kohë dhe moment jemi të gatshëm për ta ndihmuar dhe mbrojtur Kosovën. Përveç ushtarakëve për mbrojtjen e Kosovës, janë të gatshëm edhe bashkëluftëtarët e UÇK-së.
“Bota sot”: A mendoni se Kosova aktualisht e ka një shans, bazuar edhe në shumë reagime në rritje, që të përshpejtohen procedurat dhe të futet në NATO, a pritet të ndodhë kjo?
Shasivari: Kosova ka një shans për tu futur në NATO, nëse ndodh përhapja e luftës jashtë Ukrainës. Unë besoj që për Kosovën do të bëhet e mundur të jetë pjesë e NATO-s sipas dinamikës të paraparë me KFOR-in, që FSK-ja të transformohet në Ushtrinë e Kosovës.
“Bota sot”: A duhet që Shqipëria, pas dërgimit të njësisë prej 30 forcash speciale, të dërgojë më shumë trupa dhe me pajisjet nga më të mirat ushtarake që i ka, dhe të vendoset në veri, në rrethana të një krizeje të re?
Shasivari: Shqipëria është pjesë e NATO-s, në bazë të misionit dhe nevojave të KFOR-it do të përfaqësohet me forca ushtarake dhe me pajisjet ushtarake të ushtrisë shqiptare.
“Bota sot”: A është e kërcënuar edhe Shqipëria, edhe pse anëtare e NATO-s pasi veçse nëpërmjet një letre dërguar më herët, të hënën Rusia e ka futur edhe në vendet ‘jomiqësore’ për shkak të sanksioneve të vendosura. Në letrën qarkore drejtuar edhe vendeve tjera, Rusia e ka bërë të qartë se në një mënyrë bashkëveprimi i Shqipërisë me NATO-n mund të ketë pasoja?
Shasivari: Në bazë të situatës së tanishme janë të kërcënuara të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, do të thotë edhe Shqipëria. Këto kërcënime janë të pritura duke pas parasysh prezencen e njësive dhe armatimit të NATO-s (baza ushtarake) në shtetin e Shqipërisë. Por, këto kërcënime janë të kota sepse NATO-ja është organizatë ushtarake, e cila është mirë e organizuar dhe e koordinuar, sidomos pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Bota sot”: A mund të ndodhë ‘befasisht’, që nga rrethanat që po krijohen, me trend pozitiv për shqiptarët, vëmendja e shtuar e Perëndimit për Kosovën, pozicionimi i Serbisë pro Rusisë (refuzoi të vendosë sanksione në kundërshtim me partneritetin me BE-në) është një moment, në të cilin shqiptarët kanë shansin që me një strategji të duhur, t’i ndryshojnë pozicionet e tyre, dhe të përfitojnë nga zhvillimet në pritshmëri?
Shasivari: Tani është i kuptueshëm rreshtimi i shteteve në përkrahje të Rusisë dhe në përkrahje të Ukrainës. Kosova është rreshtuar në mbështetje të Ukrainës, kurse Serbia të Rusisë duke u deklaruar Vuçiqi në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës dhe mos sanksionimin me masa ndëshkuese, sipas tij mosmbështetje e integritetit të Ukrainës do të thoshte të mos mbështetjes të integritetit të Serbisë, rusët i quan vëllezër, të cilët gjithmon ishin përkrah dhe në anën e Serbisë. Kosova këtë situatë duhet ta shfrytëzojë duke kërkuar njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga shtetet e BE-së që ende nuk na kanë pranuar. Në bashkëpunim me SHBA-të të fillojnë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë siç thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së “askush nuk po kërkon nga liderët e Kosovës që të komprometojnë sovranitetin e Kosovës, të heqin dorë nga integriteti i saj territorial ose ta shkelin Kushtetutën e saj. Ato janë të shenjta”.