Së paku shtatë policë serbë dhanë dorëheqje në ditët e fundit, për ç’gjë zyrtarët e Kosovës fajësuan Beogradin zyrtar.
Ata ishin në mesin e 46 pjesëtarëve të komunitetit serb që iu bashkuan Policisë së Kosovës në fund të korrikut, pas një konkursi për plotësimin e pozitave boshe në drejtorinë për rajonin e veriut.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, beson se prapa dorëheqjeve të fundit të policëve serbë në veri qëndron “frikësimi nga regjimi aktual serb” dhe shton se Prishtina zyrtare duhet “t’i inkurajojë” të gjithë ata që vërtet duan të integrohen.
“Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë vullnet të mirë, anën e mirë të institucioneve të Kosovës, për t’i inkurajuar bashkëqytetarët tanë, në këtë rast policët e rinj të Kosovës. Se ky është një vend ku ata mund të ndërtojnë karrierë dhe se institucionet do t’i mbështesin në çdo zhvillim të tyre të mëtejshëm”, thotë Rashiq.
Policia e Kosovës për rajonin e veriut nuk e dha numrin e saktë të policëve që u tërhoqën, duke thënë se nuk e komenton këtë çështje.
Diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë u shprehën të shqetësuar nga dorëheqjet.
Por, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se, në këtë moment, nuk mjafton vetëm mbrojtja “deklarative” e policëve serbë, por se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrin hapa konkretë.
Midorag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, konsideron se dorëheqjet e policëve serbë janë “një reflektim i presionit të shoqërisë për të mos u dorëzuar ndaj Prishtinës”.