Pas hapjes zyrtarisht të negociatave në Bruksel, Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Kryeministri një tjetër ceremoni dhe në mënyrë simbolike u ngritën flamujt e Shqipërisë dhe BE-së. Në këtë ceremoni, të organizuar nga Kryeministria, ishin të ftuar edhe deputetë, ambasadorë dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura. Por ajo që ra në sy ishte fakti që i pranishëm nuk ishte drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.
Sipas “News24”, stafi i Kryeministrisë nuk e kishte ftuar Krajën të ishte i pranishëm. Vetë kreu i SPAK sqaroi dje për mediat se nuk ka mundur të jetë i pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera. “Kam pasur ftesë, por për arsye të angazhimeve që kisha të planifikuara më parë online takime me autoritete homologe të huaj, nuk kisha mundësi të shkoja, angazhime për çështje pune”, theksoi Kraja.
Ndërkohë, ditën e martë në llogarinë zyrtare të SPAK në “Twitter”, Kraja shprehu vlerësimin për hapjen e negociatave duke vënë theksin edhe te kontributi i këtij institucioni.
“Shqipëria, një hap para drejt familjes së madhe Europiane! Krenarë për kontributin e dhënë në këtë proces. Të ndërgjegjshëm për punë të mëdha përpara. Të vendosur për të realizuar pritshmëritë e shtetasve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, shkruhej në urim.
Por kjo mungesë e një prej njerëzve kyç të reformës në Drejtësi në vend, vjen në fakt pak kohë pasi Rama ka ndërmarrë një sulm publik ndaj SPAK-ut. Në 7 maj teksa po fliste në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama tha se SPAK nuk po vepron ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të nxjerrë jashtë sistemit nga Vettingu, e veçanërisht ndaj ish-Kryeministrit Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA.
“Çfarë dreqin bëhet kështu do të thonë kur janë dhjetëra të vrarët dhe të vdekurit nga politikanë që kanë emër dhe mbiemër, të cilët rrotullohen në varr në kërkim të drejtësinë pa llogaritur vjedhje kolosale që vetëm SPAK-u nuk i di, burgoset një grua për 10 kg peshk. Ndërkohë që SPAK-u vihet në lëvizje edhe nga një deklaratë partie, për këdo zyrtar të lartë, akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht në 30 vite nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, SHBA, sepse ai njeri ka drejtuar Shqipërinë”, u shpreh Rama në Kongresin e PS-së.