Mobingu ndaj mësuesve nga nxënësit dhe prindërit e tyre po shënon shifra të larta.
“Profesioni që dikur vlerësohej dhe respektohej shumë, sot po shkelet nga faktorë të jashtëm që lënë gjurmë në shëndetin psikofizik të mësimdhënësve”, thotë Jakim Nedellkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK).
“Mësuesi pritet të prodhojë rini të shëndoshë, të japë arsim cilësor, ndërsa në të njëjtën kohë i hiqet liria e vlerësimit përmes presioneve të ndryshme. Dhe jo vetëm kaq, nuk është sekret as sjellja e nxënësve, të cilët për dallim nga dikur, tani i trajtojnë me më pak respekt mësuesit e tyre”, thotë Nedellkov.
Ai nuk ka dashur të komentojë akuzat e fundit publike të ish-nxënësve, të cilët pretendojnë se janë nënçmuar publikisht nga mësuesit, gjë që ua ka ulur ndjeshëm vetëvlerësimin, por edhe ka dëmtuar statusin e tyre në mesin e bashkëmoshatarëve, për çka kanë qenë edhe viktima të bullizmit.
“Nuk di për shembuj të tillë, por detyra ime si kryetar i SASHK-ut është t’i mbroj interesat e mësimdhënësve”, tha Nedellkov.
Ai sqaron se këtë pesë tetor mësuesit e kanë shënuar me më shumë kënaqësi Ditën Botërore të Mësuesit, falë rritjes së pagave që kanë marrë si pasojë e grevës shumëditore që u zhvillua vitin e kaluar shkollor.