Në UT u promovua libri “Sovraniteti versus Integriteti” i diplomatit të njohur Arben Çejku

March 17, 2022
min lexim

Në Universitetin e Tetovës sot u promovua libri “Sovraniteti versus Integriteti”- Prapaskenat e dialogut dhe sfida e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë (2005-2020), i autorit Arben Çejku, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë promovim, në emër të Universitetit të Tetovës të pranishmëve me fjalë përshëndetëse ju drejtua Rektori i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai e falënderoi Ambasadorin Arben Çejku që ka zgjedhur Universitetin tonë për ta promovuar veprën e tij të fundit. Ai më tej tha, se Ambasadori Çejku është një mik i veçantë i universitetit, me të cilin ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të suksesshëm në intensifikimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me universitetet dhe institucionet tjera shkencore nga Republika e Shqipërisë. “Në ushtrimin e detyrës së ambasadorit në vendin tonë, Arben Çejku ka dhënë një kontribut të çmuar diplomatik, në afrimin e popujve të rajonit, sidomos në promovimin dhe njohjen e kulturave mes tyre. Lëvizjet kombëtare të popullit shqiptar për liri, ndër ne kujtohen si ngjarje nga më të mëdhatë historike, dhe në historinë tonë kombëtare kanë mbetur epope të lavdishme, për nga përmasat e organizimit, vuajtjet dhe sakrificat e bëra. Nga rrëfimet e historisë sonë mësojmë se lëvizjet e shqiptarëve për çlirim nga pushtuesit e huaj janë të hershme, ndërkaq epilogu i tyre ka qenë tryeza e bisedimeve. Për dialogun Kosovë- Serbi është folur shumë, janë bërë analiza nga më të ndryshmet, janë përfshirë ekspertë, politikanë e diplomatë të njohur, vendës dhe ndërkombëtarë, mirëpo prapaskenat e këtyre bisedimeve për një periudhë 15-vjeçare trajtohen në këtë vepër të rëndësishme që e promovojmë sot”, tha Rektori Prof. Dr. Reshat Qahili.

Për librin e ambasadorit Çejku vlerësimet e tyre i dhanë edhe profesorët e universitetit, Prof. Dr. Ylber Sela, Prof. Dr. Teuta Arifi dhe Prof. Dr. Veton Latifi. Sipas profesorit Ylber Sela, ky libër ka në fokus betejën e Kosovës për pavarësinë dhe sovranitetin. “Ky libër vjen në një kohë mjaft të duhur, mjaft të volitshme, për arsye se rrethanat janë ende të pasqaruara se si do të vazhdohet më tutje kjo çështje dhe disa gjëra të cilat kanë ngecur, normalisht që kërkojnë zgjidhje. Prandaj, autori nëpërmjet librit, të cilin e ka sjellë në dritë, jep një ndihmesë shumë të madhe jo vetëm për lexuesin, por edhe për ato të cilët e bëjnë politikën dhe sidomos diplomacinë kosovare. Autori në këtë libër na sjellë fakte, të dhëna, reagime dhe angazhime aq interesante, aq të detajuara, të shoshitura aq kujdesshëm duke e futur lexuesin brenda qarqeve diplomatike, biseda diplomatësh, deklarata të udhëheqësve politik në kazanin politik të brendshëm dhe të jashtëm”, tha mes tjerash Prof. Dr. Ylber Sela.

Ndërsa Prof. Dr. Teuta Arifi e ndërlidhi me njërën nga veprat e Dante Aligieri, i cili sipas saj, në njërën prej veprave të tij meditative thotë se vendi më i errët në ferr është i rezervuar për ata që e mbajnë veten për neutral në kohëra të thella krize. “Në fakt fillimet të cilat i shpjegon autori i nderuar, miku ynë, ambasadori Arben Çejku, është pikërisht fillimi i një rrugëtimi të Kosovës duke u bazuar pikërisht në fakt ku shtetet evropiane, kur bashkësia ndërkombëtare vendosi që të mos ta mbante vetveten neutrale në kohëra krize. Shpjegimin të cilin e jep autori është, që intervenimi ndërkombëtar për sa i përket fillimit të këtij rrugëtimi sot, të cilin e ka shteti i ri i Kosovës, nuk bazohet në interesa të mëdha që do të kishin forcat ndërkombëtare aty, por kryesisht në një vendim i cili lidhej me vlerat e bashkimit evropian, me vlerat perëndimore, me vlerat e demokracisë, që fillimisht kanë respektuar të drejtën kryesore të njeriut, të drejtën për të pasur jetë”, shtoi mes tjerash Teuta Arifi.
Kurse Prof. Dr. Veton Latifi u shpreh se vepra që promovohet sot është padyshim një kontribut serioz jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe atë rajonale. “Një kontribut serioz edhe në mendimet e të dhënat që burojnë nga libri të cilët e gjejnë zbatimin e tyre pikërisht në ditët e sotshme, të paqartësive të shumta rajonale dhe dilemave për të ardhmen në aspektin gjeopolitik. Pritshmëritë nga dialogu Prishtinë – Beograd që herët ishin të larta, edhe pse me një dozë skepticizmi. Ambasadori Çejku e përcjell këtë vijë. Këto pritshmëri që në start të marrëveshjeve teknike në Bruksel, në shumë aspekte që ishin dhe mbetën të paqarta dhe eventualisht pa logjikë e pa perspektivë zbatueshmërie në terren gjejnë reflektimin gjatë tërë kohës të kësaj vije që e ndjek autori me këtë libër. Libri i ambasadorit Çejku do të ngelet i njohur si një ndër punimet e para që e shënjestron një absurditet më të madh të këtij dialogu, respektivisht propozimin e krijimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, apo i njohur si asociacioni që është vetvetiu në kundërshtim me një logjikë të demokracisë konsensuale, apo të modeleve të ndarjes së pushtetit”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Prof. Dr. Veton Latifi.

Autori i librit, ambasadori Arben Cejku, para auditorit ku të pranishëm ishin shumë personalitete të jetës akademike, politike e shoqërore, si Rektori i UT-së, Prof. Dr. Reshat Qahili, Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, profesorë dhe studentë, tha se për sovranitetin, integritetin dhe dialogun askund nuk mund të flitet më mirë se sa në Universitetin e Tetovës. “Kemi këtu librin me dy fjalë – tre fjalë, sovraniteti, integriteti, dialogu. Ku më mirë se sa këtu mund të flitet për sovranitetin, integritetin dhe dialogun. Dua ta përkthej këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut sepse për Kosovën kemi folur, njëherë tjetër atje. Këtu, në vendin ku Ju jeni faktor stabiliteti, faktor paqeje, faktor i sovranitetit të Maqedonisë së Veriut dhe roli që ju luani këtu është tepër i rëndësishëm për ta kuptuar këtë libër, ose për ta kuptuar këtë mesazh. Unë kam ardhur dhe kam zgjedhur të vij këtu dhe i jam mirënjohës edhe Universitetit të Tetovës që më ka dhënë mundësinë për të sjell disa mesazhe dhe jo thjesht për të promovuar një libër, i cili sot në epokën digjitale mund të promovohet në çfarëdo lloj forme. Por, unë kam ardhur me disa mesazhe edhe si ish-ambasador, që kam shërbyer këtu, kam pasur nderin të përfaqësoj Shqipërinë dhe të bashkëpunoj me të gjithë Ju, që të mos dekurajoheni nga dialogu dhe ajo çfarë keni bërë deri tani në pozicionet që keni pasur, qoftë si zëvendëskryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, qoftë si udhëheqës i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, zotëri Ahmeti, dhe në të gjitha pozicionet që keni. Këtu, te ky universitet kam dhënë disa mesazhe të tjera që ndonjëherë edhe jam keqkuptuar dhe më kanë marrë edhe si militant partiak, në fakt unë kam dhjetë vite që kam ikur nga Maqedonia dhe nuk kam më dorë dhe fuqi për të përcaktuar fuqitë politike, por kam në dorë që të them që partitë politike duhet të bashkohen në një vizion për interesin e këtij vendi, për interesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Arben Çejku.

Ai, më tej në fjalën e tij shtoi se vetëm duke u bashkuar me njëri-tjetrin dhe jo duke u shpërndarë në çeta politike, ju mund të realizoni më mirë ambiciet dhe interesat jetike të këtij vendi dhe këtij populli që janë integrimi. “E ku do ishim nëse nuk do të kishte durim lidershipi i z. Ahmeti për të zhvilluar dialog dhe për të bërë kompromis edhe me Greqinë. Çfarë fitoi Maqedonia e Veriut dhe çfarë fitoi Greqia, që e prolonguan dialogun dhe gjeti një zgjidhje deri kur erdhën tek Marrëveshja e Prespës? Asgjë, thjesht shpenzime energjish dhe vonesash. A jemi ne sot më të qetë kur shohim se flakët e luftës i afrohen rajonit të Ballkanit dhe themi Maqedonia e Veriut është e sigurt sepse është në NATO, e pikërisht pra për të arritur një gjë që dukej dikur një retorikë boshe, një angazhim politik, një angazhim elektoral, sot ne jemi të qetë dhe jemi të sigurt, sepse ky vend është i sigurt në familjen e NATO-s, prandaj merita dhe vlerësimi është për të gjithë ju që keni dhënë kontribut në këtë vizion euroatlantik që e keni pasur dhe që vazhdoni ta keni. Sot Maqedonia e Veriut është në një sfidë tjetër po të dialogut me vendin fqinj, me një vend mik të Shqipërisë siç është Bullgaria. A ka kapacitete për të dialoguar? Sigurisht që ka. A ka vullnet? Sigurisht që ka. A ka eksperienca? Patjetër që ka. Atëherë, të gjithë së bashku dhe sidomos faktori shqiptarë duhet të luaj rolin e vet edhe me Bullgarinë, ashtu siç e luajti edhe me Greqinë. Jam dëshmitar i takimeve informale, jo zyrtare të iniciuara nga Kryetari i BDI-së, zotëri Ahmeti me ministrat e kabinetit të mëparshëm Gruevski, në takime shumë të ngrohta, shumë të dobishme me Greqinë, në kohën kur zyrtarë të caktuar nuk ishin të pranuar në Athinën politike, politikanët shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishin atje për të folur pikërisht për sovranitetin, integritetin dhe ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, pikërisht për rolin dhe kontributin që ju jepni. Natyrisht në politikë dhe diplomaci nuk është si në fushat e tjera me investime publike”, tha mes të tjerash Arben Çejku.

Promovimi i librit të ish-ambasadorit Arben Çejku u përmbyll me një pikë artistike nga profesorët e Fakultetit të Arteve, Nita Lumani Zenuni dhe Shkëlzen Baftiari.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Moti për dy ditët e ardhshme në Kosovë

Story i radhës

Halili: Fondi për Inovacion intensivisht do të përfshijë shkencën në zhvillimin e inovacioneve në vend

Të fundit nga

ShkoLartë