Në UT u mbajt debat për Shkollën Normale, si institucion për përgatitjen e mësuesve dhe si flakadan i përhapjes së diturisë

May 30, 2022
min lexim

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, sot organizoi panel diskutimi, me temën: “Shkolla normale si institucion për përgatitjen e mësuesve dhe si flakadan i përhapjes së diturisë”. Në këtë ngjarje morën pjesë një numër i madh veteranësh të arsimit, profesorë, pedagogë dhe studentë.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi u shpreh se, sot jemi mbledhur për të debatuar në temën: “Shkolla normale si institucion për përgatitjen e mësuesve dhe si flakadan i përhapjes së diturisë”, që përkon me 50 vjetorin e mbylljes së Normales së Tetovës, në veçanti paraleles në kuadër të Gjimnazit të Tetovës. “Iniciativa fillimisht rrodhi nga grupi iniciues për shënimin e 50-vjetorit të maturës së Normales së Tetovës, në përbërje: Zejnulla Salihi, Aziz Jakupi, Drita Xheladini, Hajri Ismani, Shemsije Ibrahimi dhe Avdil Islami. Pas takimit tonë të përbashkët, u pajtuam që në partneritet me Fakultetin Pedagogjik, në ditën e sotme të realizojmë debat në dy tema, edhe atë: Roli i Shkollës Normale në përgatitjen e kuadrove për arsim fillor në RMV, me theks të veçantë, paralelja pedagogjike e Gjimnazit të Tetovës – tërheqja e paraleles midis arsimit dikur dhe arsimit sot, si dhe veprimtaria dhe kontributi i dy pedagogëve të shquar, Prof. Dr. Tahir Zajazit dhe Prof. Dr. Xheladin Muratit, të cilët në atë periudhë kanë qenë të angazhuar, profesorë në Normalen e Tetovës dhe me mbylljen e saj e vazhdojnë veprimtarinë e tyre mësimore dhe hulumtuese-shkencore në arsimin e lartë dhe atë sipëror në RMV. Më gëzon fakti që sot, përveç profesorëve dhe studentëve të Fakultetit Pedagogjik, marrin pjesë edhe normalistë nga gjeneratat e viteve 1960-1968, gjegjësisht maturantë të viteve 1964-1972”, tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Krahas kësaj, dekani u ndal edhe tek historiku i Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës, për të cilin u shpreh se daton që nga viti 1996, me ç’rast në kuadër të këtij fakulteti filluan me punë tre programe studimore: Pedagogji Profesionale, Mësim klasor dhe Edukim Parashkollor. Me zyrtarizimin e UT-së, në vitin 2004, në kuadër të Fakultetit Filozofik funksiononte programi studimor Pedagogji, me drejtimet: Profesional, Mësim klasor dhe Edukim Parashkollor, ndërsa nga viti 2012 u akreditua dhe filloi të funksionojë edhe programi studimor Edukim Special dhe Rehabilitim. Në vitin 2016, Fakulteti Pedagogjik u themelua si njësi e veçantë akademike e Universitetit, me katër programe studimore në ciklin e parë, por që veprimtarinë do ta vazhdojë edhe me programe studimore në ciklin e dytë dhe të tretë. “Aktualisht, në ciklin e dytë kemi dy programe studimore: Pedagogji, me tre drejtime: Arsim elementar, Inovacione në mësim dhe Menaxhimi në arsim, si dhe Edukim special dhe rehabilitim, po ashtu me tre drejtime: Arsim inklusiv, Autizëm dhe dëmtime intelektuale dhe Logopedi dhe dëmtim i të dëgjuarit. Nga ky vit kemi akredituar edhe Programet studimore Pedagogji sociale dhe Edukim Parashkollor, të cilët do të jenë funksional nga ky vit akademik. Në ciklin e tretë kemi një program studimor Pedagogji, me dy drejtime, Strategjia për zhvillimin e arsimit dhe Strategjia për zhvillimin e mësimdhënies. Programet studimore të Fakultetit Pedagogjik janë dizajnuar sipas parimeve të Sistemit të Bolonjës. Qëllimi është që, programet studimore t’i përshtaten dinamikës së reformave në sistemin arsimor në vend, si dhe përshtatja përballë tendencave bashkëkohore në arsim. Ky fakultet synon që studentët të arrijnë: Konkurrim në tregun akademik evropian; Profilizim përmes zhvillimit të kompetencave; Programe të pranuara ndërkombëtarisht dhe Mundësi lëvizjeje akademike. Po ashtu, në Fakultetin Pedagogjik organizohen Ligjërata interaktive dhe debatuese; Mësimnxënie në laboratorë dhe në terren; Mësimdhënie përmes TI-së dhe Qasja e re: “Studenti në qendër”.
Fjalimin e tij, dekani e përmbylli me krahasimin e arsimit dikur dhe sot, ku thotë se po te heqim një paralele do të shohim se në të kaluarën personaliteti dhe dinjiteti i mësimdhënësit ka qenë shumë i lartë, ai ka qenë i çmuar dhe vlerësuar nga shoqëria. “Sot, ky dinjitet është nëpërkëmbur tej mase, ndërsa pozita e mësimdhënësit në shoqëri nuk është aspak e volitshme. Në të ardhmen duhet të fokusohemi në kthimin e dinjitetit të profesionit të mësimdhënësit, përmes gjetjes së mekanizmave për motivimin e maturantëve ekselentë që të regjistrohen në Fakultetet Pedagogjike, si dhe dhënien përparësi në punësimin e tyre. Gjithashtu, duhet të përmirësohet edhe pozita sociale dhe shoqërore e mësimdhënësit, përmes rritjes së rrogave, përparimit në karrierë, benifite të ndryshme që shteti do t’i ofrojë për ta, si dhe përmes depolitizimit të arsimit. Në të kaluarën, gjithashtu edhe numri i nxënësve ka qenë shumë i lartë, saqë kemi pasur paralele që e kanë tejkaluar numrin në bazë të normativit për formim të paraleleve, ndërsa sot shumë shkollave u kanoset rreziku për largim nga puna të një pjese të mësimdhënësve si pasojë e rënies së numrit të nxënësve. Në të kaluarën, arsimi ka pasur cilësi, edhe pse ka qenë i fokusuar në mbajtjen përmendësh të fakteve, teorive dhe ligjeve, mësimi i bazuar vetëm në tekste mësimore, të cilat edhe sot vazhdojnë të jenë në përdorim, edhe pse janë me shumë stereotipe dhe paragjykime dhe promovojnë etnocentrizëm”, përfundoi mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Në këtë panel diskutimi të pranishëm ishin edhe veteranët e arsimit shqiptar, Prof. Dr. Xheladin Murati, Prof. Dr.Tahir Zajazi dhe mësuesi veteran Zejnulla Salihi. Ata evokuan kujtime nga e kaluara e tyre e bujshme, gjegjësisht nga veprimtaria e tyre arsimore, përvojat dhe praktikat e ndryshme, të dhëna historike dhe statistikore, krahasimet ndërmjet gjeneratave, arsimi dikur dhe sot e shumë diskutime të tjera që lidhen me temën përkatëse.
Temat e ndryshme shfaqën interes tek pjesëmarrësit, të cilët nuk nguruan me pyetjet e tyre, të cilëve iu përgjigjën drejtuesit e debatit në formë të bashkëbisedimit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

(VIDEO) Problemet te Kushtetuesja, Kacarska mbledh krerët e shtetit

Story i radhës

Messi ka një paralajmërim për sezonin e ardhshëm

Të fundit nga

ShkoLartë