Në stadiumin “Olimpiko” luhet për revansh, 170 shtete drejtojnë sytë

min lexim

Juventusi dhe Interi kanë dhuruar sfida nga më spektakolaret në Itali gjatë historisë së tyre.

Atyre pritet t’u shtohet një tjetër e tillë sonte në mbrëmje, kur kampionët në fuqi të Italisë do të përballen me rekordmenët e titujve në Serinë A, këtë herë në finalen e Kupës së Italisë.

Interi për këtë ndeshje ka arritur kulmin, teksa ajo do të transmetohet në treçerekun e vendeve të botës. 170 vende, 35 telekamera dhe përfitime mes 4.5 dhe 5 milionë eurosh janë shifrat paraprake të një sfide të shumëpritur.

Finalja e sotme mes Juventusit dhe Interit do të jetë e treta në histori mes tyre në Kupën e Italisë, me bilancin që deri më tani flet për bardhezinjtë, që kanë fituar të dy finalet e deritanishme, 4-1 në vitin 1959 dhe 1-0 në vitin 1965.

– Kjo mes Juventusit dhe Interit është përballja më e shpeshtë në Kupën e Italisë. Përpara finales së sotme, dy ekipet janë përballur 33 herë mes tyre, me bardhezinjtë që numërojnë 15 suksese kundrejt 8 të zikaltërve; 5 nga 10 sfidat e fundit mes tyre në Kupën e Italisë janë mbyllur në barazim.

– Interi ka fituar dy përballjet e fundit ndaj Juventusit në takime zyrtare. Që nga lindja e Serisë A (1929- 1930), zikaltrit nuk kanë mundur të fitojnë asnjëherë tri takime radhazi kundër Juventusit në të gjitha kompeticionet. Për më shumë, vetëm Fiorentina (1940- 1941) dhe Lacio (1942- 1943) e kanë mundur tri herë radhazi Juventusin brenda një sezoni.

– Juventusi është skuadra që numëron më shumë finale në Kupën e Italisë, plot 21 të tilla, duke futur dhe këtë të sotmen. Juventusi gjithashtu është skuadra që e ka fituar më shumë këtë trofe (14 herë). Duke futur finalen e këtij sezoni, bardhezinjtë kanë arritur 7 herë në finalen e Kupës së Italisë në 8 sezonet e fundit, ku në 5 prej tyre kanë ngritur trofeun.

– Juventusi mund të bëhet skuadra e pestë në 5 kampionatet më të forta në kontinent që arrin të fitojë 15 herë kupën e vendit të vet në rast suksesi ndaj Interit sonte në mbrëmje. Barcelona (31), Atletik Bilbao (23) dhe Reali i Madridit (19) në Spanjë si dhe Bajerni i Mynihut (20) në Gjermani e kanë fituar më shumë.

– Për Interin, kjo do të jetë e dyta herë që luan një finale të Kupës së Italisë më 11 maj. Më parë kishte luajtur në finalen e vitit 2006 kundër Romës, të fituar 3-1.

– Interi nuk ka pësuar gol në 4 nga 5 takimet e fundit në Kupën e Italisë, duke përfshirë këtu tri të fundit radhazi. Herën e fundit që regjistronte këto shifra ose më mirë ka qenë në periudhën nëntor 2006 – shkurt 2007 (6 takime).

– Masimiliano Alegri mund të bëhet i pari trajner në histori që arrin të fitojë 5 herë Kupën e Italisë. Për momentin ai ndodhet në kuotë të barabartë (4) me Sven Goran Erikson dhe Roberto Mançinin.

– Simone Inzagi mund të bëhet trajneri i dytë që arrin të fitojë Kupën e Italisë nën drejtimin e Lacios dhe të Interit. I vetmi që e ka bërë deri më tani është Roberto Mançini.

– Juventusi mund të bëhet skuadra e parë ndaj së cilës Simone Inzagi pëson 10 humbje si trajner i skuadrës së parë. Nga ana tjetër, që nga debutimi i tij me Lacion në vitin 2016, ai e ka mundur plot 6 herë Juventusin.

– 14 golat e fundit të Juventusit në finalet e Kupës së Italisë në vitet 2000 janë shënuar nga 13 lojtarë të ndryshëm. Vetëm Benatia ka shënuar një dygolësh në finalen e sezonit 2017-2018.

– Nëntë nga 13 golat e Interit në finalet e Kupës së Italisë janë shënuar nga lojtarë argjentinas.

– Paulo Dibala është lojtari që ka shënuar më shumë gola në Kupën e Italisë me fanellën e bardhezinjve, 11 në 23 takime.

– Lautaro Martinez ka shënuar 11 gola në 11 takimet e fundit me Interin në të gjitha veprimtaritë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“Privatizimi” i heronjve

Story i radhës

Zaev nga forumi në Sarajevë: Ballkani Perendimor duhet të bëhet një treg i vetëm

Të fundit nga