Në ditën kur nisi viti i ri shkollor në vend, në Sllovi të Lipjanit sot u përurua edhe çerdhja për fëmijët e këtij fshati.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti duke uruar të gjithë për këtë projekt, tha se gradualisht po ndërtojnë standardet e nevojshme për mirëqenie më të mirë për lipjanasit.
Ahmeti: Po ndërtojmë standardet e nevojshme për një mirëqenie më të mirë
“Më lejoni t’i uroj prindërit e Sllovisë fillimin e punës të çerdhes, normalisht që për neve është një ndjejnë e veçantë sepse për herë të parë kemi rastin me bë inaugurimin e kësaj çerdheje që do t’i shërbejë gjenerata të ardhshme, prindërve të Sllovisë për edukimin e tyre, vërtetë një ndjenjë e veçantë sepse ne sapo kemi filluar edhe një çerdhe të re në Shalë, do të vazhdojmë sot edhe në Gadime, dhe uroj të gjithë banorët e komunës tonë por edhe të Sllovisë që vërtet ta gëzojnë këtë çerdhe. Po besoj që gradualisht po i ndërtojmë standardet e nevojshme për një mirëqenie më të mirë të qytetarëve tanë. Ky investim është komplet i komunës me mjetet tona vetanake bashkë me UNICEF-in”, u shpreh Ahmeti.
Kurse, zëvendës shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Larissa Bruun tha se në Kosovë ekziston një përkushtim i përgjithshëm për arsim të hershëm, prandaj siç tha ajo, edhe ndihet e lumtur që është pjesë e këtij bashkëpunimi me komunën e Lipjanit.
Bruun: Në Kosovë ekziston një përkushtim i përgjithshëm për arsimin e hershëm
“Është e mrekullueshme të jesh pjesë e bashkëpunimit në zgjerimin e arsimit të hershëm. Komuna e Lipjanit ka bërë shumë në këtë drejtim dhe ne e dimë që keni një përkushtim të fortë. Në Kosovë ekziston një përkushtim i përgjithshëm për arsimin e hershëm dhe ne jemi të lumtur për bashkëpunimin mes Komunës dhe UNICEF-it në këtë drejtim”, tha ajo.
Gjatë ditës së sotme, edhe në fshatin Shalë të Lipjanit kanë nisur punimet në ndërtimin e një çerdheje./