Në Shkup shënohet përvjetori i pavarësisë së Ukrainës

min lexim

Ukrainasit në Maqedoninë e Veriut u mblodhën në Shkup më 24 gusht për të shënuar 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ky përvjetor përkon me gjashtëmujorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë organizim të Ambasadës së Ukrainës dhe shoqatës së ukrainasve “Lesja Ukraina”, që u mbajt në sheshin e Shkupit, morën pjesë edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Suedisë dhe Holandës.

Sekretari i parë i Ambasadës ukrainase në Shkup, Ruman Burga, tha se lufta që nisi Rusia në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka, si për shtetin e tij, por edhe për shtetet evropiane dhe SHBA-në.

“Ukrainasit dëshmuan se nuk mund të mposhten. I falënderojmë të gjithë që dëshmuan forcën në këtë kohë, të gjithë ata që luftuan dhe luftojnë për Ukrainën dhe të gjithë ata që ndihmojnë ushtarët tanë. Një falënderim i madh shkon për të gjithë miqtë tanë në gjithë botën për ndihmën dhe mbështetjen që dhanë për Ukrainën”, tha ai.

Oleksandar Urbanoviq nga shoqata e ukrainasve “Lesja Ukraina”, falënderoi Maqedoninë e Veriut për ndihëm e dhënë Ukrainës.

Ai tha se Maqedonia është “një shtet i vogël, por me zemër luan”.

“Ju i dhatë Ukrainës më shumë seç mundeshit. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë”, tha ai.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, edhe ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska e ka uruar homologun e saj ukrainas, Oleksei Reznikov.

Në letrën e urimit theksohet edhe një herë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, si dy elemente kyçe për pavarësinë e shtetit ukrainas.

“Për Maqedoninë e Veriut, dhënia e mbështetjes për çdo vend në botë në forcimin e të drejtës për vetëmbrojtje, liri dhe demokraci është me rëndësi më të madhe. Ne ishim një nga vendet e para që morëm një vendim për ndihmën ushtarako-teknike për Ukrainën”, theksohet në letrën e urimit të Petrovskas.

Maqedonia e Veriut i është bashkuar BE-së, SHBA-së dhe shteteve të tjera në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Shkupi, që është anëtar i NATO-s, po ashtu i ka dhuruar edhe tanke dhe është zotuar se do të vazhdojë mbështetjen me pajisje ushtarake për forcat e Kievit./REL

Story i mëparshëm

Bërns: SHBA luan rol të rëndësishëm për Ukrainën

Story i radhës

Ministrat e Mbrojtjes së BE-së javën e ardhshme diskutojnë për trajnimin e ushtarëve ukrainas

Të fundit nga