Në Shkup Forum për tranzicion të Bashkësisë Energjetike

Tranzicioni që po ndodh në botën e energjetikës në nivel global, evropian dhe maqedonas, si dhe mënyra për të zbatuar tranzicion të drejtë, të barabartë dhe korrekt energjetik për të gjithë të përfshirët, janë qëllimet kryesore të Forumit për tranzicion të drejtë të Bashkësisë Energjetike që sot mbahet në Shkup nën moton “Rruga drejt tranzicionit të qëndrueshëm dhe të drejtë energjetik”.

“Maqedonia e Veriut është në proces të transformimit të sektorit të saj energjetik në shumë aspekte siç është instalimi i centraleve fotovoltaike dhe elektrocentraleve me erë. Ky është vetëm fillimi i transformimit me të cilin do të ndryshojë përfundimisht përzierja energjetike e vendit. Forumi i tranzicionit të drejtë është pikërisht vendi ku do të diskutojmë se si të gjitha ndikimet e transformimit mund të dizajnohen në mënyrë të pranueshme ashtu që popullsia e vendit të ndihet si fitimtare së bashku me të gjithë vendin, deklaroi për MIA-n zëvendës drejtori i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike Dirk Bushle, para fillimit të Forumit.

Ai theksoi se çmimet e emetimeve të karbonit janë realitet në të gjithë Evropën dhe në shumë pjesë të botës.

“Kjo është kosto për elektrocentralet që funksionojnë me karburante fosile ndotëse dhe sinjal për të reduktuar emetimet e gazrave serrë, gjë që është e rëndësishme për çdo tranzicion, e nnjëherësh nxitë dëshirën për të kërkuar burime alternative të energjisë. Për këtë dedikim, vendoset taksë për karbonin. Në Bashkësinë Energjetike, besojmë se ka arsye shumë të mira për të vendosur taksë të tillë në rajon në mënyrë të koordinuar. Ne e vlerësojmë që Maqedonia e Veriut është lider në atë drejtim”, tha Bushle.

Forumi i tranzicionit të gazit, shtoi ai, është vend i mirë për të diskutuar ndikimet e një çmimi të tillë jo vetëm sepse e bën prodhimin e energjisë elektrike nga karburantet fosile më të shtrenjtë.

“Ndoshta mund të shkaktojë efekte sociale dhe të çmimeve, por do të ndihmojë në përshpejtimin e tranzicionit dhe investimeve në projekte të mençura në burimet e ripërtërishme të energjisë që do të kontribuojnë që Maqedonia e Veriut të zbatojë tranzicionin energjetik në mënyrë më të mirë”, bëri të ditur Bushle.

Tranzicioni i drejtë, siç tha ai në fjalën e hapjes së ngjarjes, fillon nga sektorët energjetik, por prek edhe shumë sektorë të tjerë. Politikanët, shtoi ai, duhet të krijojnë një vizion se ku do të shkojnë dhe sa shpejt do të shkojnë, si dhe çfarë hapash do të ndërmarrin drejt transformimit si mjet i rëndësishëm për kanalizimin dhe tërheqjen e investimeve të nevojshme që duhet të zbatohen për tranzicion të drejtë energjetik. Ai porositi se integrimi rajonal ilustrohet më së miri në sektorin energjetik.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike bëri të ditur se zgjedhja e Shkupit si vend ku do të mbahet Forumi për tranzicion të drejtë të Bashkësisë Energjetike nuk është e rastësishme sepse, siç tha ai, vendi është një vend ku tranzicioni i gjelbër është tashmë i dukshëm.

“Ndoshta nuk është e dukshme dhe e diskutuar me popullatën, por përfundimisht vendi është një udhëzues në zëvendësimin e energjisë së prodhuar nga thëngjilli me atë të prodhuar në burimet e ripërtërishme të energjisë. Ne nuk do të flasim në forum nëse vendet e rajonit do të transformohen apo jo, sepse ata tashmë po e bëjnë këtë, por për ndikimin e këtij tranzicioni”, tha Bushle.

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiq Duroviq theksoi se dekarbonizimi është në zemër të politikës së Bashkimit Evropian.

“Maqedonia e Veriut ka përgjegjësi kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike dhe duhet t’i respektojë politikat e BE-së, që do të thotë uljen e emetimeve të gazrave serrë. Si palë kontraktuese e Bashkësisë Energjetike, institucioni mund të na ndihmojë në zbatimin e rregullativave”, theksoi Çekiq Duroviq.

Ajo theksoi se dekarbonizimi është një nga shtyllat e Strategjisë kombëtare për zhvillimin energjetik deri në vitin 2040.

“Dekarbonizimi në vendin tonë ka katër aspekte. I pari është mbyllja e termocentraleve “Osllomej” dhe “Bitolla” dhe ndërprerja e prodhimit të energjisë me thëngjill, i dyti rritje e hises së burimeve të ripërtërishme të energjisë, i treti është ulja e varësisë nga importet e energjisë elektrike dhe i katërti ruajtja e pyjeve”, tha Çekiq Duroviq duke shtuar se kemi bërë përparim të rëndësishëm në drejtim të dekarbonizimit.

Përkujtoi se në qershor të këtij viti, është miratuar Udhëzuesi për tranzicion të drejtë dhe është vendosur strukturë që do të udhëheqë procesin.

“Në këtë proces nuk mund të veprojmë të vetëm. Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm së bashku me mbështetjen e BE-së dhe Bashkësinë Energjetike për të arritur qëllimet e tranzicionit të energjisë së gjelbër të ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi”, theksoi Çekiq Duroviq.

Bashkësia Energjetike është organizatë ndërkombëtare që bashkon Bashkimin Evropian dhe fqinjët e saj për të krijuar treg të integruar panevropian të energjisë. Vë theks të konsiderueshëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke e pozicionuar atë në krye të agjendës së saj politike. Përkushtimi ndaj dekarbonizimit materializohet duke vendosur qëllime ambiciozë për klimën dhe energjinë për vitin 2030 si për Bashkësinë Energjetike, ashtu edhe për palët kontraktuese të saj.

Fokusi aktual është në implementimin efikas të Paketës energjetike për energji të pastër, së bashku me integrimin e Planeve kombëtare energjetike dhe klimatike. Zhvillimet e fundit, siç është miratimi i rregullativës së BE-së për mekanizmin e përshtatjes së kufirit të karbonit, si dhe vendimet e ardhshme për vendosjen e çmimit për emetimet e karbonit në përputhje me çmimet në Bashkimin Evropian nga palët kontraktuese, vendosin konceptin e tranzicionit të drejtë në kuadër të diskursit politik. Kjo i referohet edhe nevojës për vendosjen e instrumenteve për të lehtësuar tranzicionin e drejtë, e njëherësh edhe mbrojtje të kategorive më të rrezikuara të konsumatorëve.

Forumi në Shkup ka katër panele që do të përqendrohen në përpjekjet për të adresuar aspektet kryesore të tranzicionit të drejtë – planifikimin dhe implementimin; politikat, njerëzit dhe mjedisin; dhe financimin.

Story i mëparshëm

Kë po thumbon Fitta në projektin “Kallash”?

Story i radhës

Tensionet Kosovë – Serbi, Baerbock të enjten në Tiranë

Të fundit nga