Ish-kandidati për kryetar të LVV-së në Podujevë, Bedri Maçastena në një intervistë për “Bota sot” ka folur për zgjedhjet në atë qendër dhe për refuzimin e kandidimit të tij për kryetar të degës, përkatësisht të qendrës së VV-së në këtë komunë.
Ai thënë se nuk ka pranuar ndonjë arsyetim me shkrim për refuzimin e tij duke shtuar se qëllimi ka qenë që kundërkandidati të nxirret fitues nga kjo garë dhe e vetmja garancë për fitore ishte që ai të mos kishte kundërkandidat.
Tutje, Maçastena flet edhe për punën e kryetarit aktual të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për të cilin thotë se po sheh anulime të vendimeve, të konkurseve për shkak të shkeljeve apo ndërhyrjeve që po bëhen, po ashtu po shihen edhe projekte që po realizohen dobët.
Sa i përket dorëheqjeve në atë komunë, ai flet me kompetencë të plotë për drejtorinë që e ka udhëhequr, që ka qenë ajo e Inspeksionit.
Kurse, sa i përket pakënaqësive brenda VV-së, Maçastena nuk e mohon, por deklaron se mund të jenë të heshtura.
Intervista e plotë:
“Bota sot” Pse është refuzuar kandidatura juaj për kryetar të Vetëvendosjes në Podujevë, cili ka qenë qëllimi?
Bedri Maçastena: Nuk kam pranuar arsyetimin me shkrim, domethënë nuk e di përpos që përmes telefonit më kanë treguar që jam eliminuar nga gara. Dikush ju frikësua garës dhe kërkoj rrugë të tjera për me ardhë deri te “fitorja” duke mos lejuar zhvillimin e demokracisë. Qëllimi ka qenë që kundërkandidati të nxirret fitues nga kjo garë dhe e vetmja garancë për fitore ishte që ai të mos ketë kundërkandidat. Me këtë veprim është dëmtuar shumë ky proces.
“Bota sot”: Tani do të mbahen zgjedhjet brenda VV-së, si do të jenë, s’do të ketë kundërkandidat?
Maçastena: Nuk do të ketë kundërkandidat. Ka një kandidat të imponuar pa pasur mundësi zgjedhje, këtu nuk do të ketë fitues. Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 2010 në qendrën tonë kur në garë për kryetar qendre ishin dy kandidatë. Ky veprim i ngjan më shumë një emërimi të kryetarit të qendrës.
“Bota sot”: Pse ka reagime të tilla në VV, a mos janë në pyetje ndikimet nga partitë e tjera, apo ku burojnë pakënaqësitë realisht, si ndaj vetë VV-së edhe nga qendra ndaj individëve, pasi janë bërë shumë raste?
Maçastena: Po këto reagime janë normale sepse janë shkelur të drejtat që garantohen me statut. Nuk ka ndikime nga partitë e tjera, po flas për qendrën në Besianë. Më shumë mendoj që personat që kanë marr këto vendime janë informuar në mënyrë jo institucionale dhe nga persona jokompetent për vlerësimin e kandidaturës sime në rastin konkret.
“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen komunale nga bashkëpartiaku juaj, kryetari Shpejtim Bulliqi në komunë?
Maçastena: Po shohim çdo ditë anulime të vendimeve, anulime të konkurseve për shkak të shkeljeve apo ndërhyrjeve që po bëhen. Po shohim edhe projekte që po realizohen dobët. Por, kjo kërkon një kohë më të gjatë për vlerësim më të drejtë.
“Bota sot”: Në Podujevë ka pasur disa dorëheqje të disa drejtorëve, pse ndodhën këto?
Maçastena: Po kemi disa dorëheqje dhe së paku një shkarkim deri më tani. Kam informata më shumë për drejtorinë e Inspeksionit pasi që isha udhëheqës i asaj drejtorie. Kryetari aktual i komunës në vazhdimësi ka tentuar të ushtrojë ndikim mbi këtë drejtori dhe mbi inspektorët komunal në veçanti gjë që është në kundërshtim me kompetencat e tij si kryetar.
“Bota sot”: Është raportuar për dy konkurse në komunë dhe janë mbyllur pa aplikuar askush, pse po ndodhë kështu?
Maçastena: Nuk e kam këtë informacion.
“Bota sot”: A ka pakënaqësi brenda Lëvizjes në komunë?
Maçastena: Edhe mund të ketë, por ato mund të jenë të heshtura.
“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për situatën e krijuar mes Qeverisë dhe SBASHK-ut?
Maçastena: Ish dashur që takimet të fillojnë gjatë sezonit veror dhe data 1 shtator 2022 t’i gjejë të dakorduar sepse më së shumti janë duke pësuar fëmijët.
“Bota sot”: Si e vlerësoni në përgjithësi punën e Qeverisë Kurti?
Maçastena: Po mundohet të bëjë më të mirën e mundshme. Po shihet që po ka vështirësi, ne qytetarët duhet ta duam vendin më shumë dhe t’ia mundësojmë që Kurti t’i realizojë premtimet.
“Bota sot”: Cili është vendimi juaj për veprimtarinë e mëtejshme politike, a do të mbeteni në VV apo do të ‘transferoheni’ në ndonjë parti?
Maçastena: Unë jam aktivist dhe do ta vazhdojë punën si aktivist, pavarësisht mohimit të kandidaturës sime. Koha do ta dëshmojë që është bërë gabim. Ka pas situata edhe më të vështira dhe me punën tonë ia kemi dalë. Do t’ia dalim prapë sepse ne e shohim një shpërputhje të madhe të kandidatit për kryetar qendre me subjektin e LVV. Aktivisti nuk ndalet së punuari as brenda, as jashtë organizatës.