Bëhet fjalë për “Vipera Amodites” apo gjarprin e gurit, që sipas biologëve në këtë periudhë të vitit është më aktiv në këtë pjesë, por edhe në Malësi të Gollakut.
“Në këto ditë të verës është e zakonshme me pa gjarpër helmues, sepse është edhe koha kur janë aktiv në këtë periudhë, në këtë stinë të vitit”, tha biologu, Bujar Krasniqi.
Megjithatë sipas tij, kafshimet prej gjarpërinjve janë shumë të rralla.
“Janë të rrezikshëm mirëpo jo në atë masë sa të që bëhet një lloj paniku sepse asnjëherë nuk e gjejmë një gjarpër që sulmon i pari. Ato edhe kafshimet që ndodhin janë shumë të rralla, ndodhë zakonisht kur shkilet, kur nuk shihet nga qytetarët”, deklaroi ai, raporton Tëvë1.
Por, në rast të kafshimit, Kosova ka mjaftueshëm serume kundër helmit të tyre.
“Ju informojmë se institucionet shëndetësore, të cilat i furnizon Ministria e Shëndetësisë (QKMF-të dhe spitalet regjionale), janë furnizuar me sasi të mjaftueshme me serumin kundër kafshimit të gjarprit. Gjithashtu, në bazë të kërkesës së IKShPK-së ka sasi të mjaftueshme të këtij serumi edhe në stok”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht kësaj, mjekët kanë një thirrje për qytetarët.
“Ndonëse ne jemi të furnizuar me serum mjaftueshëm, duhet të apelojmë tek qytetarët që të bëjnë vet-kujdes sepse mënyra më e mirë është shmangia nga ato zona ku ekziston mundësia e kafshimit nga gjarpërinjtë dhe të përdorin masa mbrojtëse, siç janë çizme, pra masa të tilla që e bëjnë të pamundur te kafshimi i gjarprit”, tha infektologu, Arben Vishaj.
Në Kosovë gjenden disa lloje të gjarpërinjve helmues.
E helmimi i tyre çon deri në humbje të jetës, në rast se nuk trajtohet në kohë.