Artistet shqiptare, Luana Vjollca dhe Beatrix Ramosaj, kanë qenë së bashku në një Live në Instagram, ku kanë folur rreth bullizmit dhe traumës.
Në pyetjet drejtuar nga moderatorja, që tashmë ka nisur një projekt e kauzë të re, 27-vjeçarja ndau me ndjekësit përvojën e saj dhe bullizmin që i është bërë.
Ajo ka folur më shumë për komentet negative që ka marrë përgjatë kësaj kohe dhe shtoi se asgjë nuk është bërë për vëmendje.
“Ne thjesht po shohim punën tonë, nuk po cenojmë njeri, nuk po komentojmë njeri. Shikoni jetën tuaj, nëse nuk ke diçka të mirë për të thënë, mos thuaj fare. Nga gjithë kjo dhunë verbale që bëhet ka raste edhe që kanë vrarë veten. Nuk po e bëjmë për vëmendje, po flasim për një fenomen, kemi një qëllim”, u shpreh Ramosaj.
Bisedës së tyre iu bashkua edhe Mirgit Vataj, drejtues i Linjës Kombëtare, ku tregoi më shumë se si mund të trajtohet bullizmi dhe se çfarë duhet bërë në këtë drejtim.
Trixa më tej tha se ka marrë ndihmë online dhe se ka bërë disa seanca që e kanë ndihmuar shumë.
“Edhe unë kam marrë ndihmë online, u futa në një faqe të huaj. Gjeta një terapiste shumë të mirë, bëra disa seanca dhe më ka ndihmuar shumë. Nuk jeni vetëm, secili prej nesh po luftojmë. Kërkoni ndihmë, mos kini turp. Më shkruani edhe mua. Kam bashkëpunuar me njerëz shumë të mirë. Secili prej nesh kemi fuqinë të jetojmë në një botë më të mirë dhe të dashur”, vazhdoi më tej bukuroshja shqiptare.
Këtë periudhë Beatrixa thotë se ka vuajtur shumë dhe se nuk ka qenë e lehtë aspak.
“Nuk ka qenë e lehtë, mbase më shumë e kam vuajtur që prej meje kanë bërë komente negative. E kam vuajtur shumë, nuk është një gjë e thjeshtë, por që kur fillon e kupton që nuk është problemi te ti por është te ata, nuk të vret më njësoj”, tha këngëtarja.
Luana në anën tjetër në vijim do të shpalojë edhe disa detaje të tjera nga jeta në kuadër të projektit “Thuaje”.