E nderuara Sindikata të arsimit në Kosovë, të nderuar mësimdhënës, mendoni me mendje dhe zemër të profesionit tuaj fisnik, dhe nesër, më 1 shtator kthehuni në punë dhe pritni nxënësit në ditën e parë të këtij fillim-viti shkollor dhe mos u bëni turpi i vetes tuaj, i profesionit tuaj fisnik, dhe gazi i armiqve të Kosovës.
Edhe atë pagë që e kanë marrë mësimdhënësit në Kosovë deri sot aspak nuk e kanë merituar.
Këtë e dëshmoi edhe dhunimi makabër që iu bë vogëlushes 11 vjeçare në mes të Prishtinës nga pesë të rinj shqiptarë me shpirt krimineli, sepse kjo është pasojë edhe e edukatës që është dashur t’ua japin nxënësve mësimdhënësit nëpër shkollat ku punojnë, kur dihet se hallka e dytë e edukatës së fëmijëve pas familjes është shkolla.
Unë shkollën fillore dhe të mesme e kam kryer në Dibër më shumw e gjysmë shekulli më parë, dhe më kujtohet si sot, kur në çdo orë të kujdestarisë që mbahej çdo të hëne, kujdestari i klasës na mbante orë me këshillat praktike për edukatën qytetare.
Kujdestari me shembuj konkretë na fliste për mirësjelljen që ne si nxënës duhet ta kemi ndaj prindërve, anëtarëve të familjes dhe farefisit. Ndaj më të moshuarve në qytet. Ndaj sjelljeve në shkollë dhe jashtë saj. Ndaj higjienës personale dhe ambientit jetësor. Ndaj sjelljeve tona në shoqëri dhe ndaj dashurisë për kombin e atdheun.
Më kujtohet kur u hap për herë të parë Gjimnazi në gjuhën shqipe në Dibër, kur mësimdhënësit shqiptarë punuan gjysmë viti pa pagesë, gjersa u krijuan kushtet për një pagesë modeste për punën e tyre të shkëlqyeshme.
Asokohe në Maqedoni shkollat e mesme dhe fakultetet në gjuhën shqipe ishin të pakta, dhe Kosova pati guximin dhe sakrifikoi që t’i pranojë në shkollat e mesme në gjuhën shqipe dhe në fakultetet në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë dhe në Ferizaj, të gjithë nxënësit dhe studentët që dëshironin të studiojnë në gjuhën shqipe në Kosovë.
Kjo sakrificë vëllazërore e Kosovës për arsimimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë që nga Maqedonia i dha një hov të madh arsimit në Maqedoni me kuadro shqiptare të të gjitha profileve, dhe krijoi bazë të shëndoshë për arsimin shqip në Maqedoni.
Mësimdhënësit e Kosovës, profesorët e studentët shqiptarë ishin flakadanët e parë të rezistencës në Kosovë, kundër suprimimit që krimineli Sllobodan Milloshiviq ua bëri organeve të administratës, të arsimit, bujqësisë, shëndetësisë dhe të gjitha hallkave tjera të jetës në Kosovë.
Në atë kohë që Serbia kriminale vendosi aparteid në Kosovë, profesorët dhe mësimdhënësit, e organizuan mësimin dhe studimin paralel në gjuhën shqipe nëpër shtëpitë private dhe në kushte tepër të vështira e të rrezikshme për jetën.
Në atë kohë të vështirë profesorët, mësimdhënësit, studentët dhe nxënësit protestonin kundër Serbisë kriminale dhe kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Të rikujtojmë se kjo kulmoi me agresionin gjenocidal të Serbisë kriminale në Kosovë në vitet 1998/99, duke shkaktuar vrasjet. masakrimet, dhunimet nga më monstruozet që njeh njerëzimi.
Ky gjenocid i Serbisë kriminale u ndërpre nga bombardimet 78 ditore të avionëve të NATO-s ndaj caqeve serbe, dhe me ndihmën e luftëtarëve të UÇK-së, që solli çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Protestat e sotme në shërbim të opozitës shqiptare dhe Serbisë kriminale
Sindikata e arsimit dhe sindikatat e nëpunësve publikë në Kosovë tashmë disa ditë janë në grevë për rritjen e pagave.
Albin Kurti dhe Qeveria e tij deklaruan se Ligji për pagat është në procedurë e sipër, megjithatë grevistët i japin të drejtë vetes t’i lajmërojnë nxënësit që të mos shkojnë nesër, më 1 shator në shkollë, në ditën e parë të këtij fillim viti shkollor.
Kjo tregon një papërgjegjësi të madhe nga ana e Sindikatave të arsimit dhe nga arsimtarët që e mbështesin këtë grevë.
Kjo grevë kundërmon më shumë si grevë politike për ta rrëzuar Albin Kurtiin dhe Qeverinë e tij.
Greva dhe protesta duhet të ketë kundër milionerëve të pasluftës, kundër korrupsionit dhe keqeverisjes së opozitës së sotmë në Kosovë në 22 vitet e kaluara, që e vodhën dhe ia thithën si ushunjëza gjakun popullit të shumëvuajtur të Kosovës, e jo kundër Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij, që trashëguan një Kosovë të alivanosur financiarisht dhe ekonomikisht, por me gjithat Albin Kurti dhe Qeveria e tij po bëjnë të pamundurën në të mirë të Kosovës dhe të popullit të Kosovës.
E nderuara Sindikata të arsimit në Kosovë, të nderuar mësimdhënës, mendoni me mendje dhe zemër të profesionit tuaj fisnik dhe nesër, më 1 shtator kthehuni në punë dhe pritni nxënësit në ditën e parë të këtij fillim viti shkollor, dhe mos u bëni turpi i vetes tuaj, turpi i profesionit tuaj fisnik, dhe gazi i armiqve të Kosovës.