Sot në ITSHKSH u mbajt një ceremone solemne
kushtuar festës së Krishtlindjeve, ku morën pjesë përfaqësues të korit
diplomatik dhe të komuniteteve fetare. Festa e Krishtlindjeve është
një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera.
Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet
lindja e Jezu Krisht. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të
krishterët.Përveç anës spirituale dhe fetare, festa e krishtlindjeve
vjen në mbarë botën si një nga festat më të bukura dhe më të pëlqyera
nga të gjithë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që ITSHKSH është përcaktuar që nga viti i
kaluar bashkë me të punësuarit, si dhe miqtë t e shumë, përfshi edhe
komunitetin katolik shqiptar në Shkup, ta shënojë këtë ditë dhe ta
bëjë një festë tradicionale në kalendarin e ngjarjeve që do të
përmbyllin vitin në këtë Institut.
Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, në fjalën e
tij përshëndetëse tha se festa e Krishtlindjeve sërish na fton të jemi
më afër njeri tjetrit, sidomos në një kohë kur globi ndodhet i kapluar
nga trazirat, uria dhe dyndjet e popujve.
“Nëse i marrim për bazë mesazhet e Papa Françeskut, i cili disa herë
bëri thirrje që arsyeja njerëzore të dominojë në zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve, atëherë edhe këto Krishtlindje do të duhej t’i
shfrytëzojmë si një rast i volitshëm për të shpënda frymën e këtyre
mesazheve… Betejat njerëzore për më shumë liri dhe dinjitet, kanë qenë
gjithmonë gurë peshoreje që kanë matur vlerat dhe jovlerat, që kanë
determinuar kufinjtë në mes të mirës dhe të keqes. Dhe një festë si
kjo që po e shenojmë sot, është një dritë më shumë në tunelin e gjatë
të mosmarrëveshjeve në mes të njerëzve. Kjo është edhe arsyeja që ne
si Institut kemi zgjedhur pikërisht rrugën e dritës për ta bërë më të
dukshme rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një mirëkuptimi shoqëror,
pa dallim përkatësive fetare e kombëtare”, nënvizoi Asani.
Nga Ipeshkvia e Kosovës ishte Dom Lush Gjergji, i cili në fjalën e tij
të rastit tha se historia e njerëzimit ndahet në dy pjesë themelore:
para dhe pas Krishtit. Pyetja kryesore është kjo: çka ka ndryshuar me
lindjen, ardhjen, mishërimin e Jezu Krishtit prej Virgjëreshës Mari në
shpellën e Betlehemit? Shumë, gjithçka, tha Dom Lush Gjergji, pasi
Zoti dhe Njeriu nuk janë më të largët, të panjohur, armiq, por
afër-bashkë, sepse Ai erdhi për ta ndëruar, përmirësuar, pajtuar
njeriun me Zotin, të afërmin, vetveten.
Në këtë ceremony solemne ishte pretzent edhe një emër tjetër i veçant
i botës sonë intelektuale e shpirtërore, e cila përveç kontributit të
saj shumëvjeçar në gazetari u shqua edhe për një aktivizëm të theksuar
qytetar. Ajo është Dijan Toska e cila në fjalën e rastit foli për
trininë shqiptare e cila persobifikohet përmes tre burrave shqiptarë –
Presidenti Ibrahim Rugova, ish Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi dhe
ish Kryeimami i Kosovës, Rexhep Boja. Këta burra shqiptarë, tha Dijana
Toska, përfaqësojnë harmoninë dhe mirëkuptimin kombëtar e fetar dhe
ata ishin frymëzim për një shoqëri të tërë e cila i rezistoi
represionit millosheviqian në vitet e nëntëdhjeta. Ajo porositi që kjo
frymë mirëkuptimi të kultivohet edhe në ditët e sotme, dhe kjo mud të
bëhet duke përgatitur një strategji për organizimin e jetës liturgjike
në gjuhën shqipe në Shkup.
Ceremonia e sotme solemne pati edhe pjesën e saj artistike, filimisht
përmes pjesëve instrumentale: “Natë e qetë” dhe “Baresha”, të
interpretuara nga çifti Starova-Memeti dhe në fund paraqitja simpatike
e korit të fëmijëve “Fluturat”, udhëhequr nga Arjana Kuriu-Grubi, me
këngët: Qingji i vogël, Ylli i vogël, Zogu i bukur (shoqëruar me
piano), Nëse je i lumtur … dhe Zilja tringëllon….