ne germadhat e burgut famekeq te spacit meshe e shenjte dhe u nderua kujtimi i te perndjekurve politike 6a6edad0a4b1d

Në gërmadhat e burgut famëkeq të Spaçit: Meshë e Shenjtë dhe u nderua kujtimi i të përndjekurve politikë

August 2, 2026
min lexim

Burgu famëkeq i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Në gërmadhat e burgut , u përkujtua me dinjitet e respekt sakrifica e të burgosurve politikë që sfiduan regjimin komunist. 

Pas dekadash, në vendin ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Simoni Troshani. 

Me të mbërritur atje, ai vizitoi ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar vitet e persekutimit dhe sakrificën e qindra të dënuarve politikë.

Kardinali 98-vjeçar Ernest Simoni Troshani, dëshmitar i gjallë i atyre torturave, udhëhoqi Meshën e Shenjtë me energji të pazakontë, ndërsa Papa Leoni XIV dërgoi bekimin e tij të veçantë për këtë akt lutjeje e kujtese.

Në këtë vend, ku genocidi komunist dënoi, torturoi, vrau e humbi pa shenjë e pa nishan shumë të burgosur, u organizua revolta e parë antikomuniste. 

Të burgosurit ngritën flamurin kombëtar pa yllin bolshevik dhe nuk u pajtuan kurrë me regjimin gjakatar. 

Spaçi mbetet një nga faqet më të dhimbshme të historisë shqiptare, ku gjaku i atyre që vuajtën e vdiqën midis maleve e ka ujitur tokën, duke e kthyer në dëshmitar të heshtur të besnikërisë, guximit e shpresës.

Kardinali Ernest Troshani, që kaloi vite të gjata në këtë vend-ferr, i dënuar mizorisht vetëm sepse mbajti Meshë në nderim të presidentit amerikan Kennedy, u kthye sot si simbol i qëndresës. 

Ai, që riskonte jetën çdo herë që kremtonte Meshën fshehurazi në latinisht, që dëgjonte rrëfimet e shpërndante Kungimin midis të burgosurve, sot me zë të qartë e me shpirt të fortë u lut për shpirtrat e martirëve. 

Në fjalën e tij rreth 20-minutëshe, Kardinali Ernest Troshani bëri një analizë të thellë e të jashtëzakonshme të botës së sotme, duke e krahasuar me “një autopsinë shumëdimensionale”. 

Ai rikujtoi me detaje se si, gjatë viteve të burgut në Spaç, kremtonte Meshën fshehurazi në latinisht, duke rrezikuar jetën çdo herë: “Rrezikoja jetën time sa herë që e bëja. Nëse do të më kishin zbuluar, do të më varnin menjëherë”. 

Kardinali tregoi edhe kaskën e minatorit që mbante kur punonte 600 metra nën tokë dhe theksoi se lutjet që ngriheshin nga ai vend-ferr kurrë nuk u ndërprenë. 

Ai u lut jo vetëm për martirët, por edhe për shpëtimin e atyre që i torturuan, duke nënvizuar se dashuria e Krishtit triumfon mbi urrejtjen.

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, z. Et’hem Fezollari, në fjalën e tij theksoi se Spaçi, nuk është vetëm një gërmadhë, por një dëshmi e gjallë që nuk duhet lejuar të harrohet. 

Ai tha se “sot, pas më shumë se tre dekadash demokraci, të lënë eshtrat e të vrarëve pa gjetur është krim” dhe kërkoi që ky vend të kthehet në qendër kombëtare kujtese e pelegrinazhi. 

Fezollari u drejtua familjarëve të martirëve me thirrjen: “Mos shkelni mbi vuajtjet dhe sakrificat e tyre. Ato janë themelet e lirisë që gëzojmë sot”. 

Ai vlerësoi veçanërisht praninë e Kardinalit si simbolin e qëndresës që u mbijetoi ferrit komunist dhe u bë burim shprese për të gjithë të përndjekurit.

Ky vend duhet të kthehet në qendër kujtese e pelegrinazhi. 

Historia e sakrificës, e qëndresës e e guximit të njerëzve e familjeve më fisnike, që për dekada qëndruan në misionin antikomunist, duhet shkruar, lexuar e botuar në librat shkollore. 

Në kujtim të atyre që u dënuan e u martirizuan për ndjenjat atdhetare, nacionaliste, antikomuniste e besimin në Zot, por që sot nuk jetojnë, u ngritën lutjet e u dha homazh.

Mesazhi për familjarët, trashëgimtarët e të afërmit e të dënuarve e të martirizuarve është i qartë, mos harroni e mos shkelni mbi vuajtjet, qëndresën, kontributin e vlerat e atyre që ëndrrat për liri e dinjitet i paguan me shëndetin, vështirësitë, ndarjen nga familjet, me gjakun, ditët, vitet e jetën e tyre të çmuar.

Papa Leoni XIV, në mesazhin e tij të lexuar në përfundim të Meshës, theksoi: “Asnjë zinxhir nuk është mjaftueshëm i fortë për të burgosur një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli; asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për fëmijët e Tij; dhe asnjë burg nuk është mjaftueshëm i thellë për të ndarë një person nga dashuria e Zotit.” 

Papa Leoni XIV u lut që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë e të shërbejë si kujtesë e përhershme për gjeneratat e reja mbi dinjitetin e paprekshëm të çdo njeriu, vlerën e lirisë e angazhimin për paqe.

I përjetshëm kujtimi i martirëve antikomunistë. Lusim Zotin që t’u japë shëndet e ngrohtësi familjare atyre që vuajtën në burgjet e diktaturës e që sot jetojnë si dëshmitarë të kujtesës e historisë së tmerrshme.

Aktiviteti u organizua me përkushtim nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, me pjesëmarrje të gjerë nga drejtues të Kishës, të besimeve të tjera, autoritete vendore, deputetë e përfaqësues diplomatikë.

Në Spaç, ku dhimbja u kthye në lutje e kujtesa në mision, shqiptarët e sotëm gjejnë forcën për të mos harruar kurrë.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ne javen e ardhshme marrim vesh gjithcka flet kurti 6a6eda550ff60
Lajmi i mëparshëm

“Në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”/ Flet Kurti

trump thote se ka pezulluar sulmin ndaj iranit 6a6edb30b5b4c
Lajmi i radhës

Trump thotë se ka pezulluar sulmin ndaj Iranit

Të fundit nga

ShkoLartë