Shkup, 26 dhjetor – Për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit, të shtunën kanë hyrë në fuqi rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit për grimcat e pezulluara deri në 10 mikrometra në Shkup, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë, ndërsa nga dje edhe në Gostivar. Vendimi për hyrjen në fuqi të masave dhe rekomandimeve është marrë nga Qeveria në bazë të informacioneve të marra nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, pasi në pikat matëse në këto qytete është tejkaluar dy ditë radhazi, vlera e grimcave PM10 prej 150 mikrogramë për metër kub.
Në përputhje me këto rekomandime dhe masa, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë janë të obliguara t’u rekomandojnë të gjitha subjekteve juridike (punëdhënësve) t’i lirojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat më të moshuar se 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt të kaluar miokardiak ose sulm në tru, pa dallim të moshës, me rekomandim të mjekut amë, më pas të riorganizojnë orarin e punës dhe personat të cilët punojnë në të hapur nga ora 11.00 deri në orën 17.00, të rekomandojnë që të mos organizohen gara sportive dhe manifestime të tjera kulturore në të hapur dhe të sigurojnë kushte për aktivitete të rritura të shërbimeve të ndihmës së shpejtë mjekësore, vizitës shtëpiake dhe shërbimit të patronazhit.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, shtëpinë e shëndetit dhe komunat duhet të sigurojnë strehimore për akomodimin e të pastrehëve dhe t’u japin ndihmë personave të vetëm pleq përmes vizitave të organizuara.
Nga Qeveria informoijnë se konform konkluzioneve, Ministria e Shëndetësisë duhet të obligojë Shërbimin për ndihmë të shpejtë mjekësore të dorëzojë Informacion në ISHP për numrin e thirrjeve (sipas diagnozës/kodit të MKB10, gjinisë, moshës, vendbanimit/komunës) gjatë kohëzgjatjes së episodit të ndotjes alarmuese të ajrit në bazë ditore, deri në përfundimin e saj, si dhe një javë pas përfundimit.
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, nga ana tjetër, në përputhje me rekomandimet dhe masat, duhet të fillojë ushtrimin e kontrollit më të shpeshtë të instalimeve që posedojnë leje A-ISKZ, të zbatojë matje kontrolluese të emisioneve të substancave ndotëse në ajrin ambiental me laboratorin e akredituar me qëllim që të përcaktohet nëse zbatohen kushtet/masat e përcaktuara në Lejen në raport me emisionet në ajër.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informon edhe se do të përgatisë dhe dorëzojë rekomandim deri te Instalimet që posedojnë leje A-ISKZ për uljen e kapacitetit të prodhimit deri 50 për qind, me çka nga kjo masë do të përjashtohen instalimet që prodhojnë energji termike ose elektrike.
SIpas konkluzioneve qeveritare, njësitë e vetëqeverisjes lokale janë të obliguara t’i zbatojnë masat e përcaktuara në planet afatshkurtra ose masat afatshkurtra të miratuara në këshillat e komunave.
Njëkohësisht, Qeveria i obligoi të gjitha organet e administratës shtetërore, agjencitë, fondet, byrotë, entet, ndërmarrjet publike dhe SHA-të në pronësi shtetërore, si dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale që ta ulin përdorimin e automjeteve zyrtare deri në 50 për qind dhe të sigurojnë kufizim të punëve në objektet ndërtimore.
Burimi: zhurnal.mk