Në ditën e presidentit kushtuar Ibrahim Rugovës – Kosova nderon Xhim Xhemën

May 31, 2022
min lexim

Të martën me 24 Maj, në Ditën e Presidentit, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dekoroi z. Jim Xhema, shqiptaro-amerikanin e njohur, lobistin, patriotin e madh dhe filantropistin e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin botuar në portalin e Presidencës së Republikës së Kosovës, thuhet se në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të Zëvendësambasadorit të SHBA-ve, z. Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të Federatës Pan-Shqiptare, “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, dekoroi z. Jim Xhema me “Urdhrin e Lirisë”.

Z. Xhim Xhema ishte dekoruar më parë edhe me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, nga Presidenti historik, Dr.Ibrahim Rugova.

Në të njëjtën ceremoni, ditën e martë, me 24 Maj, 2022, Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin, “Dr. Ibrahim Rugova” edhe amerikanin, Z. Christopher Hyland. Z. Hyland është i njohur për komunitetin tonë në Nju Jork dhe më gjërë. Ai ka qenë zyrtar i lartë i fushatës për president të Z. Bill Clinton dhe ka punuar shumë ngusht me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ishte bërë pjesë e pa ndarë e këtij komuniteti me përpjekjet e tija në mbështetje të çeshtjeve kombëtare të shqiptarëve, sidomos në promovimin dhe ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës gjatë 1990-ave.

Presidentja Dr. Vjosa Osmani vlerësoi kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite, ndërsa ka thenë: “Duke e rikthyer vëmendjen tonë te miqtë e Kosovës dhe atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave.

Nuk është e rastit që Presidentja Osmani i dekoron veprimtarin dhe afaristin e dalluar në Amerikë, Xhim Xhemën me dekoratën, “Urdhri i Lirisë”, pikërisht, në Ditën e Presidentit, që festohet në Kosovë — kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës. Z. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkpunuar ngusht me njëri tjetrin për të ndërkombatirizuar çeshtjen e Kosovës gjatë viteve 90-a dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës. “Presidenti Rugova”, ka thenë Xhim Xhema për Zërin e Amerikës disa vite me parë, “ishte një udhëheqës largpamës, një njeri që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi”, ka shtuar ai, “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”.

“Shpresoj që udhëheqësit e rinj të Kosovës”, është shprehur me atë rast Xhim Xhema, “të përqafojnë udhëheqjen paqësore të President Rugovës, një qëndrim që u ka siguruar shqiptarëve mbështetje në pjesën më të madhe të botës”, ka thenë Xhema për Zërin e Amerikës në vitin 2010.

Përveç atdhedashurisë së tij të flakët, Xhim Xhema dallohet për veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë se dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për kauzat shqiptare në Washington, sidomos për çlirimin e Kosovës, duke siguruar mbështetjen e dy partive politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë. Kishte “berë për veten”, politikanët më të dalluar dhe më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim.

Është e pamundur të thuhet se sa shërbime i ka bërë Xhim Xhema gjatë 50-viteve të kaluara, Kosovës dhe Kombit shqiptar, lirisë e demokracisë dhe interesave shqiptare në përgjithësi, duke ndërtuar ura të forta miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kohët e fundit, mësova se kishte qenë vet Xhim Xhema, i cili kishte kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që Presidenti Ronald Reagan, që në vitin 1985, të dekoronte murgeshën shqiptare, Nenë Terezën me “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, dekorata më e lartë që jep presidenti i Amerikës, personave, “Me kontribute të veçanta ndaj sigurisë ose interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, paqës botërore ose arritjeve të mëdha publike ose private”. Deshta ta përmend këtë fakt dhe hollësi të aktivitetit të Xhim Xhemës për të pasqyruar veprimtarinë shumë dimensionale të tij, me qëllim për t’i zbardhur faqen Kombit tonë para popullit amerikan dhe botës.

Image

Foto arkiv

Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij që kishte lidhur me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çeshtja e Kosovës”, (the Kosovo issue”) siç i referoheshim krizës në Kosovë atëherë në fjalorin e përditshëm – në mbrojtje të të drejtave dhe lirive për shqiptarët në përgjithësi. Ishte një periudhë shumë kritike në historinë e shqiptarëve në shekullin XX – kur interesat e tyre kombëtare ishin vendosur në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin XXI.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Meritat e njohura dhe të panjohura të Xhim Xhemës gjatë dekadave janë aq të mëdha e aq të shumta, sa që nuk ka dekorata që mund të shpërblejnë veprat patriotike dhe humane të tija për një gjysëm shekulli. Modestia e tij është vërtetë një pasqyrim i asaj thënjes biblike “Mos ta dij dora e majtë çfarë bën dora e djathtë”. Të gjithë ata që e njohin Xhimin, e dinë se nuk i pëlqejnë lavdet dhe vlerësimet. Më fal Xhimi, por nuk kisha si mos ta shënojmë dhe ta vlerësojmë, me këtë rast, dekoratën shumë të merituar, “Urdhri i Lirisë”, që u dha Presidentja e Republikës së Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e të cilës punove aq shumë. Është domethënës fakti se kjo dekoratë të jepet, pikërisht, në Ditën e Presidentit — kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, mikut tënd të madh. Është gjithashtu një rast për të rikujtuar veprimtarinë tuaj — edhe këtij brezit të sotëm të shqiptarëve — me miqët tanë amerikanë në mbrojtje të interesave kombëtare, por edhe të ritheksojmë dhe të “ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, siç u shpreh edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Urimet janë shumë me vend për dekoratën e lartë të Republikës së Kosovës, “Urdhri i Lirisë! Pa kontributin e individëve si Xhim Xhema, nuk jam i sigurt se çfarë lirie do gëzonte sot Kosova.

Image

Xhim Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

Image

Presidentja Osmani i dorëzoi dekoratën, Z. Christopher Hyland. Zoti Xhim Xhema nuk ishte i pranishëm në ceremoninë me këtë rast, por atij do i dorëzohet dekorata kur të këthehet në Amerikë delegacioni i Vatrës.

Image

Postimi i Presidentes Vjosa Osmani: “Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit pluralist politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij!”, ka shkruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Presidentit, kushtuar Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës.

Image

Të Dekoruarit të martën nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani: Christopher Hyland dhe Xhim Xhema. Foto credit: gazeta shqiptaro-amerikane ILLYRIA

Image

Senatori Dole, Xhim Xhema dhe Elmi Berisha

Image

Autori me mikun Xhim Xhema në Seminarin kushtuar 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Nenë Terezës — në “Qendrën Nënë Tereza”, pranë Kishës shqiptaro-amerikane, Zoja e Shkodrës në Hartsdale, Nju Jork 3 Maj, 2022

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Osmani: BDI-ja aset kombëtar

Story i radhës

Tkurret ekonomia franceze

Të fundit nga

Të hënën reshje intensive shiu në 5 qarqe

Fillimi i javës do të nisi me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Kështu njofton Instituti i Gjeoshkencës në buletinin e tij. Ndërkohë që reshjet intensive do
ShkoLartë