Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar një kërkesë për mocion me debat për seancën parlamentare të ditës së enjte të thirrur me urgjencë për të miratuar ndryshimet në qeveri të firmosura nga kryeministri Edi Rama.
Alibeaj shprehet se ashtu si ndodh në çdo rast kur i duhet të përballet me faktet, Rama urdhëron votimin pa debat pasi sipas tij i trembet përballjes me faktet dhe të vërtetën.
“Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë”,shkruan Alibeaj.
Deklarata e plotë
Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.
Siç ndodh rëndom në të gjjtha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama udhëron votimin pa debat. Edhe pse është e shkruar qartë në nenin 110 të Rregullores që sanksionon se Kuvendi ia nënshtron debatit parlamentar përbërjen e qeverisë. “Asnjë deputeti, – thotë neni 46 i Rregullores, “që dëshiron të diskutojë për një cështje të rendit të ditës, nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. ”
Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makiazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së.
Ndryshimet e qeverisë të shpallura në twitter, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve janë dhe mbeten mënyra që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vëmendjen nga vetja.
Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë.