“Ndryshe nga Shpend Ahmeti, Përparim Rama ka afër vetës njerëz profesional e me vullnet për punë”

March 3, 2022
min lexim

Fiknete Bejta, këshilltare komunale e LDK-së, në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur rreth qeverisjes së re, të udhëhequr nga kryetari Përparim Rama. Bejta është zgjedhur deputete edhe për një mandat, duke dalë si një nga më të votuarat e listës. Ajo ka krahasuar qeverisjen e Shpend Ahmetit, duke ia numëruar të mirat dhe të këqijat e qeverisjes së tij, e poashtu edhe fillim-qeverisjen e kryetarit Rama.

Image

Fiknete Bejta

“Bota sot”: Si i vlerësoni zgjedhjet e fundit lokale?

Fiknete Bejta: Ishin zgjedhje të lira demokratike të organizuara mirë, ndërsa ata që garuan ofruan zgjidhjet e tyre apo programet e tyre për qytetet dhe qytetarët vlerësuan me besim këto alternativa të qeverisjes. Në Prishtinë konkretisht ka pasur një garë të fortë me ide e programe. Është në të mirë të qytetit të Prishtinës dhe për shëndetin demokratik që ka ndodhë një ndërrim i pushtetit.

“Bota sot”: Si kanë qenë pritshmëritë tuaja për rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Bejta: Nga dita e parë që jam në shërbim të qytetarëve e kam kuptuar se politikën duhet ta konsiderojmë vetëm si përgjegjësi dhe konform kësaj edhe jam sjellë me përgjegjësi dhe korrektësi.

Duke u bazuar në këtë kam besuar se qytetarët e Prishtinës janë në nivelin që vlerësojnë drejt. Me punën dhe përkushtimin e treguar në mandatin tim të parë në Kuvendin Komunal kam pritur të fitoj edhe një mandat në Kuvendin Komunal, por të dal më e votuara e listës, ndoshta edhe s’ka qenë e pritur nga unë, marrë parasysh që ka qenë garë e fortë dhe e pabarabartë në listën ku garova. Por, gjithsesi rezultati pozitiv apo besimi i madh qytetar tek unë është një motivim shtesë që këtë mandat të punoj edhe më shumë e të vazhdoj të jem proaktive.

“Bota sot”: Ku qëndron dallimi ndërmjet qeverisjes së Shpend Ahmetit dhe Përparim Rames?

Bejta: Dallimi esencial është që zoti Rama ekipin e tij e ka bërë vet ndërsa zoti Ahmeti kishte imponime nga subjektet politike që i ofronin votat në Kuvend dhe kjo mendoj unë është shumë e rëndësishme për ta përmendur. Një ekip që nuk i përgjigjet kryetarit, por shef ka dikë tjetër, nuk është i destinuar të funksionojë. Kryetari Ahmeti ka merita në ndryshime sidomos në administratë dhe organizim, mirëpo në mandatin e dytë e lanë “në baltë“ ata që e sollën në Komunë. Pastaj pjesa tjetër është histori. Natyrisht zoti Rama ka qasje tjetër sepse ekipin e ka krijuar konform vizionit të tij, njerëz profesional e me vullnet për punë. Ka qasje pozitive edhe ndaj opozitës dhe mendoj që kjo do të jetë një input i mirë për qeverisjen lokale sepse z.Rama po kërkon bashkëqeverisje me të gjithë. Në këta 3 muaj qeverisja komunale ka qenë e fokusuar të gjejë mënyra e fonde për të gjetur zgjidhje për problemet urgjente e më shqetësuese për qytetarët. Por, për të gjitha punët e bëra në 100 ditët e para kryetari Rama do të raportojë para Kuvendit. Raportimi i tillë bëhet për herë të parë nga një kryetar dhe kjo është një element tjetër i një synimi që zoti Rama ka, ta trajtoj Kuvendin dhe këshilltarët komunal si pjesë shumë të rëndësishme të qeverisjeskomunale.

“Bota sot”: Si po shkon bashkëqeverisja ndërmjet partive politike në komunën e Prishtinës?

Bejta: Ka një koordinim të plotë me kryetarin Rama, të gjithë janë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës dhe unik në realizimin e programit tëprezantuar nga zoti Rama në zgjedhjet lokale.

“Bota sot”: Si qëndron raporti i kryetarit Rama me Qeverinë Kurti?

Bejta: Besoj korrekte, siç duhet të ishte një raport i një kryeministri me një kryetar të kryeqytetit.

“Bota sot”: Cilat janë ndryshimet që duhet bërë në fushën e arsimit gjatë kësaj qeverisje?

Bejta: Infrastruktura të gjithë pajtohemi që duhet të jetë në fokus sepse vijimi i mësimit me dy turne në mungesë të hapësirave shkollore është problemi kryesor në vend. Prandaj ndryshimi i parë është largimi i mësimit me ndërrime përmes ndërtimit të shkollave në lagjet e reja e në ato të mbingarkuara. Digjitalizimi i të gjitha proceseve, sidomos proceseve të aplikimeve në konkurse për rekrutimin e personelit arsimor dhe për regjistrimin e fëmijëve në shkolla dhe institucionet parafillore sepse kemi vërejte shumë parregullsi dhe keqpërdorime. Dhe në këtë formë i shërbejmë transparencës dhe llogaridhënies. Ndryshimet e tjera janë bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit për të zbatuar reformën në arsimin fillor dhe të mesëm; rregullimi i nyjave sanitare në të gjitha institucionet edukativo-arsimore në nivel të komunës; rritja e sigurisë në shkolla; riorganizimi i rrjetit shkollor, “në mënyrë që mos të kemi shkolla me hapësira të mëdha e numër të vogël të nxënësve, e njëkohësisht të kemi shkolla me hapësirë shumë të vogël e numër të madh të nxënësve”; ndërtimi i objekteve të nivelit parashkollor në të gjitha lagjet ku ato mungojnë; mbështetja e shkollave të mesme profesionale, të cilat kanë për synim aftësimin e nxënësve për prodhim, etj.

“Bota sot”: Cilat janë projektet e para që ka më së shumti nevojë kryeqyteti për të ndërhyrë?

Bejta: Konsideroj që zgjidhja e problemit të trafikut të stërngarkuar, eliminimi i problemit me qenët endacak dhe pastrimi i qytetit janë tri problemet që po vështirësojnë jetën në qytet. Prishtina ka shumë probleme që nuk mund t’i largojmë nga prioritet e trajtimit, por shpresoj që me një vizion do të arrijmë t’i zvogëlojmë në masë të madhe.

“Bota sot”: Së fundi, a mendoni se kryetari Përparim Rama e ka nisur ‘me këmbë të mbarë’ qeverisjen e tij me Prishtinën?

Bejta: Jam e bindur që po, ka respektuar profesionalizimin, ka dhënë hapësirë të mjaftueshme për gratë në ekipin e tij dhe po i jep hapësirë secilit që ka ide e rol proaktiv për qytetin.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Prodhuesi i dytë më i madh rus i naftës bën thirrje për përfundim të luftës

Story i radhës

“Janë të tmerruar”, Ukraina publikon përgjimet që pretendohet se janë të Policisë ruse

Të fundit nga

LSDM zgjodhi kryesinë e re

Ish-ministrja e mjedisit jetësor Kaja Shukova, profesoresha e Fakultetit Juridik në Shkup Ana Çupeska, Metodija Ilievski-anëtar i Këshillit të Komunës së Manastirit dhe Kristina Kostova-anëtare e Bordit Qendror të LSDM-së, janë nënkryetarët
ShkoLartë