Ndikimi i luftës në ekonomi: Çfarë do të ndodhte nëse tregjet financiare do të rrëzoheshin?

“Për historianët çdo ngjarje është unike”, shkroi Charles Kindleberger në studimin e krizave financiare. Por ndërsa “historia është e veçantë; ekonomia është e përgjithshme” dhe kjo e fundit përfshin studimin e modeleve që tregojnë nëse një cikël i caktuar po rikthehet.

Sot, sistemi financiar i Amerikës nuk duket aspak si periudha e rrëzimeve të viteve 2001 dhe 2008, megjithatë, kohët e fundit ka pasur disa shenja të njohura luhatjeje në Wall Street: ditë të egra tregtie pa lajme të veçanta, luhatje të papritura të çmimeve dhe një ndjesi sikleti mes shumë investitorëve që mendojnë se e kanë tepruar me tekno-optimizmin. Pasi u rritën në vitin 2021, aksionet në Wall Street përjetuan janarin më të keq që nga viti 2009, duke rënë me 5.3%.

Çmimet e aseteve të favorizuara nga investitorët me pakicë, si aksionet e kompanive teknologjike, kriptovalutat dhe aksionet e prodhuesve të makinave elektrike, kanë rënë. Gjendja dikur e turbullt në r/wallstreetbets, një forum për tregtarët dixhitalë, tani është e zymtë.

Është tunduese të mendosh se vala e shitjeve të aksioneve të janarit ishte e nevojshme, duke e pastruar bursën nga tepricat spekulative. Por sistemi i ri financiar i Amerikës, është ende i ngarkuar me rreziqe. Çmimet e aseteve janë të larta: hera e fundit që aksionet ishin kaq të shtrenjta në krahasim me fitimet afatgjata, ishte përpara rënies së viteve 1929 dhe 2001, dhe kthimi shtesë për zotërimin e bonove të rrezikshme është pranë nivelit më të ulët që prej një çerekshekulli.

Shumë portofola janë ngarkuar me asete “me kohëzgjatje të gjatë” që sjellin fitime vetëm në një të ardhme të largët. Dhe bankat qendrore po rrisin normat e interesit për të zbutur inflacionin. Rezerva Federale e Amerikës pritet të rrisë normat e interesit me 5 pikë përqindje këtë vit. Yield-et dyvjeçare gjermane u rritën me 0.33 pikë javën e kaluar, rritja më e madhe që nga viti 2008.

Humbjet

Kombinimi i vlerësimeve të larta dhe rritjes së normave të interesit, mund të rezultojë lehtësisht në humbje të mëdha, pasi rritet norma e përdorur për të ulur të ardhurat në një kohë të ardhshme. Nëse ndodhin humbje të mëdha, pyetja e rëndësishme për investitorët, për bankierët qendrorë dhe për ekonominë botërore, është nëse sistemi financiar do t’i përthithë ato në mënyrë të sigurt, apo do t’i theksojë ato edhe më tepër.

Përgjigjja nuk është e qartë, sepse ky sistem është transformuar në 15 vitet e fundit nga forcat e rregullacionit dhe inovacionit teknologjik.

Prova

Sistemi financiar është në gjendje më të mirë se në vitin 2008, kur kumarxhinjtë e pamatur në Bear Stearns dhe Lehman Brothers shkaktuan ngërç në botën financiare. Megjithatë, mos kini dyshim: sistemi financiar do të përballet me një provë të ashpër

Rregullat

Rregullat e reja të kapitalit kanë shmangur shumë rreziqe për bankat. Dixhitalizimi u ka dhënë kompjuterëve më shumë fuqi vendimmarrëse, ka krijuar platforma të reja për zotërimin e aseteve dhe ka ulur koston e tregtimit pothuajse në zero.

Rezultati është një sistem me frekuencë të lartë, i bazuar në treg, dhe me një grup të ri lojtarësh. Tregtimi i aksioneve nuk dominohet më nga fondet e pensioneve, por nga fondet e automatizuara të tregtuara në bursë (ETF) dhe një sërë investitorësh me pakicë që përdorin aplikacione të reja të shkëlqyera.

Huamarrësit mund të shfrytëzojnë fondet e borxhit, si dhe bankat. Kredia rrjedh përtej kufijve, falë menaxherëve të aseteve si BlackRock, të cilët blejnë bono të huaja, jo vetëm huadhënësit globalë si Citigroup. Tregjet po operojnë me shpejtësi të madhe: vëllimi i aksioneve të tregtuara në Amerikë është 3.8 herë më i madh se një dekadë më parë.

Ndryshime pozitive, por..

Shumë nga këto ndryshime kanë qenë të mira. Ato e kanë bërë më të lirë dhe më të lehtë për të gjithë investitorët, që të merren me një gamë më të gjerë asetesh. Rënia e viteve 2008-‘09 tregoi se sa e rrezikshme ishte që bankat, të cilat merrnin depozita nga publiku, të ekspozoheshin ndaj humbjeve katastrofike, gjë që i detyronte qeveritë t’i shpëtonin ato.

Sot bankat janë më pak qendrore për sistemin financiar, janë të kapitalizuara më mirë dhe kanë më pak asete me rrezik të lartë. Rreziqet ndërmerren më tepër nga fondet e mbështetura nga aksionarët, ose kursimtarët afatgjatë, të cilët, në teori, janë të pajisur më mirë për të përthithur humbjet.

Megjithatë, ndryshimi i sistemit të financave nuk e ka eliminuar rrezikun. Bien në sy dy rreziqe kryesore. Së pari, disa leva financiare fshihen në bankat në hije dhe fondet e investimeve.

Për shembull, totali i huamarrjeve, trusteve të pronave dhe fondeve të tregjeve monetare, është rritur në 43% të PBB-së, nga 32% një dekadë më parë. Kompanitë mund të mbledhin borxhe të mëdha pa e vënë re askush.

Archegos, një zyrë e investimeve familjare, falimentoi vitin e kaluar, duke u shkaktuar huadhënësve të saj humbje me vlerë 10 miliardë dollarë. Nëse çmimet e aseteve bien, mund të pasojnë goditje të tjera, duke përshpejtuar korrigjimin e vlerësimeve.

Rreziku i dytë është se, megjithëse sistemi i ri është më i decentralizuar, ai ende mbështetet në transaksionet që kanalizohen përmes disa nyjeve që mund të mbingarkohen nga paqëndrueshmëria. ETF-të, me 10 trilionë dollarë asete, mbështeten në disa kompani të vogla krijuese për të siguruar që çmimi i fondeve të jetë në linjë me asetet themelore që ato zotërojnë.

Kontrata derivative me vlerë totale disa trilionë dollarë, kalojnë përmes pesë dhomave të kompensimit në Amerikë. Shumë transaksione kryhen nga ndërmjetës, si Citadel Securities. Tregu i Thesarit tani varet nga funksionimi i firmave të automatizuara të tregtimit me shpeshtësi të lartë.

Të gjitha këto kompani ose institucione mbajnë rezerva sigurie dhe shumica mund të kërkojnë kolateral ose “marzh” të mëtejshëm për t’u mbrojtur nga humbjet e përdoruesve të tyre. Megjithatë, përvoja e kohëve të fundit tregon se ka arsye për shqetësim.

Në janar 2021, tregtia e furishme në GameStop, çoi në kaos, duke shkaktuar thirrje të mëdha marzhi nga sistemi i shlyerjes, dhe duke rritur shumën e kërkuar, që ka qenë e vështirë për t’u paguar nga një gjeneratë e re firmash brokerimi të bazuara në aplikacione, duke përfshirë Robinhood.

Ndërkohë, Departamenti i Thesarit dhe tregjet monetare pësuan ngërçe në vitet 2014, 2019 dhe 2020. Sistemi financiar i bazuar në treg është hiperaktiv shumicën e kohës; në kohë stresi, fusha të tëra të aktivitetit tregtar mund të thahen. Kjo gjë mund të nxisë panik.

Qytetarët e zakonshëm mund të mendojnë se nuk ka shumë rëndësi nëse digjen një grup tregtarësh dhe menaxherësh fondesh. Por një zjarr i tillë mund të dëmtojë pjesën tjetër të ekonomisë. Gjithsej 53% e familjeve amerikane zotërojnë aksione (nga 37% në 1992), dhe ka mbi 100 milionë llogari brokerimi në internet. Nëse tregjet e kredisë rriten, familjet dhe firmat do ta kenë më të vështirë të marrin hua.

Kjo është arsyeja pse, në fillim të pandemisë, Rezerva Federale veproi si një “rezervë e fundit për modelimin e tregut”, duke premtuar deri në 3 trilionë dollarë për të mbështetur një sërë tregjesh dhe për të ndihmuar tregtarët dhe disa fonde të përbashkëta.

Marzhe të imëta

A ishte kjo ndihmë një rast i rrallë dhe i vetëm i shkaktuar nga një ngjarje e jashtëzakonshme, apo një shenjë se gjërat do të ndryshojnë? Që nga vitet 2008-2009, bankat qendrore dhe rregullatorët kanë pasur dy synime të pashprehura: të normalizojnë normat e interesit dhe të ndalojnë përdorimin e parave publike për ndërmarrjen e rreziqeve private.

Duket se këto synime janë të pasigurta: Rezerva Federale duhet të rrisë normat e interesit, por kjo mund të shkaktojë destabilitet. Sistemi financiar është në gjendje më të mirë se në vitin 2008, kur kumarxhinjtë e pamatur në Bear Stearns dhe Lehman Brothers shkaktuan ngërç në botën financiare. Megjithatë, mos kini dyshim: sistemi financiar do të përballet me një provë të ashpër./ Monitor

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Alarmi do të dëgjohet sot në Prishtinë e Podujevë, Komunat tregojnë arsyen

Story i radhës

Situatë dramatike në Ukrainë/ Ushqimi po mbaron dhe uji i pijshëm po bëhet i pakët

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish