Nderim përherë Presidentit Rugova

December 2, 2022
min lexim

Në qytetet tona të mëdha, në Tiranë dhe në Prishtinë, në sheshet kryesore që kanë emrin e përbashkët “Skënderbej”, qytetarët me mijëra mblidhen dhe kujtojnë Presidentin Rugova, lule dhe qirinj dhe fjala e bukur shqipe…

Sot është datëlindja e tij. Jo vetëm shqiptarët, edhe pse më shumë nga të gjithë, por edhe ata që janë të lidhur dhe punojnë për paqen në Ballkanin e trazuar, në Europë dhe përtej oqeanit, në kontinentin amerikan, pra, shtete nga e gjithë bota, e kanë ndjerë fuqinë plot paqe të ketij Personaliteti.

Rugova u bë bëmatari i madh i së pamundurës, që mrekullisht po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare. Ai sikur kishte marrë bekimin e shenjtores tonë, Nënë Terezës. Kosova u bë e pavarur dhe u shpall Republikë. Shtatorja hijebukur e Presidentit Rugova u lartesua shesheve…

Kujtojme, ndërsa komunizmi binte dhe Jugosllavia shpërbëhej duke u bërë më e egër në qendrën e saj në Serbi, shqiptarët në trojet e tyre në Kosovë po kërkonin si gjithmonë të drejtat e tyre të nëpërkëmbura me gjak dhe të mohura verbërisht. Me mjete paqësore dhe demokratike, më të qartë se kurrë, këmbëngulës dhe me një qëndresë martirizuese, prireshin nga Rugova, që arriti t’i mbledhë rreth vetes e të sensibilizojë opinionin botëror, ta bindë pa u lodhur në të drejtën kombëtare, duke u cilësuar tashmë si “Gandi i Ballkanit”.

Vetëm pushtuesi nuk po bindej. Nga që po bëhej më mizor, bijtë e popullit rrëmbyen edhe armët. Ishte kushtrimi i brendshëm skënderbejan. Ndërsa Rugova kërkonte ndërhyrjen e botës për paqe dhe pavarësi, ndodhi ajo që s’kishte ndodhur, “kryqëzata morale”. Për herë të parë në historinë e vet, koalicioni më i madh ushtarak, NATO, ndërmori një aksion të rëndë luftarak kundër një shteti europian, fqinjit dhe pushtuesit njëkohësisht të vendit të Rugovës. U arrit liria, e cila ishte aq e vështirë të fitohej vetëm me gjakun e derdhur të shqiptarëve.

Dhe atëhere në shtetin ende pa vend a në vendin ende pa shtet, në kryeqytetin e të cilit vihen menjëherë shtatoret e Nënë Terezës dhe të Skënderbeut, krahas të rënëve më të fundit, populli bëri President Ibrahim Rugovën, njeriun urtak dhe të vendosur, të paepurin dhe të ballëpërballshmin, vizionarin, të armatosurin pa asnjë armë, me fushëbetejë idealet dhe të drejtën, paqen, bisedimet, diplomacinë, bindjen, sa dhe robërisë së vet nuk i iku përmes plojës.

Lider në pushtim, intelektual i klasit të parë, politikan sa i thjeshtë dhe enigmatik, filozof gandist në Ballkanin e egër, me një shall tradicional, metaforë e shamisë tragjike që lidhnin në krye rugovasit e tij, akademik, firmë e njohur e letrave në kulturën kombëtare, kritik letrar fillimisht, kryetar i shkrimtarëve dhe kryetar i partisë së parë opozitare, i Lidhjes Demokratike, që të kujtonte në emër Lidhjen e hershme të Prizrenit, me portretin e Papa Vojtilës në sfond, tani për të kundërshtuar hapur regjimin komunist të sllavëve të jugut, hordhitë e të cilëve i vranë babanë dhe gjyshin mbas Luftës së Dytë Botërore.

Jetimi që do të bëhej ati i një kauze, asaj të çlirimit, duke iu kushtuar i tëri pavarësisë së vendit, që dëshironte ta fitonte me mjete paqësore, edhe pse kishte përballë padrejtësi, mashtrime, dhunën e një shteti stalinist, krime dhe gjak. U shmangej të gjithave dhe asgjëje. Dhe u bë ikona e paqes në popullin e vet të pakët, që e bëri të njohur kudo bashkë me veten.

Dhe kur po kurorëzohej çështja, ëndrra, pavarësia, në prag të bisedimeve përfundimtare, ikën para kohe nga jeta duke krijuar, krahas dhimbjes së përgjithshme, një bosh të madh, po edhe pështjellim civil. Ç’do të bëhej pas tij? Në kohën postRugoviane, siç po e quanin…

Natyrisht, meritat e Rugovës janë të padiskutueshme, puna dhe vepra e tij janë të pashlyeshme e mbi të gjitha një përvojë e rëndësishme dhe emblemë njëkohësisht, porositë e së cilës kanë vlerë të gjithmontë. Por Rugova punoi me shokë, me popullin e tij, u besua dhe u çmua, u mbështet fuqimisht nga dheu amë, pra ai hapi një hulli, ku mund të vazhdojnë të tjerë. Ai e la përkushtimin suprem dhe frymën e vet, që vazhduesit t’i çonin më tej.

Pra, gjithsesi ai ka pasues, punën, idetë dhe bashkëpunëtorët. Po edhe vetë Rugova ishte pasues, nuk u krijua nga e veçanta dhe shpirti i tij nuk u importua, por sublimoi shpirtin e popullit të vet që e do paqen, harmoninë, di ta njohë tjetrin, të bashkëjetojë dhe të jetë i pamposhtur deri në sakrificë përballë vuajtjeve.

Ai sikur bashkoi durimin e Skënderbeut, kur ishte nën pushtuesin në kryeqytetin e perandorisë otomane, me hovin e shenjtë të Nënë Terezës, që ikte nëpër botë në ndihmë të plagëve të njerëzimit. Rugova aspiroi qytetërimin perëndimor, kulturën katolike… për t’u bërë edhe më shumë simbol i bashkimit, duke i bashkangjitur vetes, krahas fesë muslimane të tanishme dhe atë më të hershmen, të krishteren, sepse ai e dinte mirë se popull nuk do të thotë vetëm të gjallët e tij, por edhe gjeneratat e të vdekurve.

Fisi i tij i dha botës, krahas shpatës së Skënderbeut, edhe lutjet magjike të Nënë Terezës, e cila vuri mbi krye sarin indian dhe iu përvesh punës për të shpërndarë paqe mbi fytyrë të dheut. Dhe si shpërblim prej andej, nga India e largët, u kthye në Kosovë “gandizmi”, që gjeti shpirtin binjak te Rugova. Vetveten te shqiptarët.

Përsëri simboli i shamisë së paqes. Jo i bardhë si te shenjtorja jonë, Nënë Tereza, por i përzishëm si shalli rugovian te Presidenti. Kombi shqiptar i valëvit të dyja tani, njërën në njërën dorë dhe tjetrën në tjetrën, nën hijen e shpatës skënderbejane. Paqe dramatike?

Megjithatë paqe dhe pastaj vjen buzëqeshja. Nënë Tereza buzëqeshte bukur, Rugova tronditshëm. Ai e pa nga larg pavarësinë, më qartë nga të gjithë dhe priu si një profet në ecjen e funeraltë drejt saj, dhe në mbërritje shkoi të shplodhet për të lënë ta prekin të tjerë e të tjerë, me mijëra, vetë popullin. Prandaj dhe e lindi trualli amtar…

Dhe unë i risolle këto fjalë në vend të një buqete me lule.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pentagoni, 1.2 miliard dollarë për sistemin e mbrojtjes ajrore për Ukrainën

Story i radhës

Bajram Begaj niset drejt Vatikanit, do të takohet me Papa Françeskun

Të fundit nga

ShkoLartë