Fillimisht në rrjetet sociale qarkulloi një video e xhiruar rreth kishës Shën Petka në fshatin Toplicë të Vrapçishtit. Në video shihet një ekskavator dhe policë rreth kishës. Ai që e xhiron videon pretendon se ai dhe të tjerët janë penguar në pastrimin dhe rinovimin e kishës dhe se policët “kanë marrë udhëzime nga një prokuror” për të arrestuar të gjithë.
Më pas nga kisha, qytetarët janë drejtuar në komunën e Vrapçishtit duke ja zënë derën kryetarit Isen Shabani.
Por nga Prokuroria Publike njoftuan se “prokurori publik nuk ka lëshuar urdhër për arrestimin ose ndalimin e asnjë personi”. Bëhej fjalë për një kallëzim të paraqitur nga komuna e Vrapçishtit për kryerjen e ndaluar të punimeve ndërtimore në afërsi të një rruge kryesore.
Nga SPB Tetovë gjithashtu thonë se më 09.09.2024 policët kanë dalë në terren pas një kallëzimi nga inspektori i urbanizmit i komunës së Vrapçishtit. Gjatë kontrollit, ata kanë biseduar me qytetarët që po pastronin oborrin e kishës dhe rrethinën e objektit.
“Gjatë këtij procesi, nuk është sekuestruar asnjë objekt nga qytetarët e pranishëm dhe nuk është kryer asnjë arrestim. Për ngjarjen është njoftuar prokuroria kompetente” – thonë nga MPB
Burimi: tv21