Vizita e kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri dhe veprimi i saj duke paguar faturën e 4 turistëve që u larguan nga restoranti në Berat pa paguar mbetet ende temë diskutimi në Itali.
Reagimi i fundit ka ardhur nga ish-kryeministri italian Matteo Renzi, i cili shprehet i pakënaqur për promovimin e turizmit shqiptar nga ana e Melonit.
“Për mua kryeministrja shkon ku të dojë: nuk jam unë, sovranisti. Në fund të fundit Giorgia Meloni na ka mësuar me konvertime spektakolare për çdo gjë, nga Euro në NATO, nga imigrimi te pajisjet e shpëtimit. Ajo mund të ndryshojë mendje edhe për turizmin, apo jo? Shumë mirë. Përkundrazi, shpresojmë që vitin e ardhshëm qeveria Meloni të realizojë një fushatë promovuese për turizmin italian, të paktën po aq efektive sa ajo që qeveria Meloni ka bërë këtë vit për turizmin shqiptar”, shkruan ai.
Më pas Renzi ka komentuar gjestin e Melonit . “A është e drejtë që një kryeministër ndërhyn për t’i dhënë 80 euro një restoranti shqiptar? Apo është thjesht një gjest komunikimi?”, shprehet ai.
“Ky koncept sipas të cilit qeveria është një lloj baba/nëna e dhembshur që, nëse dehesh, do të të marrë me një taksi falas në disko, nëse nuk paguan faturën mbërrin ambasadori dhe zgjidh borxhin, është i njëjti sistem kulturor për të cilin shtëpia është rindërtuar për ty”, shkroi ai në rrjetet sociale ndër të tjera.
“Nuk jam i befasuar nga vetë gjesti që synon të marrë tre pëlqime në TikTok. Më habit fakti që edhe qeveria e djathtë ka të njëjtën strukturë kulturore si qeveria Grillino. Qytetari si subjekt për t’u përkëdhelur, subvencionuar, mbështetur. Për mua kjo qasje është e gabuar. Fusha e vërtetë e gjerë është ajo që shkon nga Meloni te Conte, duke kaluar përmes Salvinit”, shtoi ai.
Renzi e mbyll reagimin e tij me një batutë. “Është e panevojshme të them se jam i kënaqur me faktin që Meloni i dha restorantit shqiptar 80 €. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë një asistencë më të mirë për deklaratën më të lehtë për shtyp të jetës sime politike: “Ne u kemi dhënë 80 € për vite dhjetë milionë italianëve. Meloni i dha 80 euro një herë një familjeje shqiptare. Zbuloni dallimet, koncept i parëndësishëm por e vërtetë e pakundërshtueshme”, përfundoi Renzi.