Maqedonia e Veriut po përgatit një kthesë radikale në ligjin për ndalimin e duhanit. Ndalimi do të vlejë në të gjitha ambientet e mbyllura me karakter publik, ndërsa importi dhe shitja e produkteve të duhanit dhe nikotinës do të kufizohet ndjeshëm. Cigaret do të hiqen tërësisht edhe nga pamja vizuale e blerësve në supermarketet e vendit.
Është përgatitur një ligj i ri për mbrojtjen nga duhani, i cili do të vihet në debat publik. Në versionin aktual, të cilin e ka siguruar dhe transmetuar TV Telma, parashikohen rregulla rigoroze për të gjitha institucionet publike të mbyllura.
“Ndalimi vlen për të gjitha objektet e ushqimit dhe mikpritjes, duke përfshirë restorante, bare, taverna dhe kantina,” thuhet në ndryshimet e propozuara të ligjit për duhanin.
Sipas dispozitave të ligjit, pirja e duhanit do të ndalohet edhe në tarraca të kafeneve, nëse ato nuk janë të hapura plotësisht nga të paktën tri anë, thuhet në projektligj.
Ndalim do të ketë gjithashtu për pirjen e duhanit në makinë, kur pranishëm është një fëmijë, në stacione autobusësh dhe hekurudhore, në tregje dhe në një sërë institucione dhe hapësirash publike.
E njëjta ndalim me ligjin e ri do të vlejë edhe për të gjitha llojet e cigareve elektronike dhe pajisjeve vape, ndërsa ndalohet edhe përdorimi i cigareve aromatizuar.
“Ndalohen prodhimi, importi, shpërndarja, shitja dhe vendosja në treg e produkteve të duhanit dhe nikotinës që përmbajnë aroma ose shije,” thuhet në projektligj.
Gjithashtu, cigaret, qoftë të zakonshme apo elektronike, do të ndalohen për reklamim dhe nuk do të ekspozohen në mënyrë të dukshme në raftet e dyqaneve.
Këto janë pjesë e ndryshimeve më të rrepta ligjore në Ligjin për duhanin, të cilat së shpejti do të publikohen në platformën ENER për të hapur një debat publik.
Ministria e Shëndetësisë, si krijuese e këtyre ndryshimeve, thotë se ato janë të domosdoshme dhe synojnë të parandalojnë një katastrofë shëndetësore.
“Projektligji parashikon rregulla më të qarta dhe më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me fokus te parandalimi dhe mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve. Qëllimi i këtij ligji është ulja e ekspozimit ndaj tymit dhe aerosoleve dhe parandalimi i shfaqjes së brezave të rinj të vartësve,” thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Së fundmi, drejtori i Fondit të Shëndetësisë njoftoi se niveli i pirjes së duhanit te të rriturit është mbi 45%, shumë mbi mesataren e Evropës. Gjysma e duhanpirësve konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë. Statistikisht, rreth 4,000 persona vdesin çdo vit në vend nga sëmundjet e lidhura me duhanin.


