Ndahet nga jeta heroi i betejës së Koshares, tropojani Avdyl Treshnjeva

Është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare luftëtari i betejës së Koshares, Avdyl Treshnjeva. Ai u nda nga jeta pak ditë më parë në Francë dhe është dërguar së fundmi për në banesën e fundit në fshatin Astë të Tropojës.

Treshnjeva ishte luftëtar i UÇK-së dhe pjesëmarrës në Betejën e Koshares bashkë me heroin Agim Ramadani.

Avdyli lindi në një familje atdhetare e me tradita të shkëlqyera. Ai u rrit në mjedisin familjar me ndjenjat e pastra e të fuqishme të atdhedashurisë, bujarisë, trimërisë e të guximit, me përkushtimin e gatishmërinë për t’i shërbyer Çështjes Kombëtare në çdo kohë e, në të gjitha rrethanat, sado të vështira që mund të ishin ato.

Ky formim i shëndoshë moral, bëri që Avdyli, me të filluar Lufta Çlirimtare e Kosovës, kundër pushtuesit serb, pa më të voglin hezitim, qysh në marsin e vitit 1998, t’i bashkohej asaj lufte dhe formacionit të UÇK.

Avdyl Treshnjeva mori pjesë si ushtar i UÇK, në Rrafshin e Dukagjinit (Kosovë) në pothuajse të gjitha luftimet e betejat e zhvilluara kundër pushtuesit, në atë zone, duke u dalluar për guximin e trimërinë e tij në fushëbetejë, por edhe duke i frymëzuar edhe bashkëluftëtarët e tij.

Është frymëzues dhe i paharruar vendimi dhe akti i tij tepër i guximshëm, siç ishte ai për minimin e mjeteve luftarake lëvizëse të blinduara,“pizgaverët” e ushtrisë serbe, në Qafë të Morinës.

Avdyli u shqua në të gjitha luftimet që zhvilloi “Brigada 138”, ku edhe bëri pjesë ai, duke mos iu ndarë asaj deri në Betejën e Koshares, betejë në të cilën bie heroikisht edhe komandanti i saj Heroi Agim Ramadani.

Image

Avdyl Treshnjeva

Me përfundimin e Luftës së UÇK-së Avdyli aktivizohet në TMK, deri në fundin e vitit 2000, kohë kur një sëmundje e rëndë e shkëput fizikisht nga ai formacion mbrojtës i Kosovës, por jo shpirtërisht. I detyruar nga sëmundja, ai emigron në Francë, ku edhe mjekohet, por edhe jeton deri sa vdiq.

Me vdekjen e këtij atdhetari e luftëtari të lirisë, Tropoja, Krahina e tij e shtrenjtë, Shipshani, humbën një bir e burrë që u rreshtua tek nderi e tek lavdia e Tropojës dhe e shqiptarisë.

Me këtë rast iu shpreh ngushëllimet familjes, vëllezërve, të afërmve, miqve dhe bashkëluftëtarëve të Avdyl Treshnjevës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Makina del nga rruga në Kapshticë, 2 të plagosur

Story i radhës

Vuçiq sërish kapet nga kamera në vetizolim

Të fundit nga