Naser Haruni “shpërthen” ndaj BDI-së: Ju dhamë gjithçka, ju na grabitët gjithçka!
Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Naser Haruni, ka goditur ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim përmes një statusi të publikuar në facebook, duke lëshuar një sulm të drejtpërdrejt dhe pa kompromis ndaj kësaj partie, të cilën e akuzon për tradhti ndaj idealit për të cilin luftuan.
“BDI-ja ka marrë fund,” shkruan prerazi Haruni, duke e akuzuar partinë se ka shfrytëzuar gjakun dhe mundin e luftëtarëve për të ndërtuar pasuri personale dhe për të mbushur xhepat e klaneve të ngushta partiake. “Ne i dhamë gjithçka, dëshmorë, gjymtyrë, pasuri, mund e djersë, por ata ndërtuan vila, blenë toka dhe shtëpi. U pasuruan ata, familjet dhe klanet e tyre. Populli mbeti me premtime boshe dhe mashtrime ciklike.”
Haruni thotë se vota dhe besimi i popullit u përdorën si monedhë për pazare politike dhe për t’u ngjitur në majat e pushtetit, duke braktisur interesin kombëtar. “Sot, pas 23 vitesh qeverisje të dështuar, dalin sërish si ‘patriotë’ dhe kërkojnë edhe një shans tjetër. Kërkojnë votë kur vetë SHBA i ka futur në listat e zeza për korrupsion dhe për keqpërdorim të popullit që i ngriti.”