Një lajm i bujshëm ka qarkulluar sot në Itali pas publikimit nga RAI i informacionit të siguruar pranë klubit të Napolit se ky i fundit është pranë shitjes për 650 milionë euro.
Një fond ndërkombëtar ishte interesuar për të blerë klubin napolitan dhe sipas informacioneve, De Laurentis ishte gati të largohej nga drejtimi i tij kundrejt pagesës së kësaj shifre.
Sigurisht që kjo është kthyer shpejt në një temë diskutimi në Itali, aq sa ka shtyrë drejtuesit e klubit të dalin me një komunikatë për shtyp, duke përgënjeshtruar gjithçka që ishte publikuar në RAI Campania.
“Në një situatë normale, një trillim i këtij tipi as nuk duhej përgënjeshtruat, por meqë RAI është televizioni publik shtetëror, jemi të detyruar ta bëjmë. De Laurentis nuk ka ndër mend të shesë Napolin dhe nuk ka asnjë bisedim që po zhvillohet.
Përveç të tjerave, në të kaluarën ka refuzuar oferta që i afrohen një miliard dollarëve”, shkruhej ndër të tjera në reagimin e klubit i cili sqaronte se zërat nga kishte dalë një thashethem i tillë i kotë, vinin nga vizitat e shpeshta të De Laurentis në SHBA, por një gjë kishte ndodhur vazhdimisht gjatë karrierës së biznesmenit të njohur italian.