Rafael Nadal ka prekur për herë të 14-të në karrierën e tij finalen e Roland Garros, turne të cilin do ta tentoj ta fitoj po për herë të 14-të pasi në tokën franceze nuk ka humbur asnjë finale. Tenisti spanjoll pati fat në gjysmëfinalen e luajtur ndaj Alexander Zverev pasi në fundin e setit të dytë, gjermani pësoi një dëmtim të rëndë në kavilje dhe e pati të pamundur të vazhdonte ndeshjen.
Pas sfidës, tenisti spanjoll shprehu keqardhje për dëmtimin e kundërshtarit ndërsa shtoi se më mirë ta humbas finalen e së dielës dhe të fitojë një këmbë të re, duke qenë se edhe Nadal vuan nga një dëmtim kronik që i rrezikon seriozisht vazhdimësinë e karrierës.
“E di shumë mirë sa po luftonte Zverev për të fituar një Grand Slam, megjithatë jam i bindur se në fund të karrierës do të ketë fituar shumë më shumë se thjesht një titull.
I uroj më të mirat, ishte një ndeshje super e vështirë, mbi tre orë dhe ishim ende në setin e dytë. Ka qenë një nga sfidat më të mëdha në këtë turne dhe Zverev ishte në një ditë shumë të mirë.
Por, është e vështirë të flasësh pas atij dëmtimi.
Unë e adhuroj tenisin dhe dua të jem gjithnjë konkurrues ndaj kujtdo. Duhet të bëj sakrifica me këmbën time, por mendoj se ia vlen. Gjithsesi, nëse do të kisha mundësi, do të preferoja më shumë të humbisja finalen e së dielës dhe të fitoja një këmbë të re. Jeta është më e rëndësishme se çdo titull, sidomos pas karrierës që unë kam pasur”, u shpreh 36-vjeçari.