Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur zmbrapsje të Albin Kurtit pajtimin e kryeministrit kosovar me planin katër pikësh lidhur me situatën në veri.
Sipas saj, kryeqeveritari u dorëzua para shantazheve.
Për këtë, ajo thotë se Kurti duhet t’u kërkoj falje qytetarëve për mashtrim.
“U tërhoq nga qëndrimet e tij të ngurta vetëm pasi doli afera Zdravo. Vetë fakti që u tërhoq pas kësaj afere kemi të bëjmë me një zmbrapsje të turpshme dhe me dyshim se çka ka mbrapa asaj afere duke pasë parasysh se aty dëgjohet Slavko kur i thotë Mimoza Kusarit se po t`i zbulojmë bisedat e mëhershme, i shkon koka kryeministrit dhe qeverisë. Ka zmbrapsje të turpshme dhe ka dorëzim para shantazheve qe mund t`i bëhen Albin Kurtit”.
Musliu thotë se Kurti e dëmtoi sovranitetin e vendit në ato zona të banuara me shumicë serbe.
“Unë konsideroj që Kurti nuk ka rezistuar për shtrirje te sovranitetit, është e kundërta ai e ka dëmtuar sovranitetin e Republikës me veprimet e tij në veri. Krejt maskaradë që e ka bërë për muaj të tërë u bë me fsheh paaftësinë e tij për të qeverisur dhe për t`iu përgjigj votuesve”, tha Musliu.
“Kurti duhet tu kërkojë falje ushtarëve të lënduar të Kforit, policisë që i ka maltretuar me muaj të tërë, i ka lënë me 12 a 24 orë, mbi të gjitha qytetarëve për mashtrimin e madh që ua ka bërë”, vazhdoi tutje ajo.