Muslimanët në rajon falin namazin e Fitër Bajramit

May 2, 2022
min lexim

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, në një nga festat më të mëdha të fesë Islame

Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha të Shkupit, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.

Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazin u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Fjalimin e Hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, i cili gjithashtu në tre gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe turqisht, përcolli porosi të paqes, duke uruar shëndet dhe lumturi për mbarë njerëzimin.

“Lus Allahun Fuqiplotë, që kjo ditë e madhe të jetë ditë e paqes, ditë e tolerancës, ditë e solidaritetit, ditë e afrimit mes njerëzve, ditë e lidhjes së zemrave të besimtarëve dhe njerëzve në përgjithësi dhe le të jetë kjo ditë një ditë e kënaqësisë dhe gëzimit në përgjithësi”, tha Fetahi në deklaratë për mediat pas përfundimit të namazit.

Ndërkohë, edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Programi qendror është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Pjesë e ceremonisë qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kur’anit, ligjërata dhe Hutbeja.

Namazi i Fitër Bajramit është falur edhe në xhamitë në të gjithë Shqipërinë, duke u mbledhur së bashku besimtarët, pasi tashmë janë hequr edhe masat kundër pandemisë.

Edhe besimtarët muslimanë në gjithë Kosovën kanë filluar kremtimin e festës së Fitër Bajramit, me faljen e namazit nëpër xhamitë e vendit.

Qindra besimtarë u mblodhën në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, për faljen e namazit të sabahut dhe më pas edhe atij të Fitër Bajramit.

Hutben e namazit festiv në këtë xhami e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se Bajrami mbart mesazhin më të mirë të dashurisë për gjeneratat e reja.

“Fitër Bajrami mbart mesazhin më të mirë të kultivimit të dashurisë për trashëgimtarët tanë. Ai ushqen dashurinë dhe respektin për nipërit për gjyshërit dhe anasjelltas, ushqen vëmendjen dhe respektin e prindërve për fëmijët, kultivon mbështetjen dhe solidaritetin për ata që kanë nevojë”, theksoi Tërnava.

Tërnava tha se derisa sot populli kosovar feston i lirë, vende të botës po përballen me sfida e luftëra të ndryshme.

“Nuk është ky misioni i njeriut në këtë botë, nuk është misioni ynë në këtë jetë, kështu nuk na mësojnë librat e Zotit e nuk na kanë ligjëruar kështu as profetët. Në këtë ditë madhështore nga ky vend, lutemi që në vatrat e krizës të ndalen luftërat dhe konfliktet dhe në ato vende të vendoset paqja dhe qetësia”, theksoi ai.

Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë. Siç edhe është traditë, pas faljes së namazit të Fitër Bajramit besimtarët muslimanë vazhdojnë festimet në shtëpitë e tyre, duke shkëmbyer vizita mes të afërmeve.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Rama: Solidariteti, durimi, besimi e shpresa, ndër virtytet më të larta të njerëzimit

Story i radhës

Miliona njerëz kërkojnë largimin e Amber Heard nga “Aquaman”, merret vendimi i parë drastik për aktoren

Të fundit nga

ShkoLartë