Eh, si na ishte, e si na doli. Një personalitet si Thaçi po i mungon Kosovës, po një të tillë Kosova nuk e ka më. Ai ishte i vetmi që i qante stuhitë. E udhëhoqi luftën, Rugovës me votën e lirë ia rrëmbeu pushtetin (pasi ai vdiq), me 2008 e shpalli pavarësinë dhe me Serbinë i filloi bisedimet, për normalizimin e raporteve.
Para se t´i fillonte bisedimet me Serbinë u kujdes për zhvillimin e Kosovës dhe privatizimin e ekonomisë. KEK – un ia dhuroi Erdoganit për ndihmesën që tregonte ndaj Kosovës. Besa Erdogani e kërkoi dhe e mori edhe Aeroportin Adem Jashari, në shenjë përkujtim ndaj heroizmit të komandantit tonë.
Më vonë Erdogani i kërkoi edhe kundërshtarët e tij politik që ishin strehuar në Kosovë dhe siç kishte ndodhur, pa dijen e Thaçit brenda natës, i ishin dorëzuar Turqisë.
Në shenjë mirënjohje për këtë shërbim, Erdogani i kishte filluar investimet në Kosovë. Kush nuk mund ta besoi, po në kohë rekord me investimet turke, u ndërtuan më tepër se 1000 xhami. Mrekullia më e madhe është duke ndodhur sot, sepse Erdogani në Prishtinë është duke e ndërtuar xhaminë më të madhe në Evropë.
Për Kosovën investim i shumëpritur, kur dihet se ne me më pak se dy milion banorë kemi mbi 1000 xhami të ndërtuara, kurse Stambolli sipas statistikave me mbi 17 milion banorë, nuk i ka as 500 xhami. Pra duke i krahasuar këto gjëra, ne ia kalojmë edhe një metropoli, siç është edhe vetë Stambolli.
Pasi të gjitha këto janë merita të Thaçit i cili e mbushi Kosovën: me xhami, salafista, isisa, shkolla ilegale të kuranit, imam të të gjitha ngjyrave që sot merren me Bunga – Bunga të Berluskonit etj.
Më në fund ashtu siç kishte premtuar, e filloi edhe ndërtimin e rrugëve, në mbarë Kosovën. Gjithkah ku kishte mundësi, i blinte tokat kah kalonin rrugët, në mënyrë që t´i ndihmonte fshatarësisë. Dhe duke e zhvilluar Kosovën, të cilën e ka sjell në këtë gjendje të prosperitetit, e përgatiti terrenin edhe për bisedime me Serbinë.
Bisedimet zgjatnin pa fund po Thaçit i jepnin mundësinë që ti shqyrtonte të gjitha opsionet, për një zgjidhje përfundimtare.
Pas argëtimeve me Vuçiqin dhe Daçiqin i cili u këndonte edhe këngë që ti argëtonte, Thaçi me ndihmën e vëllaut të tij Ramës, Batonit, Buzhalës, Milaim Zekës, Isa Mustafës e disa të tjerëve, e gjetën formulën aq shumë të kërkuar, shkëmbimin e territoreve.
Pas gjetjes së formulës, menjëherë administrata e ish presidentit Trump ishte aktivizuar dhe si udhëheqës të kësaj formule e kishte emëruar ish ambasadorin e famshëm në Gjermani, zotin Grenell.
Bisedimet sipas kësaj formule rridhnin për mrekulli, po mos të ishte Gjykata Speciale në krye me gjyqtarin kryesor zotin Smith.
Ai pa menduar fare mbi zbulimin e formulës, kishte dhënë urdhër mbi burgosjen e Thaçit dhe formula e zbuluar mbeti pezull.
Nga kjo kohë gjërat erdhën duke u komplikuar, sepse në krye të Kosovës erdh Kurti, kundërshtar i përbetuar i Thaçit, i cili të tërë formulën e hodhi poshtë, pa menduar se po shkaktonte tërmet.
Grenell, nga ky veprim i Kurtit, u çartë nga dëshpërimi : po qëndron rregullisht në Serbi ( po mendon të merr edhe shtetësi serbe) duke vajtuar së bashku me Vuçiqin dhe daçiqin, dështimin e formulës dhe njëkohësisht bashkërisht, po shprehin dhimbjen për Thaçin.
Tash së fundi me lot në sy kemi edhe reagimin e zotit Grenell, duke treguar haptas, se po na mungon Thaçi.
Këtë vajtim mbi Thaçin e shprehu Grenell, vetëm një ditë pasi të njëjtën ndjenjë e kishte shprehur edhe vëllai i Thaçit në Tiranë zoti Rama.
Ndoshta do të ishte mirë që Rama, Grenell dhe kompania e tyre, së bashku me Vuçiqin dhe Daçiqin, ta organizonin një simpozium, ku do të kërkonin lirimin e Thaçit dhe vënjen në jetë të formulës së tyre. Kushedi ndoshta do të kishin sukses. Në këtë botë gjithçka është e mundur.