Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka arrestuar gjashtë persona dhe ka thirrur një tjetër për bisedë zyrtare, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale që shfaq të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobërdoll të Gostivarit.

Sipas MPB-së, policia e SPB Tetovë ka kryer bastisje në disa lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion.

“Sot (01.08.2026) zyrtarët policorë të SPB Tetovë, në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale për të shtënat me armë gjatë një ahengu familjar në Dobërdoll, kanë kryer bastisje në disa lokacione, ku janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një person është thirrur për bisedë zyrtare. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar armë dhe municion”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Policia bëri të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar një pistoletë me gaz, një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjuetie me shtatë fishekë, si dhe 30 fishekë për pistoletë me gaz. Në oborrin e një shtëpie janë gjetur edhe 27 gëzhoja të shkrepura dhe një fishek për armë gjahu.
“Të gjithë personat janë dërguar në stacion policor për procedurë të mëtejshme dhe, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse”, njofton MPB-ja.
Burimi: alfax.mk


